Këngët e luftës së Kosovës (1389)
Nevrije Ismajli
Çfarë përfaqësojnë këto këngë
Tashmë është e njohur për të gjithë, si një fakt i mirëfilltë historik, përplasja e madhe e vitit 1389 midis forcave osmane, që po përpiqeshin të pushtonin hapësirat Ballkanike, dhe ushtrisë së formuar nga trupa të disa prej këtyre vendeve të gadishullit (të përbërë nga serbë, boshnjakë, kroatë, vllehë, shqiptarë[1]), për t’u mbrojtur nga invazorët. Pikësynimeve pushtuese të Perandorisë Osmane, me në krye Sulltan Muratin I, iu kundërvu, ta quajmë, një ushtri ballkanike, nën drejtimin e princit serb Llazar. Pikërisht kjo përleshje në afërsi të Prishtinës, ka hyrë dhe është pasqyruar në traditën popullore të disa vendeve ballkanike. Janë krijuar legjenda dhe këngë të ndryshme për këtë ngjarje të vërtetë historike, të cilat nga koha në kohë janë përcjellë brez pas brezi, duke përcjellë dhe ndryshime të caktuara. Siç shprehet F. Arapi, “Të dhënat historike rreth atij “koalicioni” (është fjala për koalicionin Ballkanik – N. Ismajli), si dhe rreth ngjarjeve e rrjedhave të vërteta të betejës, janë aq të pakta e kontradiktore, sa Luftën e Kosovës 1389 më shumë e ka mbuluar legjenda e karakteri simbolik i “katastrofës së ballkanasve”, që ajo mori nëpër gojëdhëna e këngë popullore të kënduara më vonë për të”[2].
Midis popujve të tjerë, edhe shqiptarët kanë krijuar, shumë më vonë edhe janë regjistruar, këngë që i kushtohen asaj periudhe dhe përplasjes së madhe, pavarësisht nga vendi që zunë në betejë vetë shqiptarët. Është fakt i pamohueshëm se në këtë luftë morën pjesë edhe një numër bujarësh apo sundimtarësh shqiptarë, bashkë me ushtritë e tyre[3]. Në se shqiptarët nuk do të ishin pjesëmarrës aktive në këtë luftë, atëherë nuk do të kishte edhe kaq shumë krijimtari folklorike, që do të përcillte në një mënyrë origjinale dhe të mëvetësishme tablonë e përgjithshme të Luftës së Kosovës. Në fund të fundit, kuadri historik i kohës përcjell dëshmi bindëse se shqiptarët jo vetëm morën pjesë në luftime, por dhanë dhe ndihmesën e tyre me krijimtari folklorike.
Natyrisht, këndvështrimet rreth kësaj ngjarje, mënyrat e pasqyrimit të saj, mjetet artistike specifike të përdorura, struktura e këngëve që i shprehin janë të ndryshme në popuj të ndryshëm që e pasqyrojnë këtë moment historik. E njëjta ngjarje historike është trajtuar në mënyra të ndryshme nga krijimet folklorike, jo vetëm midis popujve të ndryshëm, por dhe brendapërbrenda të njëjtit popull. Kemi të bëjmë në këtë rast me shembullin tipik të raporteve shprehëse, por dhe reale, midis historisë dhe trajtimit artistik folklorik nga bashkësi apo komunitete të caktuara dhe se si ato janë përcjellë nga brezi në brez, deri në kohën e regjistrimit të tyre.
Këtu do ta shihnim të veçantën e aftësive krijuese, individualitetin shprehës të secilit popull. Në këtë kuadër do të thoshim se dhe këngët shqiptare që i kushtohen Luftës së Kosovës më 1389 pasqyrojnë pikërisht talentin, aftësitë krijuese artistike të popullit shqiptar, krahas këndvështrimit origjinal të vetë ngjarjes dhe të sjelljes së saj artistikisht. Pavarësisht se në popuj të ndryshëm i këndohet së njëjtës ngjarje historike, mjetet shprehëse, mënyra e të konceptuarit, përjetimi i ngjarjes, theksimi apo mostheksimi i momenteve dhe i figurave të ndryshme, fantazia krijuese artistike ndryshojnë jo vetëm nga njëri popull te tjetri, por edhe brendapërbrenda secilit popull. Në këtë kuptim do të thoshim se këngët për Luftën e Kosovës, 1389, tek shqiptarët, ndonëse në variante të ndryshme, edhe me diferenca të ndjeshme, vijnë si një krijimtari specifike e shqiptarëve, të dallueshme nga variantet e tjera të popujve që i kanë kënduar kësaj ngjarje madhore në historinë e Ballkanit. Me të drejtë Sh. Pllana konstaton se “Në shtjellimin e tematikës së Luftës së Kosovës të vitit 1389 këngët popullore shqiptare tregojnë, në krahasim me këngët popullore serbe, kroate, maqedonase dhe bullgare, në pjesën më të madhe të tyre, një pavarësi origjinale, por vende-vende shtjellojnë disa motive në mënyrë të ngjashme”[4]. Këtij mendimi i përmbahet edhe E. Mehmeti kur pohon se “Këngët shqiptare që shtjellojnë këtë ngjarje (Luftën e Kosovës – N. Ismajli) janë me dhjetëra dhe në krahasim me këngët serbe, kroate, bullgare dhe malazeze janë krijime të pavarura dhe origjinale edhe pse vende-vende trajtojnë ndonjë motiv në mënyrë të ngjashme”[5].
Natyrisht, për t’u pasur më e qartë se çfarë përfaqësojnë këto këngë, besojmë se këtu është e nevojshme që të shprehet shkurtimisht tematika që ngërthejnë ato te shqiptarët. Duhet thënë se përgjithësisht këto këngë funksionojnë si trajtesa në dy pjesë apo në dy aspekte të momenteve të rëndësishme të vetë ngjarjes historike. Pjesa e parë bën fjalë për mbledhjen e hordhive osmane dhe marshimin e tyre luftarak deri në Prishtinë, duke treguar ndodhi të ndryshme, si ëndrra që sheh sulltani dhe interpretimi i saj nga shpjeguesit e tyre; mbledhja e ushtrisë; kalimi i detit me anë të një rruge që hap sulltani duke i rënë atij me anë të një shkopi; pushtimi i Selanikut dhe i Shkupit, pengesa në Kaçanik dhe kapërcimi i saj. Ndërsa pjesa e dytë përcjell çastet që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me betejën e Fushë-Kosovës, si: kërkesa e sulltanit; prova me çikat, për t’iu bindur nënshtrimit osman; parandjenja e vrasjes së sulltanit; premtimi dhe mbajtja e fjalës nga Millosh Kopiliqi për të vrarë sulltanin; vajtja e krerëve të koalicionit te sulltani; vrasja e Milloshit dhe fluturimi i kokës së prerë, mallkimi ndaj dy shkinave dhe, së fundi, zënia e tij.
Nga gjithë sa thamë kuptohet se në epiqendër të këtyre këngëve vjen ngjarja historike, por kjo është në të vërtetë pikënisja e vetë këngëve. Por ka një veçori themelore kënga te shqiptarët. Ngjarja historike si e tillë do të ishte harruar apo nuk do të kishte pasur realizim artistik te shqiptarët thjesht si e tillë. Ajo dukuri që e bën këngën të pranueshme dhe të ruajtur për shqiptarët besojmë se ka të bëjë me faktin se pjesa e dytë e këngës lidhet kryesisht me figurën e Millosh Kopiliqit[6]. Kemi mendimin se pikërisht për të nxjerrë në pah vetëmohimin e një përfaqësuesi shqiptar të koalicionit janë krijuar këto këngë te shqiptarët, si dhe kanë mbijetuar ato në një vazhdimësi të gjatë kohore.
