Katër shtëpitë

08 dhjetor 2023 | 15:20

Shkruan: Ismail Syla

1.

SHTËPIA E SHTRATIT ME KASHTË DHE E DRITAREVE QË NUK HAPESHIN

Shtëpia përdhese e fëmijërisë sime dallonte shumë nga moshatarja e saj, ndërtesa dykatëshe  e stacionit të trenit në Drenë, e ndërtuar më 1935, me gurë të gdhendur, e që ngjante me germën e 31-të alfabetit cirilik.

Ajo kishte dy dhoma dhe një korridor të ngushtë. Në të majtë nga dera e hyrjes qe dhoma e shtratit me kashtë, ku thonë se unë, aty kam qarë për herë të parë në ditën e pranverës, më 1961.

Kjo dhomë ishte pjesë e kësaj përdhese vetëm nga jashtë, për sytë e botës, se dhomës tjetër, që kishte oxhak, kazan mbi vatër, magje, krojshe për lugë druri, sofër, enë, shkama me tri këmbë, fshesë e legen, i thuhej shtëpi.

Në pjesën ballore të murit, nga ana juglindore shtëpia kishte dy dritare, dy xhama të mbërthyer në korniza të vogla druri, që nuk u hapën deri më 1968, në vitin kur hyra në klasën e parë të shkollës fillore.

Duke parë që nuk kishte sa duhet dritë për të mësuar Abetaren, nëna ime Hira me këmbëngulje thonë që kërkoi nga babai Tuadi që ta ndërrojë njërën kornizë me dritare më të madhe, për më shumë dritë e ajër.

Në kulmin e kësaj shtëpie të mbuluar me rrasa të holla, ku me vite kishin zënë vend myshqet, më 14 prill 1970 u ngul një kanzollë në formë kryqi, me  dy filxhanë të ngrirë në gips për telat e rrymës elektrike.

Drita e fortë e poçit elektrik e shpartalloi terrin e natës më shumë se drita  e llambës me vajguri, por jo mjegullën e historisë së shtëpisë së ndërtuar më  1935, e të banuar deri më 15 shtator 1974.

2.

SHTËPIA E DYSHEKËVE TË SFUNGJERTË DHE E DRITAREVE ME DY FLETA

Në shtëpinë e re, të ndërtuar me themele guri, mure prej tullave, mbuluar me tjegulla, që kishte gjashtë dritare të mëdha me fleta dyfishe, aq sa shtëpia shkollarë, u vendosëm shtatë muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.

Mobilimin horizontal të saj: dyshemenë prej dërrasave, tepisonët prej sintetike, shtrojat e sfungjerta, e vuri nën hije mobilimi vertikal i vitrinave me shumë libra që çdo javë sillte nga Ulpina, Zaniu, vëllai i madh student.

Vit pas viti, shtëpia mezi i zinte librat, sa ato i hynë në nerva babait, Tuadit, i cili me ironi të hollë e me mllef të pambuluar u thoshtë të afërmve se shtëpia jonë nuk ka qe e qerre, se “romana” sa të duash, duke i quajtur me atë emër gjithë llojet librave.

Më 23 gusht 1998 ofansivat e ushtrisë serbe dogjën gjithë fshatrat e Drenisë së Epërme. U dogj shtëpia jonë dhe gjithë biblioteka. Djegia e librave zgjati aq shumë sa shkrumbi i tyre u ndie që nga Homeri e deri te shkrimtari më i ri në botë.

Më 13 tetor 1998 kur pushuan përkohësisht ofansivat në oborrin e shtëpisë plasi grindja midis meje dhe babait. I thoshja se t’u bë qejfi, ja më nuk ka libra, më në fund serbi na dogji e shkrumboi shtëpinë, ai shtonte: edhe “rromanat” ia ndihmuan.

Ideja e mosdjegies së  biblioitekës sonë jetoi më gjatë se shkrumbi i saj. Shumë kohë pas luftës një “in momoriam” për të gjitha librat e djegur ishte besimi i ngulitur te plot njerëz se ne e kishim librin që u duhej për vete ose për fëmijët e tyre.

3.

SHTËPIA ME DYSHEME PARKETI DHE ME DRITARE TË PLASTIKËS

Më 1 shtator 2008, gjashtë muaj e 13 ditë pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, hymë në shtëpinë njëkatëshe, të ndërtuar në periferi të Ulpinës, në lagjen Kalabria, që lidhet shpejt me vendlindjen time.

Shtëpia e shtruar me parket bungu të klasës të dytë dhe me dritare plastike, që mbylleshin gati hermetikisht, e që ka dhoma aq sa familja anëtarë, më bëhej se ma zinte frymën. Shkëndijat krijuese dhe frymëzimi ngulfateshin nga ngrohja e kaloriferëve, perdet dhe roletat.

Në themele të saj qëndronte betonarmeja që përballon tërmetin 12 ballë  të Richterit, mbikëqyrur nga inxhinirri i famshëm i Fakultetit Teknik, H. S. konstruksionet e të cilit thuhej se i kishin bërë ballë bombave të NATO-s.

Ndërsa në shtëpi nuk mungonte asnjë pajisje elektronike, madje kish me tepricë, në komodinën afër krevatit tim me dyshekun “Dormeo” filluan të shtohen kutitë e medikamenteve, gjithnjë tinëzisht e më tinëzisht.

Një natë duke folur për ëndrrat, kuptova se vetëm tek unë dhe te gruaja ëndrrat nuk e kishin gjetur adresën e re: Rruga “Shefqet Shkupi,” 32. Fëmijët, për çudi treguan se shtëpia iu shfaqet në ëndërr me gjeografi urbane.

Në ëndrra kisha mbetur në vendlindje. Shpejt e kapa këtë shenjë të re.

4.

SHTËPIA E  DRITAREVE ME XHAMA KATËRSTINORË

Më 23 gusht 2021, 23 vjet pas djegies së shtëpisë së rinisë sime, u hapen themelet e shtëpisë, në Ndrekaj, që u  ndërtua me mijëra e mijëra fije armature dhe me betoni të markës më të fortë të urave.

Edhe pse me mure të trasha të mbështjellura jashtë me fasadë ventiluese, e nga brenda me glet të rrafshtë akull, tashmë kur jetoj në të, nuk ka erë e zhurmë shiu që nuk dëgjohet, nuk ka frymëzim dhe ëndërr që nuk hyn brenda.

Pllaka lart, e izolur me materiale më cilësore italiane është pllaka më transparente në botë. Tërë natën në tavanin e saj e shoh yllin që dua, mjegullat kozmike dhe pamje të pafund të kozmosit nga teleskopi James Webb, deri te kokërrzat e fundit të breshëritë që bien me rrëmbim.

Sa herë në mëngjes shihem para pasqyrës, për inat të një rrudhe të re, ndërroj tërë pllakat e banjës, dush-kabinën, xhamin e pasqyrës, peshqirët, çarçafët dhe tërë gardërobën e asaj dite.

Nga dritaret e sallonit me xhama katër stinorë shoh pamje të bukura të Blinajës së Blertë dhe të Bjeshkëve të Drenisë, shoh vendin ku ishte shtëpia e shtratit me kashtë dhe e asaj me shtroja të sfungjerta.

Bie në gjumë dhe shoh ëndërr tri shtëpitë dhe zgjohem në shtëpinë e katërt, më të fortën në botë, që nuk më mbron nga tërmeti dhe bombat, por nga pleqëria.

Ndrekaj, 7 dhjetor 2023

Ilustrim/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një pyetje nga Santiana drejtuar Lindës ka shkaktuar diskutime dhe…