KËMISHA ME FLUTURA

27 mars 14:48

SADIK KRASNIQI

Deri te ajo mbrëmje e mugët

me aromë gruri e me xixëllonja

zvogëlohem unë te driza

ku fsheha jelekun me arna

e zgjoj tim atë nga gjumi i përjetshëm

e bëj të mishtë e me shpirt

të ma sjellë atë këmishë vija-vija

këmishën e parë me flutura

të ma veshë vetë ai

me duart e veta

e të më buzëqesh

t’ma bëjë me shëndet

unë nga gëzimi klith

si djali i daulles së llamarintë*

që s’rritet kurrë

copë e grimë griset ai kujtim

 

unë me pikëllim

prapë rritem kërrusem

hënën ma zë pema e errët

hija e tim ati ikën

 

*(Personazh i Gynter Grasit)

 

AI DO TË KTHEHET

 

Ajo përherë pyeste

sa është ora

përgjigjen kurrë s’e priste

e në dorë mbante orën e pakurdisur

orën e shtrenjtë

 

kornizës së verdhë

ia kishte thyer pasqyrën

 

u ikte xhamave të sheshit

 

të gjithë e dinin refrenin e këngës së saj

kënduar përmes dhëmbëve të rënë

 

kthehet ai kthehet sa të dalë pranvera

porsa të përfundojë kjo luftë e shkretë

 

CILI JAM

 

Si somnambul

para portës së shtëpisë së nëmur

me prush të shprushur mijëra vjet

nga dy hije të gjalla

 

po unë

cili djalë

i prindërve pa kërthizë

jam

 

Abeli i zgjuar nga vdekja

për t’ia larë duart Kainit vëlla

e era dhe nuk më vjen

 

a vetë Kaini jam

duke bredhur me mijëra vjet

me duart e përgjakura mbi kokë

 

sytë më plaçin

çka të bëra vëlla

ECJE MBI GJETHE

 

Që ata mos të zgjohen

pritën të më zënë në udhë

e të më pyesin me gjuhë dheu

ku shkon ti në këtë muzg

pranë amshimit tonë të zi

 

hapat e mi heshtën nga gjethet e rëna

që kanë lotuar shi vere

si sytë e blertë e të zi

 

unë kaloj pa vërejtur asgjë

veç këta gurë të mistershëm

dhe një ylli që bie përndritshëm

diku në një galaksi

 

JANË DISA SHTIGJE

 

Janë disa shtigje

përtej reve të zeza

e ti pa krahë

 

Janë disa shtigje

përtej lumit me krokodil

e ti pa urë me vig

 

Janë disa shtigje

përtej fushës plot gjarpërinj

e ti këmbëzbathur

 

Janë disa shtigje

përtej brigjeve të zjarrta

e ti pa këmishën e ujit

 

ulu mbi një shkëmb djalë

qitja këngën vetes

pikëllo të verbrit

 

PSALM DËSHMIE

 

Madhëri

s’kam dorë

të vë mbi librin e shenjtë

e të dëshmoj vetëm të vërtetën

se këta më kanë gjymtuar

sytë m’i nxorën

e gjakun e zi nga veshët

ma kanë plasur zemrën

e çmendur më kanë

sa s’po më bie ndërmend

se edhe gjuhën ma kanë prerë

e vetë me vete po flas

i mjeri unë

 

FLUTURIM I ZI

 

Zogu i mekur

bie në pëllëmbën e beftë

pinë lotin e verbër

e fluturon në qiellin e zi

të syve me pikëllim

të syve

që s’panë kurrë pranverë

 

(Nidda, Gjermani)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Britania e Madhe ka përshëndetur dëbimin masiv të spiunëve të…