
Kërkesë për paraburgim ndaj dy të pandehurve për shitëblerje të narkotikëve
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik se ndaj të pandehurve me inicialet N.H., dhe O.J., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet N.H., dhe O.J., më datë 20.08.2025, rreth orës 23:45, në Gjakovë rr. “14 Qershori”, duke vepruar në bashkëkryerje pa autorizim posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që derisa kanë qenë në vendin e lartcekur dhe pasi vërejnë patrullën e policisë, të pandehurit menjëherë hedhin në tokë një qese najloni me substancë narkotike në peshë prej 11.90 gr, një peshore digjitale dhe një mulli i vogël, si dhe dy qese najloni me substancë narkotike me peshë prej 1.52 gr, dhe me qëllim të kontrollimit dhe sigurimit të provave, nga ana e hetuesve në mënyrë urgjente është kryer kontrolli dhe bastisja në shtëpitë e të pandehurve, me ç’rast te shtëpia e të pandehurit të parë janë gjetur një qese najloni me substancë narkotike në peshë prej 11.90 gr dhe një qes najloni në peshë prej 6.27 gr, ndërsa në shtëpinë e të pandehurit të dytë është gjetur një qese najloni me substancë narkotike në peshë prej 10.91 gr, të gjitha të dyshuar për substancë narkotike të llojit marihuanë në peshë të përgjithshme prej 42.5 gr, të cilat janë sekuestruara nga hetuesit policor.
Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge në bashkëkryerje nga neni 267 par.1, lidhur me par.31 të KPRK-së.
Të pandehurit që nga data 20 gusht 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.