Kërkime mbi historinë e hershme shqiptare (1936)

28 shtator 2025 | 10:52

Historiani gjerman, Georg Stadtmüller (1901–1985), studioi filologji klasike dhe histori evropiane në universitetet e Frajburgut dhe Munihut, ku përfundoi doktoratën dhe punoi për dy vjet në Bibliotekën Shtetërore të Bavarisë. Rreth vitit 1935 udhëtoi në këmbë nëpër Shqipëri – gjatë rrugës për në Stamboll – dhe, në vitin pasues, përfundoi tezën e tij të rëndësishme të habilitimit, Forschungen zur albanischen Frühgeschichte (Kërkime mbi historinë e hershme shqiptare), Breslau/Vroclav, 1936, për të cilën është më së shumti i njohur. Kjo tezë, e botuar në Budapest në vitin 1942 dhe e ribotuar në Vizëbaden në vitin 1966, gjurmon origjinat e popullit shqiptar në rajonin e Matit dhe ofron shumë materiale që nxisin një reflektim mbi çështjen e ndërlikuar të etnogjenezës shqiptare. Fragmenti i mëposhtëm nga libri, përmbledh thelbin e tezës së tij.

Nga: Georg Stadtmüller[1]
Përktheu në anglisht (nga gjermanishtja): Robert Elsie
Përktheu në shqip (nga anglishtja): Agron Shala

Periudha e hershme shqiptare (epoka romake dhe bizantine e hershme)

Ngjarja themelore në historinë e hershme të popullit shqiptar ishte transformimi i madh që ata përjetuan kur fiset para-shqiptare u romanizuan pjesërisht nën ndikimin e jashtëzakonshëm të kulturës perandorake romake dhe të gjuhës së Romës perandorake. Mu në këtë periudhë ndodhi që fiset e ndryshme shqiptare u bënë për herë të parë popull dhe arritën të ruanin gjuhën e tyre në valën përfshirëse të romanizimit që gëlltiti të gjitha gjuhët e tjera të lashta ballkanike. Ajo që dimë mbi historinë e gjuhës shqipe na lejon të rindërtojmë hapat e romanizimit të pjesshëm të shqiptarëve të hershëm. Megjithatë, një tjetër çështje kryesore e historisë së hershme shqiptare mbetet e pazgjidhur – ajo e vendbanimit të shqiptarëve të hershëm gjatë periudhës romake dhe asaj bizantine të hershme.

Për periudhën pas pushtimit sllav (rreth vitit 600), mund të dëshmojmë se qendra e vendbanimit shqiptar ishte rajoni malor i Matit. Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet me siguri për periudhën romake dhe të hershme bizantine, për shkak të ndryshimeve të mëdha që ndodhën gjatë epokës së migrimeve në Ballkan – nga shekulli i katërt deri në të shtatin. Nuk mund të përjashtohet mundësia hipotetike që, si rezultat i lëvizjeve masive të popujve, shqiptarët kanë imigruar drejt atdheut të tyre të mëvonshëm qoftë nga një rajon tjetër i Gadishullit Ballkanik, qoftë nga jashtë Ballkanit. Atdheu i tyre gjatë periudhës romake dhe të hershme bizantine duhet të hetohet pa u referuar në vendbanimet e mëvonshme. Gjuhëtarët, etnologët, arkeologët dhe specialistët e historisë politike dhe kishtare duhet të bashkëpunojnë për të dhënë përgjigje ndaj kësaj pyetjeje.

Fjalët e huazuara nga latinishtja në gjuhën shqipe

Gjuha shqipe përmban një korpus të konsiderueshëm fjalësh të huazuara nga latinishtja, të cilat, për shkak të transformimeve të thella fonologjike të shkaktuara nga theksi i fortë frymor i shqipes, nuk duken më fare si fjalë latine. Ndikimi i latinishtes në gjuhën shqipe ishte aq i thellë dhe i fortë saqë mund të thuhet se shqipja është një gjuhë pjesërisht e romanizuar. Madje, në disa fusha të jetës, shumica e koncepteve janë marrë nga latinishtja.

Për shembull, pothuajse të gjithë termat për familjen (si: daja, kunati, prindi, fëmija, kushëriri, thjeshtri) vijnë nga latinishtja, ashtu si edhe konceptet bazë të jetës urbane (qytet, shtëpi, çati, rrugë, mulli, kope), të bujqësisë (bujk, ftua, ulli, fryt) dhe të qeverisjes (perandor, gjykatë, mbret). Gjithashtu, nga latinishtja janë edhe termat që lidhen me jetën fshatare dhe kullotat dimërore.

