Këto ishin esencialet në afishimin e 17 majit të vitit 1981

22 mars 2021 | 11:01

Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (12)

Shkruan: Bedri Islami

Esenciale në afishimin e 17 majit të vitit 1981 ishte:
– Kosova do të qetësohet po të hiqet shtetrrethimi, të tërhiqen ushtria dhe policia ndëshkuese serbe, të normalizohet gjendja, të lirohen të burgosurit e pafajshëm që kanë mbushur burgjet, t’u kthehen familjeve të vrarët e tyre në demonstrata, se kjo është një çështje e shenjtë dhe humanitare. Studioni me vëmendje dhe drejtësi kërkesën e popullit të Kosovës për republikë, zgjidhni drejt problemet ekonomike të saj. Vetëm kështu do të qetësohet Kosova […]
– Kosova kërkon statusin e Republikës brenda Federatës Jugosllave. Ky status përfaqëson aspiratën e një populli të madh që kërkon me të drejtë “statusin e sovranitetit” dhe jo atë të “pakicës kombëtare”, që padrejtësisht ka pasë qenë caktuar që në Jajcë.
– Kërkesa e Kosovës për të fituar statusin e republikës federale është e drejtë. Ajo këtë e ka merituar me luftën që ka bërë bashkë me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër fashizmit. Shovinizmi serbomadh e ka gjakosur rëndë Kosovën dhe ka krijuar një situatë të tillë, që me ekspedientë zor se shërohet.
– Për sa iu përket atyre “udhëheqësve shqiptarë” që morën fjalën në këtë forum të lartë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ose jashtë këtij forumi, fjalimet e tyre u karakterizuan nga një histeri sa e madhe, aq edhe servile e shërbyese ndaj zotërinjve të tyre Vidiq, Miniq, Stamboliq etj. Kuptohet se këta “udhëheqës” fantoshë i urren populli i Kosovës.
– Shqiptarët janë një etni, një popull, quaje “Shqipëri të vogël” ose “Shqipëri të madhe”. Këta shqiptarë të kësaj Shqipërie “të vogël” ose “të madhe’, që përbëjnë një popull kompakt dhe që kanë të gjitha tiparet e një kombi të vërtetë, as kanë zaptuar tokat e të tjerëve, as kanë shkelur të drejtat e ndokujt. Ata vetëm të drejtat e veta kanë kërkuar, i kanë mbrojtur dhe do t’i mbrojnë. Këtë ju e gjeni të jashtënatyrshme, e quani “shqiptaromadhe”, “nacionaliste”, deri dhe “fashiste”. Kur Kosova kërkon statusin e Republikës brenda Federatës, për të cilën kanë luftuar 50 mijë partizanë, ju guxoni ta quani këtë një kërkesë kundërrevolucionare, nacionalizëm shqiptar e t’i ngjitni plot epitete të tilla.