Pavarësisht prej diskutimeve të shumta rreth origjinës apo përkatësisë nacionale të Kopiliqit, për shqiptarët ai qëndron denjësisht si përfaqësues i tyre, si shprehës i trimërisë e i vetëmohimit, në ndryshim nga këngët e sllavëve ku kjo figurë nuk është kaq e rëndësishme. Për më tepër, edhe për ndonjë studiues të njohur të botës sllave, M. Kopiliqi është “në eposin shqiptar personalitet qendror”[7]. Me shumë nuhatje F. Arapi ka ditur të zbulojë pohime interesante edhe nga kënga popullore serbe. Ndër të tjera, ky studiues pohon se “Që Milosh Kopliliqi është shqiptar, këtë na e lë disi ta nënkuptojmë edhe vetë këngëtari popullor serb”[8]. Dhe në mbështetje të pohimit të vet, ky studiues sjell vargje nga një këngë serbe. Në të ndodhen dhe këto vargje: “…Përkundrejt vojvoda Miloshi,/ Dhe pranë tij dy vojvodë serbë,/ Njeri është Kosançiq Ivani,/ Tjetri është Toplica Milani”[9]. Dhe gjykimi i studiuesit shqiptar në këtë rast na duket shumë i gjetur, kur shtron pyetjen që s’kërkon përgjigje: “Përse këngëtari popullor të theksojë se pranë Miloshit qëndrojnë dy vojvodë serbë? Pse, Miloshi vetë, a nuk është serb”?[10] Studiuesit të vëmendshëm nuk i ka shpëtuar në këtë aspekt as dhe një fakt tjetër, shumë domethënës. Ai ka gjetur se si përkthyesi i eposit serb në rusisht, duke e ndjerë mendimin e brendshëm të këngëtarit popullor, në këto vargje e ka fshirë fjalën “serb”, duke i sjellë në këtë formë: “Kundrejt knjazit – vojvoda Milosh,/ Pranë tij ulur dy të barabartë”[11].
Besojmë se dhe nga sa u tha mund të arrihet në një mirëpranim të mendimit se Millosh Kopiliqi për shqiptarët përfaqëson identitetin e tyre. Është pikërisht kjo arsyeja që në këngët përkatëse kjo figurë disi legjendare zë vendin kryesor, kur dihet se historikisht si drejtues i koalicionit ishte princ Llazari. Por në të vërtetë, kjo figurë historike në këngët shqiptare mungon ose luan role episodike[12]. Por, vetë raportet që realisht ekzistojnë midis faktit historik dhe trajtimit artistik folklorik, janë të tilla që përcaktohen nga bashkësitë krijuese dhe qarkulluese, ndaj ato e shpjegojnë më së miri këtë diferencë midis faktit historik dhe mënyrës së trajtimit folklorik ndër shqiptarë, dallueshëm nga krijimet analoge të popujve të tjerë.
Gjithsesi, këtu nuk është rasti për t’u ndalur në veçoritë, karakteristikat dhe përbashkësitë e krijimeve të ndryshme folklorike në popuj të ndryshëm, gjë të cilën e kanë trajtuar një numër i konsiderueshëm studiuesish, midis të cilëve dhe studiues shqiptarë[13]. Ne na intereson shikimi i këngëve përkatëse shqiptare si një tip i veçantë i kësaj kënge në përgjithësi. Ndaj më tej do të ndalemi në trajtesa rreth këtyre këngëve, që kanë të bëjnë me kompozicionin, zhvillimin e fabulës në gjerësi epike, rrëfimin epik, formulësimet, përsëritjet epike, retardimet, si dhe mbushjen e tyre me lëndë epike historiko-mitologjike. Besojmë se përmes të gjitha këtyre këndvështrime të këngëve për Luftën e Kosovës më 1389, do të mund të argumentojnë bindshëm se ato përbëjnë një tip të veçantë të këngës epike historike shqiptare.
Te shqiptarët janë regjistruar deri më sot një numër këngësh që kanë në qendër të tyre pikërisht këtë luftë. Ato, ndonëse janë regjistruar vetëm duke filluar nga viti 1918, pra, relativisht vonë, duke njohur si regjistrim të parë realizimin e L. Nosit, pra jo në kohën më të mirë të qarkullimit të tyre folklorik, përfaqësojnë krijimtarinë popullore shqiptare për ngjarjen më të hershme të historisë sonë kombëtare, të njohur deri më sot. Edhe vetëm si të tilla, ato kanë rëndësi të posaçme në tërësinë e këngëve të epikës historike shqiptare. Por rëndësia e tyre është shumë më e madhe, në se do të mbanim parasysh edhe një fakt tjetër, që ka të bëjë me formimin prej tyre të një tipi të veçantë në tërësinë e epikës historike shqiptare. Ato vijnë si një kalim nga epika legjendare në epikën historike, ndaj besojmë se janë me shumë interes për të parë se si është bërë konkretisht ky kalim. Në këtë kuadër do t’i trajtojmë këto këngë, për të parë tiparet dhe karakteristikat e tyre kryesore, të cilat na shtyjnë në këtë përveçim, si një tip i mëvetësishëm i këngës historike shqiptare në përgjithësi.
Kompozicioni i këngëve
Interpretimi i vetë teksteve të këngëve për Luftën e Kosovës, i strukturës gjuhësore dhe asaj kuptimore, i mënyrës së rrëfimit epik, i strukturës së mesazhit artistik janë disa nga drejtimet që hedhin dritë në karakteristikat kryesore të këtyre këngëve, si dhe shprehin, krahas mjaft elementeve të tjera, që i kemi trajtuar apo do t’i trajtojmë më poshtë, specifikat në përcaktimin e vetë këtij tipi të veçantë të epikës historike shqiptare. Por të gjitha këto, në të njëjtën kohë, i shërbejnë ndriçimit të kompozicionit të këngëve që po analizojmë. Mund të themi se përmes shqyrtimesh të tilla, që e zbulojnë kompozicionin, që në thelb ka të bëjë jo vetëm me tekstin, por dhe me mënyrën e të kënduarit, duke qenë kjo e fundit shpesh herë edhe përcaktuese, zbulohet një pasuri e tërë, e sjellë përmes një kompozicioni të posaçëm. Kjo shpjegohet me faktin që fillesat e epikës historike nuk mund të mos përfillnin edhe përvojën krijuese poetike të epikës pararendëse, siç është epika legjendare. Këtu e gjejmë pikërisht atë kompozicion të veçantë të këngëve për Luftën e Kosovës, në raport me këngët e tjera të epikës historike.
Tashmë është pohuar nga folkloristë shqiptarë se në pikëpamje të strukturës kompozicionale këngët historike kanë tiparet e veta. “Në rend të parë ajo është këngë tregimtare me një strategji të veçantë narrative. Syzheu i saj zhvillohet në mënyrë lineare, duke kaluar nëpër faza të caktuara, që nga ekspozicioni e deri në përfundim”[14]. Një karakterizim i tillë do të thotë se kënga historike e përcjell temën që ka kapur vetëm në një linjë, nga fillimi deri në fund, pa hyrje e dalje të tepërta, pa gërshetime të dy a më shumë motiveve, pa degëzime të syzheve. Por te këngët për Luftën e Kosovës vihen re dhe dukuri jo tipike të këngëve historike, që kanë të bëjnë me kompozicionin e tyre. Këto këngë përgjithësisht përbëhen nga dy pjesë, në një kohë që po të kishim të bënim me një këngë të mirëfilltë historike do të kishim të tepërt edhe vetëm njërën prej tyre. Nga ana tjetër, në ndonjë prej këngëve kemi kalimin nga një hapësirë apo nga disa personazhe në një hapësirë apo te disa personazhe të tjera, gjë që nuk është tipike për këngët historike të mirëfillta. Këto të fundit e fillojnë trajtesën e tyre dhe e mbarojnë brenda së njëjtës koordinatë kohore dhe vendore.
Këngët e Luftës së Kosovës nuk e “respektojnë” këtë kërkesë të llojit folklorik që i përkasin në të vërtetë, por kanë huazuar përvojën krijuese sunduese në kohën e krijimit të tyre, që ka qenë kënga e epikës legjendare. Pikërisht këtu e shohim burimin apo shkakun që këto këngë kanë një gjatësi numerike të vargjeve aq të madhe, sa që padyshim, nuk është tipike për këngët historike, qoftë dhe në raport me ato që kanë vargje më të shumta. Në këngët që po shqyrtojmë kemi mbufatje të tyre, duke kaluar narracioni nga njëra situatë në një tjetër, ndonëse edhe këtu kemi të bëjmë me një vazhdimësi, me një vijë lineare të pandërprerë apo të padegëzuar dukshëm. Por në se do të kishim të bënim me një këngë të mirëfilltë historike, atëherë secili prej momenteve të sjella nga këto këngë do të përbënte një këngë të veçantë.