Nga ana tjetër, termat për blegtori dhe për bulmet janë krejtësisht shqiptare. Kjo tregon se në periudhën romake dhe të hershme bizantine, shqiptarët e hershëm ishin barinj trans-humancë dhe se vetëm pas kontaktit me kulturën romake ata u vendosën në qytete dhe fshatra dhe mësuan si të merren me bujqësi, si të shkruajnë, dhe si të organizojnë veten me qeverinë. Shumë emra bimësh u morën gjithashtu nga latinishtja, gjë që është një tregues i ndikimit të bujqësisë romake mbi shqiptarët e hershëm. Fjala për “koshere” është latine, por termat për “bletë”, “mjaltë” dhe “dyllë” janë krejtësisht shqiptare. Kështu, mund të supozohet se shqiptarët e hershëm kishin njohuri për bletët e egra përpara kontaktit me romakët, por e mësuan bletarinë nga romakët.

Të gjitha këto fjalë të huazuara tregojnë ndikimin e fortë kulturor të kulturës romake mbi shqiptarët e hershëm, por nuk na lejojnë të nxjerrim ndonjë përfundim në lidhje me vendbanimin e tyre në atë kohë. Por, kemi disa tregues nga termat shqiptare për pylltarinë. Fjalët për pyjet malore dhe pemët e maleve (p.sh. kullotë malore, shpat, pyll malor, ahu, bliri, bredhi, lisi, druri, pisha, lajthia, rrapi, shkoza) janë krejtësisht shqiptare, ndërsa fjalët për pyjet në ultësirë dhe bimësinë që gjendet atje (p.sh. korije, plep, manaferra mesdhetare, dushku i Adriatikut, frashri, shelgu, ulliri i egër, voshtra) janë marrë nga latinishtja. Gjithashtu nga latinishtja janë fjalët për “fushë, sheshmë”. Kështu, shqiptarët patën kontakt me fushat dhe pyjet e ultësirës kur ndodheshin në territorin gjuhësor romak. Në të njëjtën kohë, kullotat verore të shqiptarëve të hershëm duhet të kenë qenë në brendësi, larg bregdetit, gjë që gjithashtu shpjegon mungesën e termave autentikë shqiptarë për lundrim dhe peshkim. Kështu, bazuar në fjalët e huazuara nga latinishtja në shqip, mund të nxjerrim përfundimet e mëposhtme:

Shqiptarët e hershëm në periudhën romake dhe të hershme bizantine jetonin si barinj trans-humancë në malet e brendësisë. Kullotat e tyre dimërore ndodheshin në ultësirat e romanizuara bregdetare. Pikërisht aty, në kontakte ndonjëherë miqësore dhe ndonjëherë armiqësore me kolonët fqinjë romakë, ata mësuan për organizimin shoqëror (qeverisjen) dhe mënyrat sedentare të jetës dhe se fituan mallra dhe, në veçanti, mësuan artin e bletarisë dhe bujqësinë më të avancuar.

Ndikimi i madh i latinishtes mbi shqipen shpjegohet nga fakti se shqiptarët e hershëm dhe kolonët e vonshëm romakë jetuan së bashku për shekuj me radhë brenda kufijve të Perandorisë Romake. Po të kishin jetuar shqiptarët e hershëm në një rajon fqinj, pra jashtë kufijve të perandorisë, siç bënë për shembull fiset gjermanike, romanizimi nuk do të kishte depërtuar kurrë aq thellë sa ndodhi këtu. Në këtë aspekt, mund të hidhen lehtësisht poshtë hipotezat e mëhershme se shqiptarët e hershëm emigruan në Gadishullin Ballkanik gjatë periudhës së migrimeve. Mund të supozojmë me siguri se shqiptarët e hershëm jetuan në territorin e Perandorisë Romake në fillim të sundimit romak.

Huazimet nga greqishtja e lashtë në gjuhën shqipe

Me vlerë të veçantë për të provuar se ku ndodhej atdheu origjinal i shqiptarëve, janë huazimet nga greqishtja e lashtë në gjuhën shqipe të cilat shfaqen kryesisht në emrat e pemëve frutore dhe në gatim. Këto huazime na çojnë në përfundimin e padiskutueshëm në vijim: atdheu i shqiptarëve të lashtë ndodhej pranë kufirit gjuhësor latinisht-greqisht, në anën latine të tij.

