KB Peja i bashkohet ‘ENBL League’ për sezonin 2025/2026

15 gusht 2025 | 11:55

Klubi basketbollistik Peja ka njoftuar se për edicionin 2025/2026 do të marrë pjesë në “ENBL League”.  ENBL (European North Basketball League) është një ligë ndërkombëtare basketbolli për klube meshkujsh nga vendet e Evropës Veriore, Qendrore dhe Lindore.

Rreth dy vite më parë në këtë ligë kishte marrë pjesë edhe Sigal Prishtina, por kryeqytetasit ishin përjashtuar shkaku i grumbullimit të borxheve.

“E kemi kënaqësinë t’iu njoftojmë që ndeshjet Europiane do të kthehen në ‘Karagaçi’, pasi KB Peja do të jetë pjesëmarrëse në ENBL League për edicionin 2025/26.  Orari për edicionin e ri të ENBL do të publikohet pas mbledhjes së skuadrave pjesëmarrëse që mbahet me 18 Gusht. Këtë edicion në ENBL do të jenë pjesëmarrëse 27 skuadra në një tabelë të vetme, ku secila skuadër do të luaj 8 ndeshje me 8 kundërshtar të ndryshëm (4 si vendas, 4 si mysafir). Nga 27 skuadra pjesëmarrëse në fazën grupore, 16 ecin tutje në fazën me eliminim direkt. Klubet pjesëmarrëse do jenë nga Kosova, Britania e Madhe, Gjermania, Kroacia, Rumania, Greqia, Austria, Norvegjia, Bullgaria, Belgjika, Islanda, Çekia, Sllovakia, Holanda, Estonia, Polonia dhe Letonia.  Jemi shumë të lumtur dhe të motivuar që të konkurrojmë me skuadrat më të mira Evropiane, në një kompeticion të jashtëzakonshëm”, ka njoftuar KB Peja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale e ka refuzuar kërkesën…