Për ta mbështetur pohimin tonë, do të thoshim se vetëm ndodhia në Shkup, ku një ushtar i sulltanit merr një mollë në bahçen e një vendaliu, të konsideruar haram, dhe për këtë shkak ushtria e sulltanit nuk përparon dot në luftimet e saj, do të mund të përbënte një këngë të veçantë në epikën e mirëfilltë historike, natyrisht, në rast se ajo do të përbënte një fakt të natyrës historike.
Edhe strukturimi i trajtimit të këngëve për luftën e Kosovës kalon nëpër disa momente, që janë karakteristike për këngët e kreshnikëve. Përveç një hyrje klishe, ashtu si dhe në këngët e kreshnikëve, në këto këngë vjen ekspozicioni i tyre, duke pasur pastaj shtjellimin e një fabule në një gjerësi të natyrës epike në përgjithësi. Arrihet në një pikë kulmore, pasi konflikti ka marrë përmasat reale, që në këngët që po shqyrtojmë lidhet me çastin e vrasjes së sulltanit nga ana e Millosh Kopiliqit. Në këtë mënyrë realizohet edhe zgjidhja e konfliktit, për të kaluar në mbylljen e secilës këngës. Fundi i heroit kosovar, në më të shumtën e varianteve, shënon dhe përfundimin e të gjitha këngëve që po trajtojmë. Por ka dhe ndonjë variant që e realizon përmbylljen e këngës me Sulltan Muratin, edhe përmes përdorimit të formulave tipike të eposit shqiptar të kreshnikëve. Me sa duket, edhe nga sa përmendëm këtu, kuptohet qartë se këngët për Luftën e Kosovës, në përmasa të caktuara, kanë shfrytëzuar mënyrat e kompozicionit, që janë tipike për këngët e kreshnikëve.
Këto argumentime që sollëm janë tregues të lidhjeve që ka midis këngëve për Luftën e Kosovës me këngët e kreshnikëve, për nga struktura e tyre. Vetë numri i vargjeve dëshmon bindshëm se këngët e betejës së 1389 janë më afër në strukturën e vet me këngët e kreshnikëve se sa me këngët e tjera të epikës historike shqiptare në përgjithësi. Kjo do të thotë se vetë struktura e këtyre këngëve, përveç të tjerash, i përcakton ato si një tip i veçantë i këngës historike shqiptare.
Duke bërë fjalë për këto lidhje të këngëve të Luftës së Kosovës me këngët e moçme epike, mund të krijohet përshtypja se raportet midis tyre janë aq të afërta, sa mund t’i përkasin të njëjtit grupim. Në të vërtetë, kemi të bëjmë, për sa i përket strukturës së këngëve, me lidhje të dukshme vetëm për nga elementet e qëndrueshme të ndërtimit epik apo nga parametrat e qëndrueshëm epikë[15]. Ndërsa kemi ndryshime të dukshme në lëndën epike që këto dy lloje folklorike trajtojnë, në mbushjen e secilit lloj me elemente të veçanta të natyrës epike. E theksojmë se, ndërsa për këngët e Luftës së Kosovës kemi dukuri karakteristike shtjellimin e një lënde që paraqitet e natyrës historiko-mitologjike, për këngët e moçme epike është karakteristik trajtimi i syzheve përrallorë, gojëdhanorë.
Por dihet se në ndërtimin strukturor tërësor të një krijimi folklorik, në procedimin dhe në formimin e njësive përbërëse, elementi më përcaktues është karakteri problemor tematik i tij. Dhe në këtë aspekt është për t’u theksuar se në këngët për Luftën e Kosovës, 1389, problemi kryesor tematik që ka dashur të përcjellë krijimtaria folklorike shqiptare përkatëse është pikërisht ngjarja historike. Kjo predispozitë kushtëzon temën, idetë, qëllimet, që janë elemente të fuqishëm organizues dhe disiplinues. Nga ana tjetër, përmbajtja e gjerë që pasqyrohet në këto këngë, që del jashtë shtratit të mirëfilltë të këngëve historike, ka zhdërvjelltësi në bashkërendimin e mundësive dhe të mjeteve të shprehjes. Pikërisht këtu besojmë se e kanë dhe bazën artistike të gjitha veçoritë dalluese të këngëve të Luftës së Kosovës[16], edhe si një tip i veçantë i epikës historike shqiptare.
Lidhur me kompozicionin e këngëve të Luftës së Kosovës, 1389, do të shtonim se ato nuk janë këngë me hyrje të drejtpërdrejtë në temën që shtjellojnë. Në se kënga e mirëfilltë historike shtjellon vetëm një temë, ky tip kënge nuk shtjellon një syzhe të njësuar. Kemi, gjithashtu, zhvillime të veprimeve apo paraqitje të situatave në mënyrë të qetë, të ngadalshme. Duket sikur ka një zvarrisje të përcjelljes së mendimit poetik. Të gjitha këto bëjnë që në mënyrë të dukshme të zgjerohet shumë secila këngë, duke i sjellë ato me vargje të shumta.
Është e kuptueshme se krijimet e kushtuara Luftës së Kosovës, me vetë tiparet dhe me specifikat e tyre, duke pasur një kompozicion jo tipik për këngët e mirëfillta historike, kanë dhe një zhvillim të fabulës që duan të përcjellin në një përmasë të gjerësisë epike. Nga që një dukuri e tillë ndikon së tepërmi edhe në kompozicionin e këngëve, po ndalemi më poshtë pikërisht te ajo, për të sjellë më konkretisht veçoritë tipologjike të këtij tipi kënge të epikës historike shqiptare.
Zhvillimi i fabulës në gjerësi epike
Këngët e Luftës së Kosovës paraqiten me një shumësi vargjesh, karakteristike për epikën e moçme. Vetë fabula e këtyre krijimeve përcillet në një shtrirje të natyrës epike. Duhet të pohojmë që në fillim të kësaj trajtese faktin se përgjithësisht këngët për Luftën e Kosovës, 1389, janë me një numër vargjesh relativisht të gjatë, duke shkuar ndonjëherë deri në afër 600 vargje[17]. Kjo u jep këngëve një proliksitet, gjë që është dukuri tipike për narracionin epik. Ka trajtesa të hollësishme, përshkrime të imta të ngjarjeve apo të proceseve nëpër të cilat kalon kënga. Të gjitha këto përcillen me një qetësi sublime, pa mburrje dhe sforcime, krejt lirshëm, të gjitha me burim në forcat e brendshme dhe të natyrshme të personazhit kryesor të këtyre këngëve, që është Millosh Kopiliqi. Për ta ilustruar këtë pohim, po sjellim këtu disa nga përmasat me të cilat vijnë këngë të ndryshme, edhe për të mbështetur mendimin se fabula e këngëve të Luftës së Kosovës zhvillohet në gjerësi epike.
Varianti i regjistruar në Mirosalë – Ferizaj numëron 459 vargje[18]. Si në të gjitha këngët e shqiptarëve, edhe këtu në pjesën e parë të saj i këndohet Luftës së forcave osmane, nën drejtimin e sultan Muratit, daljes së tij në tokat ballkanike, deri në Prishtinë. Ndërsa pjesa e dytë ka të bëjë me vetë luftën, kur Millosh Kopiliqi vret sulltanin dhe mbetet edhe vetë i vrarë nga turqit. Por për të përcjellë të dyja këto momente apo pjesë, në të cilat është thurur vetë fabula e krijimit, ka një gjerësi trajtimesh dhe shtjellimesh, që vërtet kanë përmasat e rrëfimit epik në përgjithësi. Kështu, vetëm syzheti i ëndrrës së sulltanit ngërthen 43 vargje, ndër të cilët 12 i takojnë vetë ëndrrës që ai ka pare, ndërsa në vargjet e tjera jepet shpjegimi apo kuptimi i saj.