Kufiri midis rajoneve ku flitej latinishtja dhe atyre ku flitej greqishtja në Gadishullin Ballkanik, mund të përcaktohet përmes mbishkrimeve, shtyllat e gurit në rrugë dhe monedhave. Ashtu siç vuri në dukje Jireček: “Pak a shumë përkon me kufijtë provincialë të shekujve të parë deri në të tretin, përpara reformave të Dioklecianit. Duke filluar nga Deti Adriatik, kufiri gjuhësor kalonte pranë Lisusit / Alesios [Lezha] dhe vazhdonte përgjatë kufirit mes Dalmacisë (më vonë Prevalitana) në Veri dhe Maqedonisë (më vonë Epirus Nova) në Jug. Ai kalonte në Jug të rrugës së sotme që lidh Shkodrën me Prizrenin, sepse, sipas Ptolemeut, Ἐπικαρία (i quajtur ad Pikaria në Hartën Peutingeriane), që sot është Puka, ishte ende në Dalmaci në atë kohë. Ai përkonte gjithashtu me kufirin midis Mëzisë Superiore (më vonë Dardania) dhe Maqedonisë. Këtu, banorët e vendbanimeve dardane të Ulpianës (Lipjan) në Kosovë dhe Skupi (afër Shkupit) në burimet e larta të luginës së lumit Aksios (Vardar), kanë lënë pas vetes mbishkrime latine. Ndërsa, vendbanimi i afërt Stobi, nga ana tjetër, na ka lënë mbishkrime greke. Kufiri gjuhësor më pas ndiqte kufirin e vjetër midis Mëzisë Superiore (më vonë Dardania) dhe Trakisë, në mënyrë që Naisusi (Nishi) dhe Remesiana (Bella Pallanka, midis Nishit dhe Pirotit) janë në territorin latin, por Pautalia (Qystendili), Serdica (Sofja) dhe rajoni i Pirotit janë në territorin grek. Provinca e vonshme romake Dakia Mediterana e shekujve IV deri VII, e krijuar nga pjesë të Trakisë dhe Mëzisë Superiore, me vendbanimet Serdika, Pautalia, Naisus dhe Remesiana, ishte kështu dygjuhëshe. Kufiri gjuhësor vazhdonte nga zona përreth Bella Pallankës dhe Pirotit në drejtim lindor përgjatë shpateve veriore të Hemosit [Ballkanit], duke ndjekur kufirin provincial midis Mëzisë Inferiore dhe Trakisë, në mënyrë që mbishkrimet nga zona përreth Vraçës dhe nga Nikopolisi (Nikjupi afër Tërnovës) janë kryesisht greke, ndërsa ato nga brigjet e Danubit deri në grykëderdhjen e tij janë pothuajse të gjitha latine. Në skajin lindor, kufiri gjuhësor takonte territoret e komuniteteve helene përgjatë bregdetit të Detit të Zi deri në grykëderdhjen e Danubit”.

Kështu, atdheu i shqiptarëve të lashtë ndodhej diku pranë kufirit gjuhësor latinisht-greqisht.

Konvertimi i shqiptarëve të hershëm në krishterim

Historia e konvertimit të popullit shqiptar në krishterim, jep të dhëna që na lejojnë të përcaktojmë më saktë atdheun e tyre. Shqiptarët u shfaqën për herë të parë në historinë evropiane kur veçse ishin të krishterë, në Mesjetën e Lartë (shekujt XI-XIII). Ne nuk kemi informacione dokumentare për konvertimin e tyre, por fusha e gjuhësisë mund të na ndihmojë këtu. Shprehjet kishtare që shqipja i ka huazuar nga latinishtja, tregojnë një formë fonetike që dëshmon për një lidhje me gjuhën e vjetër romane të Dalmacisë. Një pjesë më e vogël e fjalorit kishtar është me origjinë greke.

