KFOR njofton se ka zhvilluar një takim me kryetarët e zgjedhur të komunave veriore, ku është diskutuar procesi i tranzicionit dhe angazhimet e ardhshme në shërbim të qytetarëve.

Ambasadori Babür Hizlan, këshilltar politik i Komandantit të KFOR-it, u takua më 4 dhjetor me kryetarët e zgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut – Milan Radojeviq, Zoran Todiq, Dragiša Miloviq dhe Miloš Peroviq. Delegacioni u udhëhoq nga Igor Simiq, shef i grupit parlamentar të Listës Serbe.

Në njoftimin e misionit të NATO-s bëhet e ditur se gjatë takimit, palët shkëmbyen qëndrime për çështje të ndryshme. Ambasadori Hizlan i uroi kryetarët dhe theksoi rëndësinë e një tranzicioni të qetë, duke u dëshiruar sukses në punën e tyre në shërbim të të gjithë qytetarëve në Kosovë. Ai rikonfirmoi përkushtimin e KFOR-it ndaj mandatit të tij të OKB-së.

KFOR ritheksou se vazhdon zbatimin e mandatit të bazuar në Rezolutën e OKB-së, për të garantuar një ambient të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, duke punuar në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.