Të së njëjtës natyrë janë pak a shumë edhe këngët e tjera të botuara deri tani. Kënga e shënuar në Polac të Drenicës ka 265 vargje[19]. Në të ëndrra zë 14 vargje, kurse shpjegimi i saj vetëm 3 vargje. Ndërsa varianti i shënuar në Shalën e Bajgorës – Vllahi[20], përcjell dy ëndrra. Së pari, jepet ëndrra që sheh krajlica, e cila përcillet në 20 vargje, kurse shpjegimi i saj zgjat 25 vargje, ndërsa pastaj jepet ëndrra e sulltanit në një numër vargjesh vërtet të shumtë, 32. Kjo mënyrë e sjelljes së vetë ëndrrës është aq e zgjatur, duke kaluar në paraqitjen e shqetësimit shumë të madh të sulltanit dhe pamundësisë për të mësuar diçka prej tij nga asnjëri prej drejtuesve të shtetit, deri sa guxon nëna e tij ta pyesë dhe të marrë përgjigje. Paraqitja e ekspozicionit të vetë këngës kaq gjatë është vërtet një dukuri e mirëfilltë e rrëfimit epik. Në të kundërtën, shpjegimi i ëndrrës së pare nga vetë sulltani jepet vetëm nëpërmjet dy vargjesh: “Mori none, ondërr un kam pamun: / M’ka ardh senja Kosovën me marrun”.
Por duhet thënë se ka dhe variante këngësh në të cilat kemi dhënien dhe interpretimin e ëndrrës vetëm në pak vargje. Kështu, kënga e shënuar në Rahovec – Drini, me 212 vargje[21], fillon edhe kjo direkt me ëndrrën e sulltanit, por këtë e realizon vetëm me nga dy vargje për ëndrrën dhe për shpjegimin e saj. E njëjta dukuri ndeshet edhe te kënga e shënuar në Karaçevë – Kamenicë[22], ku vetë ëndrra jepet në pak vargje: “O, ni andërr sulltani ma paka,/ Shumë marak sulltani m’u bajka./ “Edhe hana gjithë për ujë qi shkojka,/ Diqysh yjzit n’tokë qi janë ra,/ edhe dilli, ore, qi asht nalë”! Ndryshe ndodh me shpjegimin e saj, kur kjo realizohet me anë të 15 vargjeve. Nuk po marrim në konsideratë ndonjë variant tjetër të përfshirë në vëllimin që e kemi cituar deri tani, nga që nuk na duket krijim i mirëfilltë dhe paraqitet si një përjashtim nga paraqitja e përgjithshme e të gjitha varianteve të tjera të këngëve për Luftën e Kosovës.
Ndryshimet në numrin e vargjeve në variantet që pasqyrojnë ëndrrën dhe shpjegimin e saj besojmë se lidhen me vetë një seleksionim “natyror”, për shkak të qarkullimit shumë të gjatë, si dhe me shkallën e vetëvlerësimit nga interpretuesit, në vartësi të komuniteteve ku i kanë praktikuar, të nxitur nga faktorë të ndryshëm. Midis tyre, ndoshta dhe më të rëndësishmit, kanë të bëjnë me krahinën apo mjedisin ku është regjistruar kënga, me ndikimin apo me mosndikimin e fesë islame, me dëshirën apo mosdëshirën për t’u marrë me elementet biblorë apo kuranorë rreth ëndrrës, me preferencën ndaj njërës palë apo palës tjetër kundërshtare, pra, lidhet ngushtësisht me atë çka ka qenë më e vlershme, fillimisht për krijuesin popullor dhe pastaj për komunitetin ku është praktikuar krijimi. Me këtë duam të shpjegojmë faktin se përse njëri variant e paraqet më të plotë syzhetin e ëndrrës së sulltanit, si në të parë, ashtu dhe në të shpjeguar, ndërsa një tjetër merret më shumë me ëndrrën e krajlicës dhe nuk i kushton aq vëmendje ëndrrës së sulltanit. Në variantet e para mbizotëron ndikimi islamik, në tjetrin ky ndikim është më i kufizuar.
E njëjta gjerësi epike e zhvillimit të fabulës mund të thuhet se është e pranishme dhe për pjesën e dytë të këngëve për Luftën e Kosovës, lidhur me preferencat dhe vetë vlerësimet e krijuesit popullor, jo vetëm në kuptim të ngushtë të termit, por si përfaqësues i një komuniteti të caktuar, me tiparet apo me karakteristikat e krahinës, me shkallëzimet e ndryshme në formësimet dhe formulimet e shprehjes artistike me gjerësi të shtrirë epike etj.
Një vështrim më i drejtpërdrejtë i pjesëve të dyta të varianteve të ndryshme të këngëve për Luftën e Kosovës të bind për pohimin e mësipërm. Kështu, në variantin e përmendur më lart të regjistruar në Mirosalë të Ferizajt pohimin e Milloshit për vrasjen e sulltanit, si dhe pasqyrimin e vetë aktit të vrasjes, e gjejmë të pasqyruar në 35 vargje, duke theksuar se një vëmendje më e madhe i është kushtuar sulltanit, si aktor i rëndësishëm në këtë histori që e përcjell kënga: “Ky Milloshi, shumë azgan,/ E nxurr thikën e t’ja ka dhanë,/ Nrroi jetë aty ai sultan;/ Sulltani aty jetë ka ka nrrue,/ Millosh Kopiliqi e ka shkurtue./ Kqyr sulltani shka ka marue,/ I dashni i zotit ish kanë qillue,/ Kryet nër sjetëll e xhenazja ka fluturue,/ Ni pike gjak pej havasë n’tokë e ka lshue,/ Qaty tyrben ja kanë marue./ Xhenazja e tij apet n’Brusë a shkue,/ Sulltan Muratit kajka ju knue;/ Sulltan Murati kshu a kanë,/ Mos me kanë s’e kishin thanë”[23]!
Nëse ndalemi vetëm te vargu i fundit gjejmë në të atë vlerësim të theksuar që i bëhet personazhit të sulltanit në këtë variant. Kurse biseda e sulltanit me të vetët, lidhur me takimin me Milloshin, bashkë me fundin e tij të islamizuar dukshëm, jepen në 26 vargje. Pra, raporti në vargje mes dy personazheve, Milloshit dhe sulltanit, është35 me 26, me një diferencë prej 10 vargjesh. Ndërsa në variantin e shënuar në Polac të Drenicës, të cituar më lart, ky raport është shumë më i theksuar, duke i dhënë përparësi figurës së së Milloshit, lartësimit të tij, nga njëra anë, dhe pa u marrë me fare me islamizimin e figurës së sulltanit, nga ana tjetër, përkundrazi, ngjyrimi i kësaj figure anon më shumë nga dhënia e negacionit të tij. Më së miri këtë që pohuam e gjejmë të shprehur artistikisht p.sh., edhe në tablonë e paraqitjes së fundit të sulltanit: “Kom’n e shmajtë Sulltani ja ka dhanun./ Me ni dor, tha komën ja ka marrë,/ Poj, me tjetrën hanxhar i ka mshue,/ Zorr e mushkni n’tokë i kan’ ra,/ Izet e katër sahat Sulltani ka rrnue,/ Ather jetë Sulltani ka nrrue”[24]. (Duket sikur në këtë rast vërtetohet shprehja e përdorur në mjediset shqiptare, se gjësë së keqe nuk i del fryma kollaj).
Edhe në variante të tjera, edhe nga të botuarat së fundmi në Kosovë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, të cilat po i analizojmë, thjesht për të mos e rënduar tekstin me shumë citime të larmishme, është pak a shumë kjo situatë. Kështu, në variantin e shënuar në Shalën e Bajgorës, të cituar më lart, i kushtohet më pak rëndësi figurës së sulltanit, aq sa këngëtari nuk merret as me vdekjen e tij, por thjesht thotë: “Mejher shpirti mretin qi p’e lshon”[25]. E kundërta ndodh me përshkrimin e figurës së Milloshit, duke i kushtuar mbi 60 vargje, për të fokusuar trimërinë e tij, lartësimin e kësaj figure, natyrisht, shumë të dashur jo vetëm për këngëtarin. Të njëjtën dukuri ndeshim edhe në variantin e regjistruar në Rahovec. Në këtë këngë, ndonëse kemi pak më shumë vargje për vdekjen e sulltanit, duke sjellë faktin se atje nga fluturonte xhenazja ngriheshin tyrbe, ato ngërthejnë një ngjyresë negative: “E xhenazja e sulltanit fluturoi,/ Zorr e gjak ku pikon,/ Nga ni tyrbe, thojnë, e maron”[26]. Ndryshe operohet me dhënien e figurës së Milloshit, të cilit në këtë këngë i kushtohen përsëri mbi 60 vargje, që përcjellin artistikisht shumë vlera pozitive të tij.