Pra, konvertimi i shqiptarëve të hershëm në krishterim ndodhi kryesisht nga Dalmacia e romanizuar dhe vetëm në një masë shumë më të vogël pati kontakt me kishën greke. Kështu, atdheu i shqiptarëve të hershëm ndodhet në një rajon fqinj me Dalmacinë, por që nuk ishte shumë larg nga kufiri gjuhësor grek. Kjo e kufizon vendndodhjen në një rajon më të vogël: pellgun e Serbisë së Vjetër [Kosova, Dukagjini dhe Sanxhaku] dhe rajonet malore të Shqipërisë së Veriut.

Rajoni i hershëm shqiptar si një enklavë gjuhësore

Për t’iu afruar më shumë një zgjidhjeje për çështjen e atdheut, duhet të sqarojmë atë që dimë për karakterin e territorit të hershëm shqiptar në periudhën romake dhe të hershme bizantine.

Territori i hershëm shqiptar ishte një enklavë gjuhësore në agoni, mbetjet e zvogëluara të një gjuhe që dikur flitej në pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik. Shqiptarët e hershëm janë i vetmi popull i lashtë ballkanik që i mbijetoi romanizimit të përgjithshëm që përfshiu gadishullin. Në gjithë pjesën tjetër të rajonit, superioriteti i kulturës perandorake romake dhe i gjuhës perandorake latine rrafshoi dhe barazoi popujt dhe gjuhët e provincave ballkanike në një proces të heshtur që zgjati për një shekull. Latinishtja, gjuha e administratës dhe e ushtrisë, mori përparësi kudo dhe idiomat vendase u shuan ngadalë. Procesi ishte më pak a më shumë i plotë deri në fund të shekullit të tretë. Idiomat vendase mbijetuan vetëm për një kohë në rajone të izoluara, larg rrugëve kryesore të komunikimit.

Latinishtja depërtoi në të gjitha zonat e Bosnjës dhe Bullgarisë dhe zëvendësoi të gjitha gjuhët vendase që fliteshin atje, por në Shqipërinë e Veriut dhe në Serbinë e Vjetër, barinjtë e hershëm shqiptarë trans-humancë arritën ta ruanin gjuhën e vet. Sigurisht, kultura perandorake romake la gjurmët e saj edhe këtu. Shqiptarët e hershëm patën për herë të parë kontakt me kulturën më të avancuar të popullsisë romake të ultësirave, kur ata zbrisnin nga malet në kullotat e tyre dimërore. Pikërisht aty ndodhi që ata përthithën goxha shumë nga kultura romake. Gjuha e sotme shqipe pasqyron varësinë e hershme nga kultura romake, në shumë fjalë të huazuara nga latinishtja. Shqipja moderne është gjuhë pjesërisht e romanizuar madje, mund të thuhet, një gjuhë gjysmë e romanizuar. Po të kishte vazhduar sundimi romak në Shqipëri edhe disa shekuj të tjerë, do ta kishte zhdukur gjuhën e hershme shqipe, ashtu siç ndodhi me gjuhët vendase të pjesës tjetër të Perandorisë Romake. Kjo do të thotë që gjuha latine e Romës perandorake do ta kishte shkrirë edhe atë, ashtu siç bëri me gjuhët e tjera. Megjithatë, ky proces i vazhdueshëm i romanizimit u ndërpre nga pushtimi sllav i Ballkanit rreth vitit 600 pas Krishtit. Kjo është ajo që i ruajti shqiptarët e hershëm dhe gjuhën e tyre.

Fakti që shqipja e hershme arriti t’i mbijetojë sulmit të latinishtes, kur të gjitha gjuhët e tjera vendase tashmë kishin vdekur, mund të shpjegohet vetëm me faktin se shqiptarët e hershëm kishin më pak kontakt me kulturën romake. Si barinj trans-humancë, ata jetonin në kullotat dimërore të ultësirës së romanizuar bregdetare, gjatë stinës së ftohtë, dhe këtu ishin subjekt i ndikimit të romanizimit. Por, në verë, ata ndiqnin tufat e tyre lart në kullotat malore. Pra, atdheu i shqiptarëve të hershëm ishte një rajon i dyfishtë: kullota dimërore në bregdetin e romanizuar dhe kullota verore në male. Romanizimi gradual padyshim ndodhte gjatë muajve të dimrit, por në verë, barinjtë shqiptarë ishin më pak a më shumë të pandikuar nga çdo ndikim romak – për gjysmën e vitit. Me kalimin e kohës, romanizimi u përhap. Meqë shqiptarët e hershëm ishin i vetmi popull i lashtë ballkanik blegtoral trans-humanc që ruajti gjuhën e vet amtare për një periudhë kaq të gjatë, është e qartë se kullota e tyre verore duhej të ishte e vendosur në një rajon malor larg ndikimit të kulturës romake. Gjuha e hershme shqipe mund të ketë mbijetuar vetëm në një rajon të izoluar malor që ndodhej në distancë nga qytetet romake dhe nga rrugët kryesore të komunikimit romak.

