
Këta janë katër policët e suspenduar lidhur me vrasjen e trefishtë në Gjilan
Katër zyrtarë policorë janë suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës, lidhur me vrasjen e trefishtë që ndodhi të dielën në Gjilan.
Zyrtarët e suspenduar janë Bekim Sabedini, Ardian Demiri, Metush Arifi dhe Shaban Hajdaraj.
Sabedini është rreshter në Njësinë e Hetimeve Rajonale në Drejtorinë e Policisë në Gjilan, Demiri është hetues në Stacionin Policor në Gjilan, Arifi është polic në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Drejtorinë në Gjilan si dhe Hajdari është rreshter – Shef i Hetimeve në Stacionin Policor në Novobërdë.
IPK ka thënë se suspendimi i tyre është bërë në kuadër të një hetim paraprak, në të cilin do të hetohet nëse ka pasur ndonjë lëshim apo përfshirje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të të dyshuarit të shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
“Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore Gjilan, është duke zhvilluar hetime penale paraprake ndaj të lartcekurve lidhur me dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me elemente të veprës penale. Hetimet janë në fazën fillestare dhe përfshijnë mbledhjen e provave materiale, marrjen e deklaratave dhe veprime të tjera procedurale”, thuhet në njoftim.
Vendimi i IPK-së vjen disa orë pasi Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, urdhëroi Inspektoratin Policor të Kosovës që të hetojë çdo lëshim apo përfshirje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës – person i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
“Kam theksuar në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, angazhimin maksimal për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë. Vazhdoj të jem i pakompromis në këtë drejtim dhe mbështes çdo formë të koordinimit ndërinstitucional që siguron institucione kredibile, të besueshme dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.
Sveçla ka theksuar se askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm, “veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”.
Ai ka kërkuar që me të njëjtën vendosmëri të veprojnë edhe institucionet e tjera të sistemit, sidomos drejtësia, “në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë dhe të zhvillohen në një Republikë ku sundojnë siguria, rendi dhe ligji”.
Të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan ndodhen ende në arrati.