
Klasa komuniste e Kosovës duhej të merrte përgjegjësinë për dështimet e saja
Intervistë me Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim (4)
Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim, në pjesën e katërt të intervistës dhënë për gazetën “Epoka e re” ka theksuar se pushtetarët komunistë të Kosovës në vitet 1975-1989, duke mos e kuptuar drejt popullin e vet, në vend që të manovronin me dinjitet politikisht e ideologjikisht, t’i dilnin zot popullit të revoltuar dhe kërkesës për Republikë, ata zbatuan politikat e përndjekjes ndaj atdhetarëve…
“Epoka e re”: Pas kaq dekadash, kur tash shihen ngjarjet e pozicionet post festum, a mund të thuhet se, megjithatë, në një mënyrë a në një tjetër, shqiptarët, si popull, lëvizja atdhetare dhe pushtetarët, ishim në një front kundër Serbisë, apo të paktën në frekuenca të njëjta, por me qasje diverte?
Hajdin Abazi: Serbomëdhenjtë na shihnin si pengesë të gjithëve: pushtetarët sepse ishin shqiptarë dhe nuk kishte besim te ta; atdhetarët si armiq kryesor të cilët duhej t’i eliminonte si boshtin kurrizor të rezistencës kombëtare, e popullin – si substancë shqiptare që duhej terrorizuar deri në zhdukje (ju kujtohet se edhe në momentet kur Serbia bombardohej nga NATO-ja në pranverën e vitit 1999 në mbrojtje të popullatës civile shqiptare, regjimi shovinist i Milosheviqit ndërmori shpërnguljen e rreth një milioni shqiptarëve vetëm e vetëm që ta bënte realitet spastrimin etnik dhe serbizimin e Kosovës).
Por ne, përbrenda, nuk ishim të njëjtë në aspektin kombëtar dhe politikisht (ashtu për shembull, sikurse ishin shqiptarët në pushtetin turk-otoman me lëvizjen e masave, të cilave madje edhe ju dolën në ballë si në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ashtu edhe të Pavarësisë) . Masat e gjera shqiptare e ndjenin në kurriz të tyre jo vetëm pabarazinë reale (që nuk ishte veç fjalë goje, por thelbësisht e vërtetë) se persekutimi i godiste në familje duke ju shkaktuar plagë e dhembje të pafund dhe ato e shihnin se bisha e fjetur po zgjohej edhe më e uritur se më parë sa që do të sulej për shfarosje prandaj ato ishin të mbushura mllef nga padrejtësitë e deriatëhershme dhe rreziqet në ardhje; lëvizja atdhetare po martirizohej paqësisht për ta mbajtur gjallë rezistencën, për të ruajtur vetëdijen kombëtare dhe për t’u ngjallur besim njerëzve se jemi të pathyeshëm e të panënshtrueshëm; kurse pushtetarët komunistë të Kosovës në vitet 1975-1989, duke mos e kuptuar drejt popullin e vet, në vend që të manovronin me dinjitet politikisht e ideologjikisht (le të themi ta vinin në kudhër lëvizjen atdhetare) por t’i dilnin zot popullit të revoltuar dhe kërkesës për Republikë, ata zbatuan politikat e përndjekjes ndaj atdhetarëve, duke shpresuar se vetëm me atë do ta ruanin pozitën e vet dhe të autonomisë, me çka jo vetëm u bënë ekzekutor të politikës antishqiptare, por edhe vetë e pësuan dhe humbën edhe autonominë.
Pra, duke mos i dalë në mbrojtje popullit të vet të revoltuar dhe duke mos i demantuar etiketimet e Beogradit, ata çuan sinjale të gabuara te të tjerët, para se gjithash te udhëheqjet e republikave të tjera, të cilat do të kenë kuptuar se mbase kishte diçka të bazuar në ato që i thoshte Beogradi; mbase, ndër të tjera, ata mbajtën qëndrim bukur indiferentë: nëse ju që duhet të ngrini zërin e të kundërshtoni – nuk e bëni, pse të dalin kundër të tjerët, kështu në një farë mënyre Serbisë iu lanë duart mjaft të lira e madje edhe mori mbështetjen e organeve federative, dhe pushtetarët e Kosovës thuaja gjithçka pranuan sidomos në linjën politike.
Madje, as ideologjikisht nuk ishin të guximshëm komunistët shqiptarë të Kosovës, sikurse e thash më sipër lidhur me mos kundërshtimin e etiketimeve serbomëdha të cilat ishin krejt false. Ata në njërën anë ishin ideologjikisht komunistë e në anën tjetër nuk ishin në gjendje nga pozitat e kësaj ideologjie te demantonin abuzimin e saj duke lansuar etiketime që kurrkund nuk përputheshin me realitetin, e duke mos e bërë letë, thënë më së lehti, ata që në start u treguan oportunistë.