Duke pasur këtë parasysh, nëse hedhim një vështrim te vendndodhjet e mundshme të kullotave verore në Serbinë e Vjetër dhe në Shqipërinë e Veriut të cilat barinjtë e hershëm shqiptarë mund të kenë përdorur, bëhet e qartë që në fillim se ne duhet ta përjashtojmë Serbinë e Vjetër. Për shkak të lartësisë së tyre të ulët, pellgjet e mëdha të brendshme të Serbisë së Vjetër (Kosova, Dukagjini dhe Sanxhaku i Novi Pazarit) do t’u kishin shërbyer atyre si kullota dimërore dhe jo si kullota verore. Në malet që rrethojnë këto pellgje ka kullota të gjera, por këto rajone nuk ishin mjaftueshëm të izoluara për të mbijetuar një enklavë gjuhësore. Këto rajone, të arritshme lehtësisht nga të gjitha anët, luajtën një rol të madh si bërthama e shtetit të hershëm serb (Rashka), por ato kurrë nuk qenë vende kryesore ku popullsia vendase mund të rezistonte sundimin e huaj, qoftë romak, bizantin apo osman. Si e tillë, enklava e hershme shqiptare nuk mund të ketë qenë e vendosur në Serbinë e Vjetër.

Si rrjedhojë, ajo që mbetet janë malet e Shqipërisë së Veriut. Këtu përfshihen tri rajone të ndryshme gjeografike: Alpet e Shqipërisë së Veriut, malësitë e lumit Drin dhe krahina e Matit.

Alpet e Shqipërisë së Veriut (Malësia / Bjeshkët e Nemuna) janë një varg majash të forta malore që përbëjnë mbetjet e fundit të një pllaje të mëhershme gëlqerore. Rrjedhat e lumenjve derdhen në të gjitha drejtimet nga masivi i Majës së Jezercës poshtë maleve dhe hapen në lugina të mëdha që ofrojnë hyrje në rajon. Kultura romake ishte në gjendje të depërtonte në këtë rajon malor nga të gjitha anët. Nga fusha e Shkodrës, qendra e popullsisë e provincës romake të Prevalitanës, luginat e Prronit të Thatë dhe të lumit Kir të çojnë drejt e në këto Alpe të Shqipërisë së Veriut. Nga ana jugore, malet janë të arritshme nga lugina e gjerë e Valbonës. Në Veri, lugina e lumit Lim ofron hyrje nga ajo që sot është Sanxhaku i Novi Pazarit. Në përputhje me këtë, ky rajon nuk mund të konsiderohet si një enklavë, sepse duhet të supozojmë se ai ishte i hapur nga të gjitha anët ndaj përparimit të kulturës romake dhe gjuhës latine.

Malësitë e lumit Drin përfshijnë një gamë të gjerë të territoreve, më të njohurat prej të cilave janë Mirdita, Dukagjini dhe Cukali. Këtu nuk ka linja natyrore të komunikimit. E gjithë lëvizja kryhet në shtigje gomarësh. Megjithatë, malësitë e lumit Drin kanë qenë gjithmonë plot lëvizje, pasi ndodhen midis fushës së Shkodrës në Perëndim dhe fushave të Serbisë së Vjetër në Lindje. Ky rajon, pra, është edhe më pak i përshtatshëm si një enklavë sesa Alpet e Shqipërisë së Veriut.

