KCSF-ja: Shoqëria civile mbetet faktor i rëndësishëm në demokratizimin e vendit

02 dhjetor 2018 | 15:53

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ka publikuar Indeksin Kosovar të Shoqërisë Civile 2018.

Ky studim tregon që përkundër një situate të vështirë politike dhe ekonomike në Kosovë, shoqëria civile ka arritur që të mbetet një faktor shumë i rëndësishëm në demokratizimin e vendit. “Më shumë qytetarë janë angazhuar në shoqëri civile krahasuar me të kaluarën, qoftë si anëtarë apo duke bërë punë vullnetare. Gjithashtu, për shumë vite me radhë tashmë shoqëria civile vazhdon të jetë ndër sektorët më të besueshëm në Kosovë, së bashku me institucionet e sigurisë. Megjithatë, në përgjithësi apatia qytetare vazhdon dhe numri i atyre që angazhohen në këtë sektor mbetet i ulët, ndërsa shoqëria civile nuk po arrin që të komunikojë e përfshijë sa duhet qytetarët në punën e vet”, është thënë në komunikatën e KCSF-së.

Në anën tjetër thuhet se krizat e njëpasnjëshme politike dhe polarizimi i skajshëm i skenës politike në Kosovë, së bashku me fokusin e plotë të institucioneve kryesore në tema madhore si demarkacioni ose dialogu me Serbinë duket që kanë ndikuar edhe në shoqëri civile.
Angazhimi i këtij sektori në politika publike ka rënë dukshëm, qoftë në raport me ftesat nga institucionet publike apo me nismat e vet sektorit.
Në përgjithësi, organizatat e konsoliduara vazhdojnë të jenë aktive edhe në politikëbërje, por një pjesë shumë e madhe e sektorit nuk përfshihen në këtë proces, qoftë në nivelin lokal apo qendror.

“Trendi i financimit në shoqëri civile është në rënie në krahasim me dy vite më parë, në të gjithë indikatorët që e mbulojnë këtë fushë, përveç fondeve publike. Gati se gjysma e organizatave aktive nuk kanë fonde aspak, ndërsa qereku tjetër kanë qarkullim vjetor shumë të ulët, vetëm disa mijëra euro në vit. Këto përqindje janë përkeqësuar në raport me dy vite më parë”, është theksuar në këtë komunikatë.

Sipas KCSF-së, donatorët e huaj vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit, edhe pse fondet e tyre u ndahen një numri më të vogël të organizatave krahasuar me dy vite më parë. Në anën tjetër, është rritur financimi nga fondet publike, sidomos numri i organizatave që kanë përfituar fonde nga institucionet publike.
Edhe pse opinioni publik shoqërinë civile kryesisht e identifikon nëpërmjet organizatave të mëdha dhe me shumë fonde e të punësuar, studimi tregon që një numër i madh i organizatave punojnë në baza tërësisht vullnetare, ndërsa numri i vullnetarëve të angazhuar në sektor është disafish më i lartë si numri i të punësuarve.

Indeksi Kosovar për Shoqëri Civile 2018 identifikon edhe problemet me të cilat ballafaqohet sektori, disa nga të cilat janë zvogëlimi i fondeve të huaja për organizata të shoqërisë civile, por edhe mungesa e transparencës së mjaftueshme të ndarjes së fondeve publike; mungesa e mekanizmave funksional për lehtësira tatimore për OShC; dominimi i financimit për projekte afat shkurta, rrjedhimisht pamundësia e planifikimit për një kohë më të gjatë, dhe intervenime më komplekse e strategjike; koncentrimi i madh i organizatave të shoqërisë civile në Prishtinë dhe qendra tjera të mëdha urbane në Kosovë, etj.

Gati gjysma e OShC-ve në Kosovë veprojnë pa fonde fare (46 për qin), derisa pjesa më e madhe e OShC-ve operojnë me më pak se 10,000 euro në vit (23 për qind). Përkundër që shumica e OShC-ve kanë pak ose aspak fonde dhe numër të vogël të të punësuarve, megjithatë shoqëria civile punëson në radhët e veta një numër të konsiderushëm të stafit.

Donatorët e huaj vazhdojnë të jenë financuesit kryesor të shoqërisë civile, megjithatë me një rënie të dukshme krahasuar me vitin e kaluar.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, duke komentuar projektrezoluten e…