KDI-ja: Shteti t’i forcojë mekanizmat e kontrollit për siguri në punë

23 tetor 2018 | 11:49

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka paraqitur rekomandime lidhur me të drejtat e punëtorëve në sektorin privat dhe rreziqet me të cilat përballen në vendin e punës.

Në një konferencë për media, Florent Spahija nga KDI-ja ka theksuar se gati çdo muaj në Kosovë raportohet për raste të reja të humbjes së jetëve të punëtorëve, kryesisht në sektorin e ndërtimit të lartë.

Ai ka informuar se edhe në KDI gati çdo ditë pranohen thirrje nga qytetarët që ankohen për shkeljet e të drejtave të tyre në punë kryesisht në sektorin privat, por pa e përjashtuar as atë publik, i cili ka thënë se do të duhej të ishte shembull i respektimit të të drejtave të punëtorëve nga marrëdhënia e punës.

“Fenomeni i vdekjeve në vendin e punës ka shënuar rritje në vitet e fundit, për shkak të hovit në rritje të ndërtimeve në çdo pjesë të Kosovës dhe mundësisë për t’u punësuar në këtë sektor për shkak të kërkesës së sektorit për fuqi punëtore të pa kualifikuar. Shumë punëtorë inkuadrohen në sektorin e ndërtimit edhe përkundër kushteve jo të mira të punës dhe pasigurisë në punë që mbretëron tash e një kohë në këtë sektor sidomos”, ka thënë Spahija.

Duke folur rreth faktorëve që çojnë në vdekjet në vendin e punës ai ka potencuar se ata mund të jenë të ndryshëm, por e përbashkëta e tyre është: mungesa e sigurisë në kryerjen e detyrave dhe neglizhenca e punëdhënësit në ofrimin e kushteve për punë si dhe neglizhenca e Inspektoratit të Punës në mbikëqyrjen edhe parandalimin e rasteve të tilla.

Në përpjekje për të siguruar një vend pune, qytetarët ballafaqohen me shumë padrejtësi dhe shkelje.

Spahija ka bërë me dije se ankesat e qytetarëve të raportuara në KDI për sektorin privat flasin raste kur punëtori me një njoftim të thjeshtë ka mbetur pa vendin e tij të punës, kur punëtorit nuk i respektohet orari i punës apo nuk i është bërë pagesa për punën jashtë orarit, zvogëlim i pagës pa paralajmërim, dhënie e pagës nën nivelin e pagës mesatare, vonesa në pagesë deri në tre muaj, punë 24 orësh pa ndërprerë, për mos pagesë të kontributeve pensionale dhe mos dhënie të pushimeve në fundjavë, gjatë festave zyrtare apo pushimit vjetor, por edhe shumë raste të tjera.

KDI-ja jep këto rekomandime:

-Secili punëtor i pa kualifikuar që punon një profesion të zanatit, duhet të detyrohet që të kualifikohet dhe të merr certifikatën e kualifikimit nga Agjencia e Punësimit;

-Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Punësimit dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Inspektoratin e Punës të punoi në harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian;

-Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës/Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale përmes buxhetit të parasheh vazhdimisht rritjen e numrit të Inspektorëve të Punës dhe pagave të tyre;

-Inspektorati i Punës të rrit numrin e inspektimeve në terren;

-Inspektorati i Punës të vazhdoi me kampanja vetëdijësuese mbi të drejtat e punëtoreve dhe shkeljet e mundshme për punëdhënës dhe punëtor;

-Inspektorati i Punës duhet të ofroj mundësi që punëtorët të paraqesin ankesat e tyre në mënyrë anonime dhe ankesat e njëjta të merren parasysh.

-Inspektorati i Punës duhet të rrit nivelin e transparencës  duke bërë publike në ueb faqe të gjitha vendimet që i merr;

-Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me ndihmën e Odave Ekonomike duhet të krijoj mekanizmat që detyrojnë edhe kompanitë private të kenë organizime sindikale;

-Qeveria e Kosovës së bashku me Sindikatat e punëtorëve por edhe sektorin privat duhet ta përpilojnë kontratën kolektive dhe ta nënshkruajnë atë;

-Gjykatat duhet të përmbahen afateve ligjore dhe çështjet e punës duhet ti trajtojnë me efikasitet dhe prioritet.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur sot…