Krahas, duhet thënë se ka dhe skena apo trajtesa të tjera në këto këngë, të cilat karakterizohen nga një shtrirje shumë e gjatë e dhënies së rrëfimit epik. Le të kujtojmë këtu vetëm ndonjë shembull. Po marrim në konsideratë për rastin konkret vetëm trajtimin e zgjatur se si mund ta pësojë e gjithë ushtria turke, për shkak të një veprimi haram, të ndërmarrë pa dashje nga një ushtar. Vetë zgjidhja e këtij problemi ze aq shumë vend në këngë, sa që errësohen apo zënë më pak shtrirje edhe momente të tjera më të rëndësishme.
Vetë prania e vargjeve të shumta, thjesht edhe në dhënien apo në pasqyrimin e figurave të ndryshme të këngëve të Luftës së Kosovës, dëshmon bindshëm për zhvillimin e fabulës në gjerësi epike. E bëjmë këtë pohim, pasi thjesht në një plan të kufizuar, siç është vdekja e personazheve, kemi të bëjmë me një shtrirje të narracionit epik aq të zgjeruar dhe të hollësishëm, sa që kjo gjë besojmë se është dëshmia më e mirë e vetë gjerësisë epike të këtyre këngëve që po trajtojmë.
Por, krahas këtyre që thamë, lidhur me këngët e Luftës së Kosovës, është e nevojshme që të realizojmë konkretisht edhe mënyrën e ndërtimit të këngëve, duke shfrytëzuar përvojën e epikës heroike legjendare. Siç dihet, për këtë të fundit janë tipike, ndër të tjera, praktikimi i formulave klishe, përsëritjet epike, si dhe retardimet, duke përbërë në tërësinë e tyre elemente të rëndësishme të ndërtimit të këngëve. Pikërisht këto elemente do t’i bëjmë objekt të trajtimit tonë në ndarjen e mëposhtme, duke besuar se do ta ndriçojmë më për së afërmi natyrën e këngëve kushtuar Luftës së Kosovës, 1389.
Rrëfimi epik, formulësimet, përsëritjet epike dhe retardimet si elemente të rëndësishme të ndërtimit të këngëve
Rrëfimi epik në këto krijime folklorike paraqitet duke shfrytëzuar format tipike të epikës kreshnike. Lidhjet midis kësaj kënge dhe këtij lloji folklorik janë shpjeguar përgjithësisht nga studiuesit me faktin se këngët për Luftën e Kosovës paraqesin një fazë kalimtare nga tradita legjendare në atë historike. Duke bërë pohimin e mësipërm, është e nevojshme që të shohim më për së afërmi se si përvetësohen apo dhe se si realizohen konkretisht disa elemente të epikës heroike legjendare nga këngët e Luftës së Kosovës.
Së pari, do të ndaleshim tek epizmi i këngëve kushtuar Luftës së Kosovës. Studiuesi J. Panajoti, duke bërë fjalë për epizmin në eposin e kreshnikëve, ndër të tjera, pohon se ai “e pasqyron jetën në formë tablosh të gjera objektive”. Duke sqaruar më tej këtë përcaktim, “objektive”, ai në vazhdim thekson: “…rapsodi shtiret sikur vetëm tregon objektivisht si kanë ndodhur ngjarjet, kurse në fakt ai mban një qëndrim të caktuar, qoftë edhe duke lënë atë të nënkuptuar”[27]. Mund të themi se e njëjta dukuri ndeshet edhe në këngët për Luftën e Kosovës. Kemi vërtet në këto këngë një gjerësi epike, ku nëpërmjet tablosh të gjera, të dhëna në një shumësi vargjesh, nënkuptohet se qëllimi i vërtetë i rapsodëve shqiptarë ka qenë dhënia e aktit vetëflijues të Millosh Kopiliqit, glorifikimi i qëndrimit dhe i veprimit të tij heroik.
Së dyti, do të ndaleshim te fryma heroike e këngëve kushtuar Luftës së Kosovës, 1389. Ndonëse tipi mbizotërues i mendimit poetik mbi bazën e të cilit janë krijuar këto këngë është ai historik, një rol shumë të madh luan edhe tipi i mendimit poetik legjendar. Ndaj konkretisht në këto këngë gjejmë një frymë me përmasa epike heroike, siç do të përmendnim këtu vetëdijen e Millosh Kopiliqit për vetësakrificën ekstreme, që kryen, në emër të qëndresës dhe të përballimit të situatës në të cilën ndodheshin. Kjo frymë heroike nuk vjen thjesht si një mburrje, por është e mishëruar në vetë mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit të këtij përfaqësuesi të shqiptarëve. Të gjitha sa thamë, e lidhin së brendshmi këtë tip kënge me këngët e kreshnikëve[28].
Së treti, do të shënonim operimin dhe me anë të elementeve të natyrës legjendare. Në këngët për Luftën e Kosovës gjejmë jo pak elemente të natyrës legjendare, të tilla, si: shikimi i ëndrrës dhe parathënia e saj; hapja e rrugës nëpër det, me rënien me shkop nga ana e sulltanit; fluturimi dhe të folurit e kokës së prerë etj. Të gjitha këto momente janë shumë të rëndësishme në këto këngë, aq sa ato nuk mund të kuptoheshin pa operimin me elemente të tilla me zanafillë mitologjike.
Krahas sa thamë, lidhur me rrëfimin epik në këngët për Luftën e Kosovës, ka edhe elemente të tjera përbashkuese midis këtij tipi të këngës historike me këngët e eposit të kreshnikëve, që në fund të fundit, janë shfrytëzim i mjeteve artistike pikërisht të këtij eposi, për të mos thënë edhe më gjerë nga folklori shqiptar. Kështu, midis elementeve tipike të eposit heroik legjendar te shqiptarët është konsideruar praktikimi i formulave klishe apo formulësimeve më në përgjithësi, i përsëritjeve të natyrave të ndryshme. Këto janë karakteristike jo vetëm për fillimet dhe mbylljet në përgjithësi të këngëve, por edhe në trup të teksteve të tyre.
E njëjta dukuri ndeshet edhe në këngët për Luftën e Kosovës. Do të përmendnim si më tipike, fillimisht, ëndrrat që sheh sulltani dhe shpjegimin e tyre, si parathënie për Betejën e Kosovës, që do të ndodhë jo fort larg në kohë. Hyrje të tilla klishe, të kësaj natyre, nuk janë tipike për këngët e mirëfillta të epikës historike. Realisht, ëndrrat në krijimet që po shqyrtojmë luajnë rol shumë të rëndësishëm, pasi, duke shërbyer si ekspozicion i secilës këngë, ato e orientojnë të gjithë këngën në zhvillimin e fabulës së tyre në gjerësi epike. Kemi të bëjmë në fakt, me të njëjtën mënyrë procedimi si te këngët e kreshnikëve, ku ëndrrat parathonë se çfarë do të ndodhë, duke shërbyer si mjet artistik për zhvillimin e veprimit më tej[29]. Sa për mbështetje praktike të mendimit që e shprehëm më lart, po ndalemi vetëm në një rast nga këngët e kreshnikëve, kur ëndrra parathotë se çfarë ka ndodhur: “-Çou, Halil, e kryet ti mos e çosh!/ ‘I andërr t’zezë, Halil, qi e kam pa,/ ‘I llavë e madhe prej bjeshket a ra,/ Të dy gjogat hanger qi na i ka./ Kullat vetëm, djalë, i kem’ lanë,/ Drue se krajli djegë na i ka”[30]. Dhe, në të vërtetë, pas kësaj, kemi zhvillimin e fabulës pikërisht në këtë linjë që parathotë ëndrra.
Rrëfimi epik në këngët për Luftën e Kosovës realizohet edhe përmes përdorimit të një numri mjetesh të marra apo huazuar nga poezia popullore tradicionale. Krahas praktikimit të klisheve, midis tyre, do të theksonim dhe rolin që luajnë: përsëritjet e ndryshme (të natyrës së anaforës, epanalepsës, epanastrofës apo dyzimit), antitezat. Ndonjë prej tyre, siç është përsëritja, figurë stilistike që lidhet me praktikimin e së njëjtës fjalë ose fjali radhazi ose në largësi të vogël, praktikohen si parafabrikate, kur në këngë ka përsëritje të situatave, gjendjeve të caktuara. Krahas një lloj fryrjeje të rrëfimit, këto përdorime sjellin edhe një efekt të dukshëm të natyrës emocionale.
