
Kështu duhen plotësuar fletëvotimet për kryetarë të komunave dhe asamblistë
Edhe në zgjedhjet e sotme lokale, kryetarët e komunave dhe anëtarët e kuvendeve komunale do të vazhdojnë të zgjidhen sipas mënyrës së njëjtë, si në proceset e kaluara zgjedhore.
Në mënyrë që një kandidat të fitojë në raundin e parë, ai/ajo duhet që të fitojë 50%, +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. Ndërkaq, në zgjedhjet për Kuvende Komunale, votuesit kanë të drejtë të votojnë vetëm për një kandidat për asamblist.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Ekonomia Online ka shpjeguar se Ligji për Zgjedhjet Lokale është i njëjti që nga viti 2008 dhe rrjedhimisht edhe zgjedhja e Kryetarëve të Komunave dhe anëtarëve të Kuvendeve Komunale, ka mbetur të njëjtë, si në zgjedhjet e viteve të kaluara.
“Mënyra e votimit dhe zgjedhjes së Kryetarit të Komunës është e njëjtë, si në zgjedhjet e mëhershme. Secili Kryetar i Komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50%, plus 1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. E, nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet raundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë zgjidhet kryetar i komunës”, tha Elezi.