Kina i kthen paradhënien për vaksinat Maqedonisë së Veriut

11 mars 2021 | 00:45

Kina ka kthyer paradhënien që Maqedonia e Veriut i ka dhënë për të siguruar 200.000 doza të vaksinës kundër koronavirusit, të cilat do duhej të arrinin që në fund të muajit shkurt.

Radio Evropa e Lirë tregon se ka pyetur Ambasadën kineze në Shkup se pse është kthyer paradhënia dhe nga kjo ambasadë është thënë se Kina është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin në luftën kundër pandemisë.

“Maqedonia e Veriut vendosi të furnizohet me vaksina nga Kina dhe me këtë dëshmoi se ka besim. Kina i jep rëndësi të madhe nevojës që Maqedonia e Veriut të sigurojë vaksina dhe i mbështet kompanitë relevante që të komunikojnë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për furnizim me vaksina”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Kinës në Shkup.

Më 17 shkurt, në Maqedoninë e Veriut nisi vaksinimi i mjekëve kundër COVID-19, me mbi 4.000 doza të vaksinës së Pfizer/BioNTech, që i moridonacion nga Serbia.

Më 8 shkurt, Maqedonia e Veriut njoftoi se kishte arritur marrëveshje për sigurimin e 200.000 dozave të vaksinës Sinopharm nga Kina.

Nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut thonë se pavarësisht se kompania Sinopharm ka kthyer mbrapsht paradhënien për vaksinat, marrëveshja me këtë kompani nuk është anuluar. Sipas zyrtarëve kjo gjë ka ndodhur me kërkesë të palës kineze, për shkak të harmonizimit të dokumentacionit.

“Negociatat (me kompaninë kineze, Sinopharm) janë në fazën e fundit dhe mendoj se i gjithë procesi do të përfundojë dhe vaksinat me të vërtetë do të arrijnë në vendin tonë për një kohë shumë të shkurtër”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ndërkaq, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, të martën deklaroi se është i gatshëm që të marrë përgjegjësi për vonesat e vaksinave, megjithëse shtoi se shteti i tij nuk është i vetmi që po përballet me mungesë të vaksinave, pasi probleme me furnizim, sipas tij, kanë edhe vendet e Bashkimit Evropian.

Në Maqedoninë e Veriut po vazhdon vaksinimi i personelit mjekësor që kujdeset për pacientët me COVID-19.

Në dy javët e fundit ka pasur rritje të rasteve të reja me koronavirus dhe sipas analizave, 50 për qind e të infektuarve janë me variantin e ri britanik. Ky variant, besohet se është më ngjitës sesa varianti fillestar i virusit.

Maqedonia e Veriut, përveç se ka një marrëveshje për sigurimin e vaksinave të Pfizerit, po ashtu pret të marrë 800.000 doza të vaksinës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX. Ky program ka për qëllim që të shpërndajë vaksina në vende të varfra.

Qeveria maqedonase po ashtu ka arritur edhe një marrëveshje për furnizim me vaksinën ruse, Sputnik V.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tren pasagjerësh ka përplasur me të gjithë shpejtësinë një…