Pra, ajo që mbetet është krahina e Matit. Ajo zotëron cilësitë natyrore për një enklavë dhe mund të supozojmë se shqiptarët e hershëm e kishin kullotën e tyre verore këtu. Pellgu i gjerë i lumit Mat përbën një rajon relativisht të madh për vendbanim. Rreth 24 mijë njerëz jetojnë sot aty. Malet përreth ofrojnë kullota të pasura verore dhe luginat janë të kultivuara. Krahina e Matit rrethohet nga një varg i lartë malesh që e bëjnë atë një fortesë natyrore. Kontakti me botën e jashtme është i mundur vetëm në shtigje të vështira gomarësh. Rrugët e vetme të tjera, për të dalë nga lugina [përveç luginës së Matit] janë në Ungrej, në Veriperëndim, ku ka një shteg që zbret në fushën e Shkodrës, dhe mbi Qafën e Bulqizës në Lindje cila të çon në luginën e Drinit të Zi. Izolimi natyror i luginës e ka bërë krahinën e Matit një kanton malor më vete gjë që, në historinë shqiptare, ka luajtur gjithmonë rolin e një qendre të rezistencës kombëtare kundër ndërhyrjes së huaj. Krahina e Matit i ka të gjitha cilësitë natyrore që shqiptarët e hershëm do të kishin pasur nevojë për t’u vendosur aty.

Duke u bazuar në hipotezën e përgjithshme që kemi paraqitur mbi procesin e romanizimit, ne mund të arrijmë në përfundimin në vijim: në periudhën romake dhe të hershme bizantine, rajoni i kullotës verore, të përdorur nga shqiptarët e hershëm, ishte krahina e Matit.

Si çdo hipotezë e bazuar vetëm mbi historinë dhe zhvillimin krahasues, mund të jetë vetëm një probabilitet, ndonëse është, sipas mendimit tim, një probabilitet shumë i lartë. Për ta shndërruar këtë probabilitet në diçka të sigurt, duhet të vërtetojmë se krahina e Matit ishte i vetmi rajon midis Shqipërisë së Veriut dhe Serbisë së Vjetër që nuk u prek nga vendbanimet dhe romanizimi romak.

Prandaj, duhet të përpiqemi të përcaktojmë shkallën e vendbanimeve romake në të gjithë rajonin në fjalë, mbi bazën e toponimeve dhe mbetjeve arkeologjike.

Toponimet latine

Toponimet latine në Shqipërinë e Veriut janë të rralla. Pushtimi sllav në fund të shekullit të gjashtë i dha fund kulturës romake në brendësi. Megjithatë, emrat e lumenjve dhe të qyteteve më të mëdha i mbijetuan katastrofës, por këta emra janë pothuajse të gjithë me origjinë para-romake (p.sh. Drilon-Drin, Skodra, Lisus, Dyrahion etj.). Shumë pak toponime në rajonin bregdetar shqiptar, në malet e lumit Drin dhe në Alpet e Shqipërisë së Veriut mund të tregohen me siguri se janë me origjinë latine, sepse nuk është e qartë nëse termat për fshatra dhe vende të emërtuara sipas shenjtorëve shtrihen përpara periudhës sllave dhe sepse nuk janë ruajtur emrat latinë për shumë fortifikime të Justinianit.

Ndër toponimet latine në bregdetin shqiptar janë: Domni (lat. domini), një fshat rreth 16 kilometra në verilindje të Shkodrës; Pëdhana (lat. pedaneus), një fshat në terrenin bregdetar aty ku lumi Mat del nga malet; Vjerdha (lat. virida), një fshat në terrenin bregdetare aty ku lumi Drin del nga malet.

Në malet e Drinit, janë ruajtur një numër toponimesh latine: Gushti (lat. angustus) në skajin e jashtëm të grykës së Drinit, Bisaku (lat. Bit(h)us-iacium) në luginën e Fanit afër Oroshit, Qelza (lat. cella) dhe Puka (lat. publica) në rajonin e Dukagjinit, burimi Kron-i-Valung(ë)s (lat. vallis longa) në territorin e Berishës, dhe disa toponime në Mirditë si Groftat-e-Gojanit (lat. crypta), fshati Skortul, mali Maja Volpul (lat. vulpes), disa maja të njohura si Kunora, mali M(u)nele-a (lat. montellus), përroi Proni Sift (lat. exsuctus), dhe rrënojat e Kastrit (lat. castrum). Në rajonin e Lurës në Lindje, gjejmë shpellën Shutrrija-e-Selitës (lat. subterraneum).

Në Alpet e Shqipërisë së Veriut, gjejmë: Valbona (lat. vallis bona), një degë e Drinit; Kastrati (lat. castrum), një fis që jeton buzë Alpeve të Shqipërisë së Veriut në veri të Shkodrës, ndoshta Plava (lat. Flavia) në luginën e sipërme të lumit Lim; malin aty pranë, Maja Romanit, si dhe fshatin Pjani (lat. planum) në Malësinë e Gjakovës dhe malin Kumul (lat. cumulum) në të njëjtën zonë.