Asokohe, nuk e bënë këtë. Madje, pushtetarët komunistë u distancuan edhe vetë nga kërkesa për Republikë në vitin 1981 e këtej duke e dënuar verbalisht e publikisht, dhe me arrestimet dhe burgosjet masive (edhe në vitet kur A. Vllasi ishte numri një i Kosovës). E sot A.Vllasi thotë: “Nuk besoj se kish naj budallë që nuk e donte Republikën’. Po, me dashtë a kanë dashtë të gjithë, e vërtetë, por jo edhe me e mbrojtë kur ishte koha – këtë e bënë vetëm atdhetarët dhe populli, por jo edhe pushtetarët komunistë të asaj kohe të cilët ekzekutuan dënimet e mijëra shqiptarëve me burg vetëm për kërkesën për Republikë. Dhe ky është dallimi, të cilin A. Vllasi përpiqet ta anashkalojë sikur të gjithë ishim njëlloj: jo, shok Azem, nuk ishim njëlloj si ju që me politikat tuaja nga viti 1978 ishit në frekuenca me serbomëdhenjtë dhe na persekutonit, sikurse ne që e kundërshtonim shovinizmin serbomadh dhe persekutoheshim me urdhra të tyre por nga ju. Kjo është e vërteta.
“Epoka e re”: Ti po thua se të gjithë heshtën dhe ju nënshtruan politikës serbomadhe, apo jo, dhe për këtë po thua se përgjegjëse është klasa komuniste e Kosovës. Po si ishin perceptimet e vendeve të tjera asokohe?
Hajdin Abazi: Po, ashtu është. Sikurse dikur mburrej për arritjet në vitet 1967-1980, klasa komuniste e Kosovës duhet të merrte përgjegjësinë edhe për dështimet e saja. Kur je në një pozitë shtetërore ke përgjegjësi politike edhe nëse nuk i përmbush obligimet ndaj popullit e edhe ndaj rendit kushtetues. Dhe këtë ata nuk ia arritën; mbasi kishin bërë shumë lëshime, e kur u përpoqën paksa të kundërshtonin në vitet 1988-1989 –ishte bërë vonë sa më as rezistenca e armatosur në ato vite nuk do të mund ta ndalte revanin serbomadh. Nga viti 1981 e deri te vitit 1988 reagimi i udhëheqjes së atëhershme të Kosovë ishte aq soft sa më shumë ishte shpërfaqje e nënshtrimit (mjafton të kujtohet deformimi i flamurit kombëtar kur iu vendos ylli jugosllav anash) dhe nuk arriti në asgjë ta frenojë Serbinë.
Mos guximi politik për ta mbrojtur të vërtetën nxori në shesh se ata ishin frikacakë, të padenjë për të qenë pushtetarë, po qe se krahasohen me sllovenët, kroatët e boshnjakët të cilët, kur i kërcënoi Serbia, ata kundërshtuan hapur në forume partiake dhe shtetërore dhe organizuan edhe rezistencën fillimisht politike e pastaj edhe të armatosur të popujve të tyre.
Qëndrimi “defensivë” i pushtetarëve komunistë të Kosovës pati edhe të tjera pasoja, sikurse e përmenda më parë.
Shqiptarët e Kosovës, për fat, nuk ishin të vetëm. Kur e gjithë Jugosllavia, përfshirë edhe komunistët shqiptarë të Kosovës, po vepronin sipas skenarit serb antishqiptar dhe po villnin helm e vrer kundër qytetarëve shqiptarë të revoltuar dhe duke i etiketuar ato zi e më zi (e kam fjalën për shkurt-mara-prill 1981), dhe kur vendet euro-atlantike ishin përgjithësisht konfuze se çfarë po ndodhte, ishte vetëm një vend në botë që haptazi mbrojti drejtësinë e kërkesës për Republikë dhe tregoi se revolta e qytetarëve shqiptarë ishte rrjedhojë e shtypjes nacionale dhe se shqiptarët me kërkesën për Republikë po shtronin zgjidhjen për një barazi të vërtetë nacionale në shtetin ku ndodheshin, pra në Jugosllavi.
Ky shtet ishte Shqipëria.
A.Vllasi edhe në intervistën e apostrofuar shprehet me nënçmim për regjimin e Enver Hoxhës, duke u përpjekur të thotë se më i mirë ishte socializmi jugosllav se sa socializmi shqiptar. Ç’është e vërteta, në aspektin kombëtar Jugosllavia asgjë nuk kishte çfarë të krenohej kundrejt Shqipërisë pasi që shqiptarët padrejtësisht i kishte ndarë në katër njësi, dhe vetëm njërës i kishte njohur statusin gjysmak të krahinës autonome, dhe po vazhdonin persekutimet mbi baza nacionale kundër shqiptarëve në Jugosllavi. Edhe sa i përket fundit, komunizmi i Shqipërisë nuk përfundoi me luftëra të përgjakshme ashtu sikurse komunizmi jugosllav, ku humbën jetën rreth një milionë njerëz. Të dyjat ishin diktatura komuniste, të dyjat ndiqnin e përndiqnin ata që nuk pajtoheshin me komunizmin, porse komunizmi jugosllav shqiptarët i përndiqte pastërtisht në baza kombëtare – vetëm pse ishin shqiptarë dhe pse kërkonin barazi reale kombëtare. Ky është dallim i madh, shoku Azem.
