Këto janë vendimet për procesin e privatizimit dhe të likuidimit nga Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit
Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) mbajti mbledhjen e radhës ku diskutoi dhe mori vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në përputhje me mandatin ligjor.
Gjatë kësaj mbledhje, Menaxhmenti i AKP-së raportoi para Bordit për periudhën paraprake. Poashtu, Bordi diskutoi dhe me vota unanime aprovoi përcaktimin e objektivave të Menaxhmentit të AKP-së për vitin 2023, duke i vlerësuar këto objektiva konkrete, të matshme dhe të arritshme.
Bordi i AKP-së diskutoi poashtu për ndërmarrjen shoqërore “Brezovica” dhe raportin mujor për këtë ndërmarrje, ndërkaq në lidhje me Raportin e auditimit të Zyres Kombëtare të Auditimit për qiratë, Bordi aprovoi planin e veprimit për adresimin e të gjeturave i dalë nga ky auditim. Gjithashtu, Bordi diskutoi për raportin vjetor për vitin e shkuar 2022, i cili do të rishikohet dhe do të komentohet para se AKP ta dërgoj në Kuvendin e Kosovës brenda afatit kohor ligjor.
Bordi gjatë kësaj mbledhje pezulloi shitjet e pronave shoqërore që janë në kuadër të Parkut Kombëtar Sharri.
U miratua propozimi për dhënie të pëlqimit për regjistrim/bartje në librat kadastral të pronat e paluajtshme nr.1403-0 dhe nr.1407-0 ZK Obrangjë për ndërtimin e lokacionit për “Varrezat e Qytetit” si dhe nr.315-0 ZK Surkish për ndërtimin e “infrastrukturës Shëndetësore”, të NSH Kooperativa Bujqësore Përparimi (PRN019), Podujevë, në përputhje me vendimin përfundimtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shpronësim me numër 19/121 të datës 25 Janar 2023 sipas kërkesës së Komunës së Podujevës.
Bordi më tutje shqyrtoi dhe miratoi raportet e shpërndarjes për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore në likuidim: “Kombinati i Lëkurë Këpucëve”, në Pejë; pastaj për “Vinex”, në Viti si dhe për “Ndërmarrjen Pyjore, Industriale, Tregtare Gjeravica”, në Deçan. Bordi poashtu miratoi propozimin e Autoritetit të Likuidimit për Raport për heqje dorë nga aseti: PEJ131 NSH 16 Qershori parcela 1397/0 ZK Junik për arsye se e njejta shfrytëzohet si rrugë publike brenda Zonës Kadastrale Junik.