Duke i pare në një mënyrë më të përmbledhur të gjitha elementet e kompozicionit të këngëve të Luftës së Kosovës, mund të arrijmë në përfundimin se ato, duke shfrytëzuar dhe përfshirë në praktikën e tyre përvojën poetike të këngëve të kreshnikëve dhe më gjerë, të folklorit shqiptar në përgjithësi, kanë krijuar një tip të ri krijimesh që përcjellin dukshëm një përvojë të re krijuese, e cila ka të bëjë me gërshetimin e përvojës krijuese ekzistuese me pasqyrimin e një tematike të mirëfilltë historike. Pikërisht në këtë gërshetim gjejmë edhe të gjitha elementet e dukshme përbashkues dhe përveçues për eposin e kreshnikëve dhe epikën historike që bën fjalë për Luftën e Kosovës, 1389. Në të njëjtën kohë, këtu gjejmë ato karakteristika, që na shtyjnë ta cilësojmë këtë lloj kënge si një tip të veçantë të epikës historike shqiptare në përgjithësi. Por këtu nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes edhe rolin e madh që ka luajtur në këto këngë, edhe për një cilësim të tyre si një tip i ve, edhe për një cilësim të tyre si një tip i veçantë kënge, mpleksja, fuzionimi i lëndës historike me atë mitologjike. Nisur pikërisht nga roli që luajnë në këto këngë pikërisht mpleksje të kësaj natyre, më poshtë po i bëjmë objekt më të gjerë të trajtimit tonë.
Mbushja e këngëve me lëndë epike historiko-mitologjike
Këngët për Luftën e Kosovës paraqiten, siç e kemi thënë edhe më lart, si një krijimtari që ndërlidh dy lloje të epikës, siç janë epika legjendare dhe epika historike, apo janë një kapërcyell kalimi. Kemi në këto këngë, të praktikuara me pesha të ndryshme specifike, si karakteristika të epikës legjendare, ashtu dhe të epikës historike. Në to gjejmë p.sh., midis elementeve të epikës legjendare veçori të tilla, si: epizmi; fryma heroike dhe legjendariteti. Ndërsa midis elementeve të epikës historike do të theksonim, ndër të tjera, veçori të tilla, si: vërtetësia e ngjarjes themelore, për të cilën bën fjalë kënga; mjedisi historik në të cilin zhvillohen ngjarjet dhe operimi me ndërgjegjen poetike historike.
Duke qenë se pikërisht kjo “përzierje” krijon një tip të veçantë të epikës historike shqiptare në përgjithësi, besojmë se është e rëndësishme që, krahas, të shihen edhe raportet reale të lëndës epike historike me atë mitologjike, karakteristike për epikën legjendare. Deri më sot janë realizuar trajtesa të ndryshme që kanë nxjerrë në pah afërsitë dhe dallimet e këngëve të Luftës së Kosovës me këngët legjendare. Kështu, të parat Lamberci i quante epe të shkurtra. Kjo do të thotë se ai i shihte shumë qartë ndërlidhjet midis këtyre dy llojeve të ndryshme folklorike. Në një mënyrë të veçantë e shpreh këtë lidhje D. Shala. Ai, duke bërë fjalë për evoluimin e këngëve për Luftën e Kosovës, thotë dhe se “…ato këngë edhe evoluuan me të madhe, u veshën me një rrobë legjendare, mënjanuan nga të dhënat historike dhe, invadimin turk e pasqyruan si një marshim të shenjtë për të përhapur muhamedanizmin ndër të krishterë”[31]. Ndërsa A. Uçi shprehet kështu: “… edhe epika historike nuk është krejtësisht e shkëputur nga ndikimi i epikës legjendare. Ajo përfshin në vetvete edhe disa cikle, si ai i Luftës së Kosovës, ai i Skënderbeut ose si mjaft këngë të arbëreshëve, që kanë elemente mitologjike, legjendare, përrallore”[32]. Për më tepër, i njëjti studiues sjell mendimin e vet dhe lidhur me mundësinë apo burimin e këtyre ndikimeve reciproke, kur thotë se “Bashkëjetesa e epikës legjendare dhe e epikës historike i ka bërë të mundshme ndikimet e tyre të ndërsjella: elemente të epikës historike kanë depërtuar në epikën legjendare, por dhe kjo ka ndikuar mbi epikën historike. Bashkëjetesa për një kohë të gjatë në disa raste ka sjellë edhe një lloj “përzierje” dhe ka zbehur “pastërtinë” e zhanrit, që e vështirëson pjesërisht edhe klasifikimin e disa këngëve, sidomos të atyre të ciklit të Luftës së Kosovës ose të folklorit të arbëreshëve të Italisë”[33]. E. Mehmeti, duke bërë fjalë për raportet e këngëve të Luftës së Kosovës me epikën e moçme shqiptare, pohon: “Pikërisht, elementet e qëndrueshme të ndërtimit epik apo parametrat e qëndrueshëm epikë e afrojnë këtë tip të këngës historike me këngët e moçme epike”[34]. Për më tepër, ky studiues realizon më konkretisht edhe dallimet apo ndryshimet konkrete të këtyre dy llojeve të krijimeve epike, duke e vënë theksin në faktin se “Ndryshime midis këngëve të moçme epike dhe këtij modeli (studiuesi e ka fjalën për këngët e Luftës së Kosovës – N. Ismajli) dalin më tepër në mbushjen epike, në lëndën epike që shtjellojnë se sa në mjetet e teknikës epike. Kështu, përderisa këngët e Betejës së Kosovës mbushen me lëndë epike historike – mitologjike nga një ngjarje e madhe historike midis lindjes dhe perëndimit, këngët e moçme epike, gjegjësisht këngët kreshnike shtjellojnë syzhe përrallorë-gojëdhënorë, aq sa disa prej tyre mund të quhen përralla në vargje”[35].
Ndaj më poshtë, për të nxjerrë më në pah konkretisht disa nga lidhjet këngë të Luftës së Kosovës – këngë të kreshnikëve apo dhe më gjerë, me krijimet e epikës legjendare në përgjithësi, që e përcaktojnë këtë lloj kënge si një tip të veçantë brenda epikës historike shqiptare, do të analizojmë pikërisht këtë ndërthurje të elementeve kryesore të epikës legjendare dhe asaj historike në këngët për Luftën e Kosovës. Krahas, do të shohim edhe disa elemente të natyrës së mirëfilltë mitologjike në këngët për Luftën e Kosovës, që i paraqesin këto krijime “një model hibrid të këngës historike me elemente të përziera historike dhe legjendare, një gërshetim të tipit të mendimit poetik historik dhe mitologjik”[36].
E rëndësishme është të theksojmë se, ndonëse këngët për Luftën e Kosovës i përkasin apo i përfshijmë në epikën historike, në të vërtetë, syzheu i këngëve “zhvillohet kryesisht në plan mitologjik dhe legjendar”[37]. Nga kjo nuk kemi pse shqetësohemi, pasi, në fund të fundit, këtu e gjejmë pikërisht dhe mundësinë apo bazën kryesore për të përcaktuar një tip të veçantë të epikës historike shqiptare. Ndaj shikimi i këtyre elementeve të natyrës mitologjike dhe legjendare, të cilat janë të pranishme në këngët për Luftën e Kosovës, në raport me dukurinë historike, është me rëndësi, pasi i përveçon të argumentuara këto këngë si një tip i posaçëm në tërësinë e këngëve historike shqiptare. Konkretisht do të thoshim se të kësaj natyre janë elemente të tilla, si: funksionimi i ëndrrës, kalimi i detit nga ushtria pas rënies me shkop, fluturimi i kokës së prerë.
Tashmë nga të gjithë studiuesit e fushave të ndryshme, historianë, folkloristë etj. është provuar dhe është pranuar se Lufta e quajtur e Kosovës përfaqëson një ngjarje reale, konkrete. Natyrisht, distancimi kohor e ka veshur këtë ngjarje historike me një vel sa real aq dhe fantastik. Mungesa e dokumenteve historike në një masë të konsiderueshme ka bërë që krahas të vërtetave historike, të ketë edhe një numër veshjesh të natyrës së hiperbolizuar apo fantastike, bazuar nga këndvështrime të caktuara. Kjo situatë e tablosë historike ka bërë që aq më tepër në krijimtarinë përkatëse folklorike të ketë një mpleksje të reales me fantastiken.