* * *

A ishte në dijeni Enver Hoxha për ngjarjet që po përgatiteshin në Kosovë në pranverën e vitit 1981?
Dikujt mund t’i duket absurde ngritja e një pyetje të tillë. Logjika e thjeshtë të çon tek mendimi se, derisa shteti shqiptar nuk ishte në dijeni, edhe ai, Enver Hoxha, që ishte nr. 1 i padiskutueshëm i shtetit,nuk mund ta dinte. Në këtë rast, njësimi i dijenisë së shtetit me atë që ka ditur Enver Hoxha mund të jetë i vërtetë, ashtu si edhe është e mundur që të ketë qenë ndryshe.
A mund të ngrihet një tezë e tillë? Thënë të drejtën, deri para disa vitesh, edhe unë nuk e kisha menduar kurrë se mund të ngrija një tezë të tillë. Duke ditur sot, atë që nuk kemi ditur dje, pra mekanizmin e fshehtë të shtetit shqiptar, nganjëherë deri në strukturat më të panjohura, duke pasur sot akses në pjesë të arshivave që kanë qenë rreptësisht të mbyllura, edhe mund të mendohet se, ndryshe nga pjesët e tjera të shtetit, ai mund të ketë qenë i përgatitur ose, më saktë, ka qenë në pritjen e asaj që potencialisht do të ndodhte, pa e ditur saktësisht se kur.
Në shtetin shqiptar kishte struktura të fuqishme të sigurimit të shtetit, sidomos të atyre segmenteve që merreshin me survejimin e shteteve, të cilat quheshin, konsideroheshin dhe, jo rrallë, ishin armiq të kombit shqiptar.
Krahas strukturave të ditura, të njohura, qoftë për publikun, qoftë për kundërzbulimin, ka pasur edhe një strukturë tjetër, e cila varej, në rastet më të shumta, direkt dhe nga askush tjetër veç Enver Hoxhës, dhe e cila, më shumë se gjithçka, kishte lidhje me zbulimin e jashtëm. Nuk janë të pakta rastet, që janë bërë të ditur më vonë, kur vetë Enver Hoxha ka drejtuar lidhje të posaçme dhe ka pasur marrëdhënie të drejtpërdrejta me diplomatë, gazetarë, specialistë, e biznesmenë të huaj, disa prej të cilëve, i kanë sjellë atij informata nga më sekretet.
Është i njohur tashmë fakti se, mes shumë të tjerëve, shërbimi i ngritur dhe i kontrolluar nga EH dhe grupi i veçantë pranë tij, kishte të infiltuar edhe pranë CIA-s, të cilët kishin role të rëndësishme në operacionet që kryheshin në drejtim të Shqipërisë apo që lidheshin me ngjarjet në pjesët e banuara nga shqiptarët në Jugosllavi. Njeriu i njohur në dosjet e Sigurimit të shtetit shqiptar si “Sali Dani” ishte njëkohësisht edhe një ndër funksionarët më të rëndësishëm të CIA-s. Nëpërmjet tij, diku në mesin e viteve ’70, shteti shqiptar kishte arritur të merrte gjithë rrjetin e agjentëve të UDB-së në Shqipëri, por edhe të Asfalisë greke dhe të shërbimit sekret italian. Do të ishte i njëjti agjent, i cili vendosi një lidhje mes EH dhe agjentit të shkallës së lartë, rusit Njekov, i arratisur nga BS, bashkëpunëtor i CIA-s dhe i disa shërbimeve të tjera sekrete, gazetar dhe botues në Romë.
Përse i solla këto pasazhe? Përmes lidhjeve të krijuara me botën agjenturore, lidhje të cilat, e përsëris, kanë qenë shumë të fuqishme, EH kishte një informacion, shpeshherë, më të gjerë se sa vetë strukturat zyrtare të shtetit. Jo rrallë, të dhënat e veçanta ishin vetëm për EH. Është krejt e mundur, që, pikërisht në kohët e para të pasvdekjes së Titos, EH të jetë informuar gjerësisht jo vetëm mbi të zakonshmet, por edhe mbi shumë më tepër se kaq. Si duket, informacioni i tij ka shkuar përtej sferave të zakonshme, dhe lidhjet e tij, jo rrallë, kanë qenë shumë më të thella, se sa ato që mund të dukeshin.