Nga toponimet para-sllave në rajonin e Drinit të Zi, në skajin lindor të Shqipërisë moderne, vetëm njëri prej tyre mund të jetë me origjinë latine.

Ne nuk e dimë vendndodhjen e saktë të fortesës së lashtë Klementiana, por emri ka mbijetuar në përcaktimin fisnor Kelmendi (nga Clement).

Në pellgun fqinj të Serbisë së Vjetër, që ishte i banuar në kohën romake, vetëm dy toponime latine janë ruajtur: Tauresium, që sot është Taori, dhe Ulpiana që u shndërrua në Lipjan si një etimologji popullore sllave (nga sllavishtja lipa, “pema e blirit”).

Pra, toponimet e pakta që janë qartësisht me origjinë latine shpërndahen mbi Shqipërinë bregdetare, malet e lumit Drin, Alpet e Shqipërisë së Veriut, rajonin e Drinit të Zi (?) dhe Serbinë e Vjetër.

Përveç toponimeve me origjinë latine, shumë toponime para-latine u ndryshuan në aspektin fonologjik nga procesi i romanizimit. Emrat e vendbanimeve më të mëdha (Skodra, Lisus, Dyrahion) janë me origjinë para-romake. Ato mbijetuan si ndaj transformimi gjuhësor që përjetuan gjatë romanizimit, ashtu edhe thyerjes kulturore të shkaktuar nga pushtimi sllav. Në shumë raste, format fonologjike të këtyre fjalëve mund të shpjegohen vetëm me supozimin se një popullsi romake i trashëgoi ato nga popullsia para-romake dhe se, pas transformimit, ato u trashëguan nga shqiptarët dhe sllavët imigrantë. Emra e tillë japin dëshmi të tërthorta për romanizimin. Të lidhura me këto janë toponimet që nuk ishin vazhdimisht në përdorim në shqip. Të tilla toponime në zonën latine ballkanike që nuk kanë kaluar nëpër zhvillim fonologjik normal shqiptar, mund të shihen si dëshmi e romanizimit, sepse e gjithë popullsia e Gadishullit Ballkanik, me përjashtim të barinjve trans-humancë të hershëm shqiptarë, ishte romanizuar (ose helenizuar) në vigjilje të pushtimit sllav. Ato gjenden në pellgun e Shkodrës, në luginën e Valbonës, në krahinën e Lumës në luginën e Drinit të Zi, në ultësirat bregdetare dhe në luginën e lumit Shkumbin.

Këto toponime të cilat, sipas origjinës së tyre etimologjike ose formës fonologjike, tregojnë romanizim në rajonet përkatëse, janë të pamjaftueshme në numër për të dhënë prova absolute se rajonet ishin romanizuar plotësisht, por ato mund të përdoren si një tregues i kësaj.

Ka vetëm dy rajone ku nuk ka gjurmë të romanizimit në toponime: zonat e larta malore të Alpeve të Shqipërisë së Veriut dhe krahina e Matit. Ne nuk do të prisnim romanizim në zonat e larta malore të Alpeve të Shqipërisë së Veriut, sepse ashiqare nuk janë një rajon i favorshëm për vendbanim. Fshatrat kanë qenë dhe janë të rralla atje. Sidoqoftë, çdo emër i mirëfilltë latin është fshirë nga vala e pushtimit sllav. Situata është krejt ndryshe në krahinën pjellore të Matit ku, edhe sot, ka qytete dhe fshatra të mëdha. Pikërisht këtu do të prisnim normalisht të gjenim toponime latine. Fakti që nuk ka asnjë këtu, na çon në përfundimin se kjo ishte në të vërtetë enklava gjuhësore në të cilën barinjtë e hershëm trans-humancë shqiptarë gjetën vendbanimin e tyre. /Telegrafi/

____________________

[1] Pjesë nga: Georg Stadtmüller, Forschungen zur albanischen Frühgeschichte, 1936, edicioni i dytë i shtypur në Wiesbaden: Harrassowitz, 1966, fq. 76-96. Përkthyer nga gjermanishtja nga Robert Elsie. Lexuesit këshillohen të konsultojnë tekstin origjinal për fusnotat e shumta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Sot po jetojmë për të mbijetuar”, kështu rrëfen ish-ushtari i…