Midis elementeve reale, të natyrës historike në këngët për Luftën e Kosovës do të përmendnim vetë ngjarjen e mirëfilltë historike, që është në qendër të këtyre krijimeve folklorike. Kjo do të thotë se këngët bëjnë fjalë për një ngjarje reale, të zhvilluar në një kohë dhe në një vend të caktuar, që ka protagonistë realë, konkretë, që i njeh dhe i pranon vetë historia. Por në se kemi të bëjmë në këtë rast me të vërtetën historike, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për pasqyrimin në përgjithësi të vetë ngjarjes historike. Duhet thënë se këtyre krijimeve të epikës historike u kanë ardhur në ndihmë apo janë shfrytëzuar përvojat krijuese, elemente të huazuara nga epika legjendare, apo nga krijime të tjera folklorike me zanafillë shumë më të hershme. Ndaj ne gjejmë në këngët për Luftën e Kosovës mpleksje të reales me arealen, të historikes me mitologjiken. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet mbushja e këtyre këngëve me lëndë epike historiko-mitologjike. Besojmë se një ngjarje kaq e hershme mund të pasqyrohej vetëm përmes ndërthurjeve të kësaj natyre, për të sjellë realitetin e proceseve krijuese në atë kohë të kalimit nga epika legjendare në epikën historike shqiptare.
Për të dalë edhe më e qartë ideja e formimit të një tipi të veçantë në kuadrin e epikës historike shqiptare, besojmë se është e nevojshme që të shihen më për së afërmi elementet e natyrës mitologjike. Do të donim të fillonim analizën rreth këtyre elementeve, disa prej të cilëve sjellin përbashkësi dhe me krijime të tjera folklorike, siç janë këngët e kreshnikëve, pikërisht me rolin që luajnë ëndrrat si në eposin heroik legjendar shqiptar, ashtu dhe në variantet e këngëve të Luftës së Kosovës. Në se tek të parat kemi të identifikuara në një sërë rastesh parathënien e ndodhive përmes shikimit të ëndrrave dhe shpjegimit të tyre, të njëjtën dukuri kemi dhe në këngët për Luftën e Kosovës. Le të sjellim këtu në vëmendje disa nga rastet që në këngët e kreshnikëve kemi të bëjmë me motivin me rëndësi syzheike të ëndrrës[38]. Kujtojmë këngë të tilla si:
Pothuajse dhe në të gjitha variantet e shënuara deri më sot për Luftën e Kosovës ndër shqiptarë e kemi të pranishme ëndrrën. Në më të shumtën e rasteve atë e sheh sulltani, ndërsa në ndonjë variant të vetëm e sheh krajlica. Varianti i parë i botuar ka pikërisht në epilogun e vet, përveç dhënies së kryerjes së një praktike fetare islame nga ana e sulltanit, një përshkrim të ëndrrës, e cila shërben edhe si një prolog dhe pikë lidhëse në zhvillimin e motivit të këngës[39]. Vetëm pas dhënies së vetë ëndrrës, kënga sjell zhvillimin logjik të gjithçkaje që do të ndodhë. Mendojmë se pikërisht për këtë rol dhe rëndësi që paraqet, shpjegimi i vetë ëndrrës zgjat nga vargu 27 deri te vargu 39, si një parandjellëse të gjithçkaje që do të ndodhë në të ardhmen. Duhet shënuar se vetë sulltani përcjell një psikologji të caktuar, shprehëse të mendimit shoqëror ekzistues, që besonte në botën e ëndrrave. Ndaj ai me ngut kërkon shpjegimin e ëndrrës që ka parë dhe pas kësaj vendos të veprojë në përputhje me shpjegimin apo me interpretimin e ëndrrës.
Të kësaj natyre janë dhe shumica e varianteve të tjera, po të veçonim këngën “Lufta e Kosovës”[40], ku krahas ëndrrës që sheh sulltani (vargjet 108 – 149), jepet fillimisht ëndrra që sheh krajlica (vargjet 48 – 109). Vetë dhënia dhe shpjegimi i ëndrrave njëra pas tjetrës në vargje relativisht të shumta, lë të kuptosh rolin që ato kanë luajtur në krijimet përkatëse të Luftës së Kosovës. Ndërsa shënojmë, nga njëra anë, praninë e ëndrrës në këngët e epikës historike për Luftën e Kosovës më 1389, nga ana tjetër, kjo nuk është një nga dukuritë karakteristike të epikës historike në përgjithësi. Edhe në se ka ndonjë rast që përmendet ëndrra në ndonjë krijim tjetër të epikës historike, ajo nuk vjen me këto funksione që e shpjeguam për këngët e Luftës së Kosovës.
Shenjat që shihen në ëndrra janë përfaqësuese të një simbolike të caktuar. Ato vijnë nga periudha të hershme të shoqërisë njerëzore dhe shprehin konceptime, përfytyrime të caktuara. Gjithsesi, ato paraqiten në krijimet më të hershme folklorike, në përralla, këngë të kreshnikëve etj. Por assesi nuk janë tipike për këngët e natyrës së epikës historike. Fakti që ëndrrat dhe funksionimin e tyre e ndeshim vetëm në këngët për Luftën e Kosovës do të thotë se kemi të bëjmë me një periudhë kalimi nga një lloj folklorik në një tjetër, konkretisht nga epika legjendare në epikën historike. Këto krijime të epikës historike realisht kanë shfrytëzuar elemente të epikës legjendare, duke i trupëzuar natyrshëm në atë fazë kalimi.
Të kësaj natyre do t’i konsideronim edhe disa elemente të tjera që ndeshen në këngët për Luftën e Kosovës, si ndikim apo marrje nga poetika e epikës legjendare. E tillë është p.sh., mënyra e paraqitur në këto këngë për kalimin e detit nga ushtria e sulltanit. Duke pasur frikë nga ndonjë rrezik për kalimin e detit me anën e varkave, apo në mungesë të tyre, siç na i sjellin vetë këngët, sulltani përdor një “forcë magjike”. Ja se si e gjejmë në vargjet e njërës prej këtyre këngëve këtë moment: “Aty sulltani si tellall po bërtet-e:/ -Ktu gjemi, bab-o, nuk po kemi,/ Un’, në kofsha hak edhe sultan,/ Mu duaja kabull qi m’bahet./ Edhe detit n’shkop na j paska sjellun,/ për dy ant rrugën ma ka çelun,/ E jasqerin për ta ma ka qitun”[41]. Por këtë forcë magjike, pavarësisht dozave të shtuara, të lidhura apo të shpjeguara me burime nga besimi fetar monoteist, e gjejmë të jetë e pranishme dhe të rëndësishme edhe në lloje të tjera folklorike, si p.sh., në përralla. Mund të themi me bindje se në këtë rast kemi të bëjmë me një motiv përrallor të shfrytëzuar edhe nga këto krijime të epikës historike, në fillesat e jetës së këtij lloji folklorik.
Një element tjetër të huazuar në këngët për Luftën e Kosovës nga mendimi mitologjik e shohim, në përgjithësi, pikërisht te fundi, i këtyre këngëve, kur koka e prerë e Miloshit fluturon në hava, shkon për t’u bashkuar me trupin e vet. Le të kujtojmë këtë moment përmes disa vargjeve të shkëputura nga një prej këtyre krijimeve: “Ather Milloshit kryet ja shkurtojn./Qyr ça boni Millosh Obiliqi,/ Kryet e vet nër sjetull p’e kap,/ Ja ka msymun, he, Kisello Banjës,/ Merrke rrugën-o rrept qi po ik,/ M’e lye kryet, apet me ju shnosh./ Dy sahat, more, pa krye ka ik./ Kur p’e ni çik e ni grue”/ -Qyre non, mori, ni njeri pa krye!/ Hem Milloshin shpirti e ka lshue”[42]. Kjo është një nga skenat më të denja të pasqyrimit të mendimit mitologjik në përgjithësi. Por kënga nuk mjaftohet vetëm me kaq. Koka e Milloshit jepet duke duke mallkuar atë që e pengoi të bashkohej me trupin: “Un’ pa krye, çik, e ti njeri pa sye”[43]! Të duket se vërtet ke të bësh me elemente të besimit mitologjik, ku veprimet e figurave mitologjike bëheshin në fshehtësi dhe nuk duhej të zbuloheshin nga të tjerët. Këtë mesazh duket se e përcjellin vargjet e mëposhtme: “Ather, tha, Milloshi n’u rrxue;/ N’at ven çika edhe m’o qorrue”[44].
