​KGJK shpall konkurs për 20 gjyqtarë në gjykatat themelore të Kosovës

28 maj 2025 | 11:14

Në mbledhjen e sotme Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shpallur konkurs për 20 pozita për gjyqtarë në gjykatat themelore të Republikës së Kosovës.

Kryesuesi i KGJK-s, Albert Zogaj tha se aktualisht janë të lira 28 pozita, por 8 prej tyre janë të rezervuara.

“Momentalisht kemi 28 pozita të lira deri në përfundim të vitit 2025, propozimi është që ne të shkojmë me 20 pozita të lira, 8 janë të rezervuara të shohim edhe procesin i cili është i papërfunduar me pozitat e rezervuara dhe në momentin që do të kemi procesin e rezervuar do të kemi edhe një proces të veçantë për pozitat e rezervuara…konkursi do të jetë për 20 gjyqtarë të rinj në gjykatat e shkallës së parë“, theksoi ai në mbledhjen KGJK-së.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka propozuar presidentes të Kosovës, Vjosa Osmanit riemërimin e 45 gjyqtarëve me mandat të përhershëm.

Kryetarja e Komisionit për Performancë, Teuta Ibrahimi tha se në mënyrë unanime është votuar riemërimi i këtyre gjyqtarëve me mandat të përhershëm.

“Mandati fillestar i gjyqtarëve më 30 qershor 2025. Komisioni pas vlerësimit të performancës të gjyqtarëve me mandat fillestar brenda afateve të caktuara ka hartuar raportin përmbledhës…Bazuar në raportet e gjyqtarëve vlerësues, komisioni ka vendosur në mënyrë unanime për vlerësim sipas shkallës së vlerësimit mbi 67 deri 82 pikë, komisioni ka vlerësuar 32 gjyqtarë me vlerësim shumë mirë mbi 82 deri 89 pikë, komisioni ka vlerësuar 13 gjyqtarë me vlerësim të shkëlqyeshëm. Duke marrë parasysh vlerësimin e performancës sipas të dhënave i rekomandoj Këshillit Gjyqësor që të propozojë te presidentja e Kosovës riemërimin e 45 gjyqtarëve me mandat të përhershëm”, tha ajo.

Nga 1 korriku 2025, gjykatësit Fisnik Nuli dhe Vlora Pacolli-Rexhepi u avancuan në Dhomat e Shkallës të Gjykatës Komerciale.

Po në këtë mbledhje të Këshillit Gjyqësor të Kosovës u shpall konkursi për kryetar të Gjykatës Themelore të Gjakovës dhe atë të Pejës si dhe konkursi i brendshëm për gjyqtarë në Gjykatën Supreme të Kosovës e konkursi i brendshëm për gjyqtarë në Gjykatën Supreme të Kosovës.

U formuan edhe disa komisione vlerësuese për intervistimin, vlerësimin si dhe rekomandimin e kandidatëve për gjyqtar mbikëqyrës si në Gjykatën e Pejës, Mitrovicës. /kp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arda Turan i ka surprizuar të gjithë, teksa është emëruar…