Struktura të tilla kishin lidhje me sfera të larta të shteteve të ndryshme,sidomos ballkanike dhe euroatlantike, ata nuk hynin në veprim për gjëra të vogla dhe me pak vlerë, por për aktivitete të një rëndësie të veçantë, si ishte rasti i gazetarit të njohur ruso-italian Njekov, i cili, çuditërisht, pas realizimit të disa misioneve që kishin lidhje të drejtpërdrejtë me EH, u gjend misteriozisht i vrarë. EH i ruante këto struktura vetëm për linjën e tij, as ministri i punëve të brendshme, shpeshherë, nuk e dinte fillin e tyre dhe nuk kishte lidhje me to.
Njëkohësisht, si është bërë e njohur më vonë se drejtues të ndryshëm të lëvizjeve klandestine në Kosovë, por edhe funksionarë të kohës, kanë pasur lidhje të veçanta me individë të caktuar në Shqipëri. Ata monitoronin nga afër ngjarjet në Kosovë dhe, megjithëse ishin pjesë e Sigurimit të Shtetit, përgjigjeshin direkt në trupën e ngritur nga Enver Hoxha, si ishte rasti i Ajet Haxhiut apo të tjerëve pranë tij.
Si duket, ishin pikërisht këto struktura, jashtë dhe brenda Kosovës, që, duke përdorur lidhjet e dyfishta, në fillimin e vitit 1980, e lajmëruan EH se, ndonëse gjendja në Kosovë në sipërfaqe dukej e qetë, nuk ishte ashtu. Ata e lajmëruan po ashtu se, megjithë heshtjen që zotëronte, shteti jugosllav dhe, sidomos, nacionalizmi serb po përgatitej të lante përfundimisht hesapet me kombet e tjerë në ish Jugosllavi dhe se Kosova do të ishte kurbani i parë i madh i kësaj bëme. Ekzistonin të gjitha shenjat se miti i Rankoviqit kërkonte të zgjohej, dhe këtë, jo rrallë, e kishin vërejtur edhe republikat e tjera jugosllave, sidomos kroatët dhe sllovenët, të cilët, përmes lidhjeve të tjera, kishin lajmëruar për rrezikun që mund t’i vinte. Kroatëve apo sllovenëve nuk do u vinte aspak keq sikur i gjithë tërbimi nacional serb të shkonte drejt shqiptarëve. Ata kishin filluar ta nxisnin këtë tërbim, duke menduar se kështu gjithçka do të rrokullisej drejt viseve shqipfolëse.
Sidoqoftë, unë mendoj se, edhe nëse i ka ditur ngjarjet që mund të vinin, EH nuk ka bërë asgjë për t’i shpejtuar apo për t’i shmangur lëvizjet e marsit 1981. Të paktën nuk ka bërë asgjë të dukshme, sepse, për atë që për shumë vite ishte e padukshme, ai filloi të bënte. Ndoshta askujt tjetër, më shumë sesa EH, nuk do i kishte interesuar një zhvillim i fuqishëm jashtë kufijve. Kjo do të zhvendoste vëmendjen drejt një caku tjetër shqiptar, përmes të cilit, qarku i problemeve që kishin lindur në Shqipëri do të hidhej mbi supet e tjetërkujt. Mjeshtër në përdorimin e situatave në dobi të regjimit të tij, ai nuk mund ta linte pas dore këtë rast, që, edhe nëse nuk e kishte përgatitur vetë, e përdori deri në fund.
Sidoqoftë, shumë më vonë, ende i paqartë, por edhe i pa hedhur poshtë, një plan sekrete në lidhje me Kosovën u bë publik nga ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare.
Fjala është për planin sekret “Shpërthimi”, i cili përfshinte një seri operacionesh,në rast të një lufte për Kosovën dhe në Kosovë. Ky plan, që ka qenë tejet sekret dhe për të cilin kanë pasur dijeni fare pak veta, është pëshpëritur për herë të parë, nga agjencitë e huaja, menjëherë pas ngjarjeve të marsit. Pasi është heshtur për shumë vite, plani u shfaq i detajuar, kohët e fundit. “Zgjimin” e planit e bëri njëri ndër hartuesit kryesorë të tij, ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Veli Llakaj. Në një intervistë të gjatë të tij, për herë të parë, ai bëri të njohur origjinën e këtij plani sekret, hartuesit e tij, urdhrin e dhënë drejtpërsëdrejti nga EH, dhe seriozitetin me të cilin ishte marrë ai plan. Megjithëse sot gjithçka mund të quhet utopi dhe në fakt ka shumë gjëra që nuk do të mund të realizoheshin, ai përsëri ngre disa pika dyshimi.
(Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është formuar komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandatave të…