Krahas sa thamë, mund të ndaleshim edhe në ndonjë element tjetër karakteristik për epikën legjendare, që është shfrytëzuar edhe nga këngët për Luftën e Kosovës, ndonëse jo me funksione të njëjta. Le të sjellim këtu si diçka më përfaqësuese daljen në skenë të gjarprit. Në ndonjërin nga variantet e botuara gjejmë këtë figurë totemike jo në veprimin e mirëfilltë të saj, por si pengues të ringjalljes së Millosh Kopiliqit: “Ni shkinë aty ish ka,/ Thotë: -N’dashi Milloshin me ba si a ka,/ N’aksham kasha ktu me fillue,/ Në sabah për me marue!/ Qashtu kishën e kanë fillue,/ E temelin ku ja kanë çue,/ Ni gjarp`en ish kanë dale/ Edhe punën jau ka nalë;/ S’po le kishën me u marue/ Dhe Milloshi jetë ka nrrue”[45]!
Nga sa thamë deri tani lidhur me këngët për luftën e Kosovës duket qartë se në të gjitha elementet përbërëse të tyre, si: kompozicioni, zhvillimi i fabulës, lloji i rrëfimit, praktikimi i formulësimeve, përsëritjeve epike, marrja dhe përvetësimi i elementeve apo i lëndës mitologjike, kemi të bëjmë me operimin nga ana e këngës historike edhe me shfrytëzim të mjeteve, elementeve të huazuara nga mitologjia, si në mënyrë të drejtpërdrejtë prej saj, ashtu dhe me anë të shfrytëzimit të përvojës krijuese të llojeve të tjera folklorike, që e kanë në natyrën e tyre operimin me elementet dhe figurat e natyrës mitologjike. Dhe, për hir të së vërtetës, të duket se ka një mbingarkesë mitologjike aq të madhe në këto këngë, sa që të duket se mos ke të bësh me krijime të epikës legjendare. Por në të vërtetë, mëdyshjet se mos vallë tërësia e këtyre elementeve të natyrës mitologjike në këngët për Luftën e Kosovës u heq këtyre krijimeve të drejtën për të qenë krijime të epikës historike nuk qëndrojnë. Një pohim të tillë e bëjmë nisur nga fakti se në krijimet e epikës legjendare nuk kemi të bëjmë me pasqyrim historik të ngjarjeve konkrete. Pra, në atë kohë që janë krijuar dhe kanë qarkulluar këto krijime nuk ka pasur njohje artistike historike. “Në stade të tilla zhvillimi realiteti historik përthyhet përmes mendimit poetik mitologjik, përrallor, legjendar dhe vetëm më vonë kristalizohet vetëdija historike kolektive e popullit, që lind si mohim i të parit”[46]. Dhe pikërisht në këtë raport i gjejmë këngët për Luftën e Kosovës me këngët e epikës legjendare. Është koha kur ka filluar ndërgjegjja historike, ndaj njohja dhe pasqyrimi artistik është në bazë të këtyre krijimeve, duke shfrytëzuar edhe përvojën poetike krijuese të epikës legjendare. Qëllimi i vërtetë i krijuesve dhe i mjediseve qarkulluese të këngëve për Luftën e Kosovës ka qenë pasqyrimi i një ngjarje konkrete historike, me personazhe reale, të dokumentuara historikisht, krahas dhe figurave të krijuara, gjë që është dukuri plotësisht e përligjur për krijimet artistike në përgjithësi.
Pikërisht në këtë pasqyrim të një ngjarje të vërtetë historike, duke shfrytëzuar edhe përvojën e poetikës krijuese legjendare, e gjejmë mbështetjen dhe njëkohësisht të drejtën për ta specifikuar këtë krijimtari që ka të bëjë me Luftën e Kosovës, 1389, si një tip të veçantë të epikës historike shqiptare në përgjithësi. Natyrisht, shfrytëzime si këto që përmendëm nga krijime të caktuara të epikës historike i gjejmë dhe në raste të tjera, por jo në këto përmasa dhe që të luajnë një rol aq të madh, saqë të ndikojnë dhe në poetikën e vetë krijimeve. Këngët për Luftën e Kosovës, 1389, mbeten rasti më tipik i shprehjes së ndërlidhjeve epikë legjendare – epikë historike, i papërsëritshëm në faza të tjera të vetë zhvillimit të epikës historike shqiptare, ndaj ato formojnë një tip të veçantë, në kuadër të epikës historike shqiptare.
Marrë nga numri 24 i revistës “Akademia”
[1] Shih Sh. Pllana, Epika popullore shqiptare mbi luftën e Kosovës, studime në fushë të folklorit, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë, 2004, f. 231.
[2] F. Arapi, Kënga popullore shqiptare mbi luftën e Kosovës 1389, çështje të folklorit shqiptar 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1986, f. 179.
[3] Shih më gjerë citimet e sjella, po aty, f. 179-190.
[4] Po aty, f. 233.
[5] E. Mehmeti, Veçori tipologjike të këngëve historike, SNGJLKSh, nr. 26/2, Prishtinë, 2007, f. 655-661.
[6] Shih më gjerë, po aty, f. 242-243.
[7] V. Çajkanoviç, Motivi prve arnautske pesme e boju na Kosovu, Arhiv za arbansku starinu, jezik i etnologiju, libri I, vëll. 1-2, Beograd, 1923, f. 68.
[8] F. Arapi, punim i cituar, f. 190.
[9] Po aty, f. 191.
[10] Po aty.
[11] Po aty.
[12] V. Çajkanoviç, punim i cituar, f. 243.
[13] Midis tyre do të veçonim emra të tillë, si: Sh. Pllana, Q. Haxhihasani, F. Arapi etj., të cilët kanë hedhur dritë në raportet përkatëse të këngëve te shqiptarët dhe te popuj të tjerë të Ballkanit.
[14] E. Mehmeti, vepër e cituar, f. 153.
[15] Shih më gjerësisht E. Mehmeti, kumtesë e cituar, f. 2.
[16] Shih më gjerësisht R. Brahimi, Veçori tipologjike e strukturore të eposit të kreshnikëve, Çështje të folklorit shqiptar 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës popullore, Tiranë, 1986, f. 128.
[17] D. Shala, vepër e cituar, f. 18.
[18] Këngë popullore historike I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2007, f. 27-40.
[19] Po aty, f. 41-48.
[20] Po aty, f. 49-65.
[21] Po aty, f. 66-72.
[22] Po aty, f. 73-75.
[23] Po aty, f. 40.
[24] Po aty, f. 48.
[25] Po aty, f. 63.
[26] Po aty, f. 70.
[27] J. Panajoti, Eposi shqiptar i kreshnikëve, Gjurmime albanologjike – Folklor dhe etnografi, f. 33-34, 2003-2004, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2005, f. 33.
[28] Shih më gjerë, po aty, f. 34-35.
[29] Shih p.sh., Folklor shqiptar II : Epika legjendare, vëllimi i parë, Instituti i Folklorit, Tiranë, 1966, f. 109, 191, 553 etj.; vëllimi i dytë, Tiranë, 1983, f. 39 etj.
[30] Po aty, vëllimi i parë, f. 191.
[31] D. Shala, Mbi epikën tonë popullore historike, Rilindja, Prishtinë, 1982, f. 16.
[32] A. Uçi, punim i cituar, f. 22-23.
[33] A. Uçi, punim i cituar, f. 22.
[34] E. Mehmeti, punim i cituar, f. 2.
[35] Po aty, f. 3.
[36] Po aty, f. 4.
[37] Po aty, f. 3.
[38] Përdorur sipas emërtimit që e kemi gjetur te Sh. Pllana, vepër e cituar, f. 233.
[39] Epika historike 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1983, f. 50-59.
[40] Këngë popullore historike I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2007. f. 49-65.
[41] Epika historike 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1983, f. 51.
[42] Këngë popullore historike I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2007, f. 64-65.
[43] Po aty.
[44] Po aty.
[45] Po aty, f. 71-72.
[46] A. Uçi, punim i cituar, f. 10.



