“Këtë tokë e trashëgojmë nga Skënderbeu …”

22 tetor 2025 | 08:25

Përgatiti: Ermal Nurja, osmanist dhe osmanolog

Një akt në gjuhën osmane i datës 25 qershor 1577 nga kohët kur patriotizmi lidhej me tokën e të parëve dhe në gjykatën osmane raportohej: “Ne këtë tokë e trashëgojmë nga Skënderbeu dhe nuk i jemi bindur askujt deri tani dhe e ruajmë me kokën tonë këtë vend”.

“Ferman drejtuar sanxhakbeut të Ohrit dhe kadiut të Krujës se keni dërguar letër ku shkruani se personi i quajtur Hasan me banim në Krujë që varet nga sanxhaku i sipërpërmendur, bashkë me tre bijtë e tij dhe me pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë persona që e ndjekin nga pas, vazhdimisht bastisin rrugët e kalimtarëve dhe fshatrat duke vrarë të pafajshëm dhe grabitur pasuri dhe përveç kësaj kanë grabitur edhe dele të popullsisë në fjalë kur i dërgojnë në bjeshkë dhe nuk lënë mundësi pa e shfrytëzuar për gjëra të tilla. Megjithëse paria dhe kadinjtë i kanë thirrur në gjyq, ata nuk janë bindur dhe kanë vazhduar ende që të bastisin fshatra ku grabisin bagëtitë dhe pasuritë e fshatarëve, për të cilën janë thirrur sërish në gjykatë dhe nuk janë paraqitur. Meqenëse është e pamundur të shtihen në dorë, qe dërguar urdhri perandorak për Hysenin, i cili është sanxhakbeu i Kystendilit, por ai qe përgjigjur se sanxhaku i tij është larg nga ai vend dhe nuk është e lehtë që të shkohet deri atje që të shtihen në dorë. Nëse nuk shtihen në dorë personat në fjalë apo nuk u digjen shtëpitë ku banojnë, banorët e fshatrave përreth kanë vendosur që të largohen nga vendbanimet e tyre. Kur janë thirrur sërish që të paraqiten në gjyq, ata janë përgjigjur se:

‘Ne këtë tokë e trashëgojmë nga Skënderbeu dhe nuk i jemi bindur askujt deri tani dhe e ruajmë me kokën tonë këtë vend’

duke shprehur me këto fjalë se nuk do të binden dhe meqenëse keni paraqitur kërkesën tuaj që këtyre personave t’u vihet hakut urdhëroj:

Kur të mbërrijë fermani im nëse personat në fjalë nuk janë ende të bindur dhe vazhdojnë me veprimet e tyre të kryengritjes dhe rebelimit, atëherë të përpiqeni që me masa të kujdesshme t’i shtini në dorë dhe nëse para ligjit dhe gjykatës vërtetohet se janë të pabindur dhe të përzier në trazira, t’u vihet hakut sipas rregullave të ligjit pa ju dhënë mundësi tjetër veç ligjit, por të tregohet kujdes që me këtë sebep mos të shqetësohen dhe merren para drejtësisë banorët e vendit që shohin punët e tyre dhe janë të bindur ndaj shtetit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të gjithë e dimë shprehjen: “Bëju të tjerëve atë që…