
Këshilltari i Khameneit: Irani ende zotëron rezerva të uraniumit të pasuruar
Irani ende zotëron rezerva të uraniumit të pasuruar pavarësisht sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi objektet kryesore bërthamore, ka thënë këshilltari i liderit suprem iranian, Ali Shamhani.
“Edhe nëse objektet bërthamore shkatërrohen, loja nuk ka mbaruar, materialet e pasuruara, njohuritë vendase dhe vullneti politik do të mbeten”, shkroi Shamhani sot në një postim në rrjetin X.
Ai shtoi se iniciativa politike dhe operacionale tani i përket palës që luan me zgjuarsi dhe se “surprizat do të vazhdojnë!”
Shamhani dyshohej se është vrarë në një sulm ajror izraelit në Teheran javën e kaluar.
Megjithatë, të premten, media shtetërore në Iran publikoi një letër nga Shamhani drejtuar Ali Khamenei, në të cilën ai deklaroi se në fakt ishte gjallë.
Ali Akbar Velayati, një tjetër këshilltar i lartë i liderit suprem Ali Khamenei, tha se bazat e përdorura nga forcat amerikane për të nisur sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane do të konsideroheshin objektiva legjitime.
“Çdo vend në rajon ose gjetkë që përdoret nga forcat amerikane për të sulmuar Iranin do të konsiderohet një objektiv legjitim për forcat tona të armatosura”, tha Velayati në një mesazh të transmetuar nga agjencia IRNA duke shtuar se “nuk ka më vend për Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme.”
Kujtojmë, në orët e hershme të mëngjesit, Shtetet e Bashkuara nisën një sulm ndaj tri objekteve bërthamore iraniane Fordow, Natanz dhe Isfahan. Gjashtë bombardues të fshehtë B-Dy Spirit hodhën dymbëdhjetë bomba GBU-Pesëdhjeteshtatë në kompleksin nëntokësor Fordow, ndërsa nëndetëset amerikane qëlluan tridhjetë raketa lundrimi në objektet në Natanz dhe Isfahan.
Disa orë pas sulmit, presidenti Donald Trump tha se bombardimet shkatërruan plotësisht tri objekte bërthamore iraniane, Natanz, Esfahan dhe Fordow, raporton KosovaPress.
“Ose do të ketë paqe ose Irani do të përballet me një tragjedi shumë më të madhe se ajo që kemi parë në tetë ditët e fundit”, tha Trump në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë, duke e quajtur Iranin “agresori i Lindjes së Mesme” dhe duke thënë: “Nëse paqja nuk vjen së shpejti, ne do të godasim objektiva të tjerë me precizitet, shpejtësi dhe aftësi”.