KËSHTU ZOTI E KA SHKRUAR

10 maj 2019 | 11:17

Saqep Gjoka

Një ditë prej ditësh, meqë ajo i bënte pyetje sa herë që rrinte me të, më shumë në fundjavë, për Zotin dhe për njerëzit, për vdekjen dhe për lindjen, për gjithë krijimin dhe të gjitha krijimet, e mori vajzën dhe, meqë ishin të fesë islame, një të premte shkuan në xhaminë e lagjes Kalabria në kohën e drekës. Para se të hynin në oborrin e saj, kjo, i tha i ati që po bënte me gisht drejt saj, është një objekt i kultit fetar.
– I sheh ata njerëz që ngrehën, bien, rrinë pak të kërrusur dhe prapë ngrehen e bien shpejt me ballë në dysheme?
– Po, i tha e bija që vështronte me kujdes rendin e gjatë të njerëzve të moshuar e të rinj, që veç sa nuk fusnin kokën në bythën e njëri-tjetrit sa herë që binin në dysheme.
– Këta i luten Zotit, ashtu sikurse ti në mbrëmje kur bie në shtrat për gjumë, për të pasur shëndet të mirë dhe për t’u vajtur punët mbarë.
– Dhe a u vanë punët mbarë këtyre kur luten?
– Disave po, disa u mbesin ashtu, disa u shkojnë edhe më keq!
– Pse?, e pyeti e bija kureshtare.
– Sepse disa punojnë shumë, disa punojnë shumë pak, disa të tjerë presin që Zoti të punojë për ta.
– Aha, aha… bëri dy a tri herë dhe, me shikim edhe më kureshtar, bëri një tjetër pyetje që, për moshën e saj, ishte e panatyrshme:
– Po vdekjes, a i shpëtojnë, babë?
– Asnjëri prej atyre. Do të vdesin të gjithë, herët a vonë, në mënyra të ndryshme, nga vdekje të natyrshme ose të panatyrshme. Dhe secili prej tyre që do të vdesë, qysh do qoftë ajo vdekje, qoftë edhe nëse ndonjëri prej tyre mbyt vetveten, besimtarët, edhe të pabesimtarët, do të thonë se kështu e kishte shkruar Zoti.
– A thonë kështu edhe të krishterët, se Zoti ka shkruar vdekjen e tyre?
– Po, thonë dhe ata, veçse me një qëndisje tjetër të fjalisë.
– Një ditë kam dëshirë t’i vizitoj edhe ata. Dua t’i shoh si luten, i kërkoi e bija.
I ati i premtoi se do ta dërgojë edhe në kishë. Edhe pse e diela ishte dy ditë më pas, asaj nuk i shkonte koha që sa më parë ta vizitojë objektin e kultit tjetër. Të dielën, para se të niseshin, mbase e kishte frikësuar dikush, e pyeti të atin:
– Babë, a na lejohet neve (s’donte të thoshte që jemi myslimanë) të shkojmë në kishë?
– Po, babë, na lejohet, ashtu sikurse u lejohet të krishterëve të vijnë të bëjnë lutje në xhami.
– Pse nuk bëhen bashkë e të luten, pra? Ndoshta Zoti i do më shumë kur janë bashkë dhe ua plotëson krejt dëshirat, – pyeti ajo.
– Sepse ritet dhe lutjet e tyre janë të ndryshme. Pastaj, po të luten krejt bashkë, nuk ka vend për secilin prej tyre as në kishë, as në xhami. Fetë, prijësit e tyre, pra ne dhe ata, që dikur, në zanafillë, ishim krejt bashkë, pra ishim vëllezër dh motra, me kalimin e kohës i kanë ndarë edhe ditët për lutje, edhe kohën, edhe vendet. Nuk e di në kanë bërë mirë a keq. Po, mendja ma thotë, kanë bërë keq që janë ndarë dhe i kanë ndarë besimet, lutjet dhe gjuhën e lutjes sepse jemi ç’vëllazëruar.
– Edhe mua më duket kanë bërë keq që janë ndarë nga ne, tha e bija dhe bëri një pyetje të rrufeshme teksa dëgjonte lutjet dhe përsëritjet e të krishterëve në gjuhën latine:
– Po çfarë i kemi ne të krishterët?
– Vëllezër dhe motra, bijë.
– Edhe këta, ashtu sikurse ata në xhami, u lutkan edhe me një tjetër gjuhë, shprehi habi e bija.
– Të thashë që besimin, lutjet dhe gjuhën e lutjeve i kanë ndarë qëmoti.
– Vëllezërit paskan bërë keq qysh moti, babë.
– Ndoshta, bijë, ndoshta!
Ndenjën në kishë një copë herë, kapur për dore me njëri-tjetrin. Zhurma e kambanave, edhe lutjet e njërit që nuk dinte si ta quante, e përsëritjet e të tjerëve që i quante lutës, edhe zanoret e zgjatura të tyre, e mërzitën vajzën e vogël e cila i tërhoqi të atit dorën që të dilnin sa më parë jashtë. Sapo shkelën në shkalloren e parë, vajza hapi gojën:
– Më kanë frikësuar, babë, të gjithë aty, edhe ata që merrnin frymë, po edhe ata që s’merrnin e që vëzhgonin sipër nesh, në gjithë kishën. Kurrë më s’dua të vizitoj kishë, u shpreh vajza që, sapo tha këtë fjalë, zuri në thua në shkalloren e fundit të kishës dhe u përplas për kupëzat e betonit që veç sa ishin shtruar. I ati e ndihmoi të çohet. Fustanin e kishte shqyer pak, kurse në gjurin e këmbës së majtë i ishin bërë dy vragë të holla si të ishin bërë nga një prerje e lehtë me majë të thikës.
– Këtu Zoti qenka i pamëshirshëm! Po të shqyeka!, tha e bija e bërë me nerva, me buzën që i dridhej e lotët që i formoheshin në bebëzat e zmadhuara sa një bisht cigareje.
– Kështu e ka shkruar Zoti, – iu përgjigj i ati, me të cilën fjali vajzës i nxori një të qeshur të madhe dhe, po ashtu, një kërkesë të vogël:
– A e ka shkruar Zoti të hamë sot akullore në “Fellini”?
– Ndoshta! Të shohim. Po nisemi të shkojmë. Nëse mbërrijmë aty dhe hamë akullore, e dimë që edhe atë e ka shkruar Zoti.
Pas nja 150 metrave që bënë këmbë skaj trotuarit të kishës, në ta majtë, pak metra më poshtë, ia mësynë ëmbëltores “Fellini”. Sapo vajza pa dyert e saj të mbyllura, nuk vonoi e tha:
– Nuk e paska shkruar Zoti të hamë akullore në “Fellini”.
– Ndoshta tjetërkund po, – i tha i ati dhe u nisën këmbë përfundi katedrales, avash-avash, përbri njëri-tjetrit, duke buzëqeshur dhe folur, derisa nuk u dukën më.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një sulm ajror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA)…