
KEK-u njofton për lidhjen e mbi 360 kontratave për furnizim me energji
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar opinionin, me theks të veçantë konsumatorët komercialë, se është duke u angazhuar maksimalisht në përmbushjen e obligimeve ligjore dhe vendimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për të njoftuar dhe lehtësuar konsumatorët në lidhje me lidhjen e kontratave të furnizimit, qoftë si furnizues i mundësisë së fundit, apo për kontrata komerciale.
Sipas të dhënave të pranuara nga KOSTT/AAM, aktualisht janë: 672 konsumatorë komercialë (biznese), me gjithsej 5154 pika matëse, të cilët nuk kanë gjetur furnizues të ri pas ndërprerjes së kontratës nga KESCO (si FShU).
“Nga data 01.06.2025, të gjithë këta konsumatorë janë duke u furnizuar me energji elektrike nga KEK si FMF, në përputhje me legjislacionin në fuqi, i cili përcakton se furnizimi në këtë formë mund të zgjasë maksimumi 60 ditë, gjatë së cilës konsumatorët duhet të lidhin kontratë me një furnizues të rregullt në tregun e hapur”, është thënë në njoftimin e KEK-ut.
Deri më tani, KEK-u ka konfirmuar se janë dërguar mbi 540 kontrata për nënshkrim.
Ndërsa, në total deri më tani janë nënshkruar mbi 360 kontrata me konsumatorë, në disa raste, një numër unik ka më shumë se një kontratë.
“Vlen të theksohet se për shkak të interesimit të shtuar nga bizneset, gjendja është dinamike dhe në ndryshim të vazhdueshëm, andaj KEK-u është në kontakt të drejtpërdrejtë me konsumatorët për t’i informuar dhe asistuar për lidhjen e kontratave në mënyrë të rregullt dhe ligjore”, ka njoftuar KEK-u.
Përveç angazhimit në cilësinë e FMF-së, KEK-u është gjithashtu i angazhuar në lidhjen e kontratave komerciale me konsumatorët që zgjedhin të furnizohen drejtpërdrejt në treg të lirë.
Deri më tani, janë 16 kontrata komerciale të finalizuara me konsumatorë të ndryshëm, dhe ky numër është në rritje të vazhdueshme