
Kjo është marrëveshja për targat (Dokument)
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për targat. Lajmin e ka bërë me dije emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Marrëveshja përmban tri pika, që përfshijnë zhbllokimin e rrugëve për në Jarinjë dhe Bërnjak, duke filluar nga e shtuna.
Sipas marrëveshjes, nga e hëna Kosova dhe Serbia do të përdorin afishe për automjetet që vijnë nga njëra-tjetra. Kjo do të shërbejë si masë e përkohshme.
Po ashtu, do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë dhe i kryesuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave. Takimi i parë i grupit të punës është paraparë të mbahet më 21 tetor në Bruksel.
Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi i punës do të paraqesë gjetjet e tij mbi një zgjidhje të përhershme.