“Epoka e re”: Po përse kishte rëndësi se çfarë thoshte Shqipëria komuniste, kur populli ynë po kërkonte Republikë në kuadër të Jugosllavisë?
Hajdin Abazi: Epo, rrethanat ishin të tilla. Të dyja vendet, Shqipëria dhe Jugosllavia, ishin komuniste, e para me diktaturë të proletariatit, kurse tjetra pak më liberale por njëlloj me diktaturë ideologjike dhe politike.
Për ne shqiptarët pak çonte peshë ideologjia asokohe: socializëm ky, socializëm ai; njëri e akuzonte tjetrin për revizionizëm, tjetri për stalinizëm. Për ne ishte përcaktuese çështja kombëtare dhe qëndrimi ndaj saj. Shqipërinë, përtej aspektit ideologjik e të socializmit, e shihnim si atdhe tonin prej të cilit na kishin ndarë padrejtësisht. Dhe kur Shqipëria (në vitin 1981) doli në mbrojtje ndaj qindra-mijëra shqiptarëve të Kosovës që ishin revoltuar kundër persekutimit dhe po kërkoni barazi nacionale jo vetëm me fjalë por edhe në praktikë, lëvizja atdhetare dhe populli u ndjenë më të sigurt në të drejtën e tyre dhe u bindën se ishin në anën e drejtë të historisë. Kjo asokohe ishte tepër e rëndësishme.
Perëndimi do të dëgjonte propagandën jugosllave kundër revoltës qytetare, do të dëgjonte kërkesat e demonstruesve por gjithsesi do të dëgjonte edhe zërin e Shqipërisë, pasi që artikulohej arsyeshëm, në mënyrë të ekuilibruar dhe realisht korrekt – madje në përputhjen e të qëndrimeve evropiane (si ajo për mos ndryshimin e kufijve të jashtëm të shteteve). Argumentet që shtroheshin si në rrafshin historik, ashtu edhe në atë politik e të sigurisë ishin të tilla që ishin edhe të mbështetura e edhe të qëndrueshme dhe që koha do t’i vërtetonte.
Asokohe, mbështetja e Shqipërisë dhe personalisht e Enver Hoxhës për shqiptarët në ish-Jugosllavi ishte tejet e rëndësishme, pasi po fliste gjysma e kombit shqiptar. Nga atje përcillej qartë mesazhin se e vetmja kërkesë e drejtë për shqiptarët ishte kërkesa për konstituimin e Republikës së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë. Me fjalë të tjera, Shqipëria mbështeste vetëm kërkesën për Republikë dhe asnjë pretendim tjetër. Më qartë se kaq, nuk kishte çfarë e si të thuhej – kështu edhe demantohej pretendimi i Serbisë se Shqipëria i kishte nxitur, edhe i tregonte botës se shqiptarët e Kosovës ishin kundër shtypjes nacionale por jo kundër rendit federativ. Pa fije dyshimi se kjo mbështetje ishte vendimtare për orientimin e drejtë të rezistencës kombëtare.
Dhe lëvizja e shqiptarëve, në këtë frymë dhe për të bashkuar të gjitha forcat në rezistencën kombëtare, në vjeshtën e vitit 1981 ilegalisht pati botuar “Tezat për Frontin Popullor të Republikës së Kosovës”, ku parashihej bashkimi i gjerë i organizatave atdhetare në një front ë përbashkët. U bënë përpjekje intensive për bashkimin organizativ. Inteligjenca serbe me atentat u mori jetën tri figurave kryesore të asaj kohe: Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Megjithatë, një vit më pas sido që të jetë ky bashkim u bë, duke krijuar Lëvizjen për Republikën Shqiptare në Jugosllavi. Dhe me gjithë përndjekjet, arrestimet, burgosjet, dënimet e likuidimet nga regjimi komunist, lëvizja atdhetare do të pësojë shumë por nuk do të shuhet, do të rigjenerohet dhe do të ruajë vazhdimësinë e rezistencës shqiptare, duke paguar një çmim të lartë.
“Epoka e re”: Ngritja e rinisë në protesta e demonstrata të vitit 1981: a kishte diçka të vërtetë në shpjegimet e A. Vllasi në intervistën në “Pikë”?
Hajdin Abazi: Jo, aspak jo.
Ai, me narrativën e tij, vetëm tregon se sa ka qenë i shkëputur nga përjetimet e popullit të tij, se sa larg ka qenë nga gjendja e rëndë e shtypjes e si rrjedhojë edhe e pakënaqësisë së shtresave të gjera qytetare të Kosovës.
Ai tregon se si nuk i ka kuptuar aspak ato zhvillime dhe mënyrën shumë të zgjuar të rinisë studentore për të organizuar revolta.
Ajo qysh e shpjegoi fillimin e protestave është perceptim rigjid i tij dhe i klasës politike komuniste të asaj kohe dhe çuditërisht i pandryshuar as edhe tash, pas më shumë se katër dekadave të revoltës kombëtare të Kosovës.
Madje, A. Vllasi bën një portretizim protestës së 11 mars 1981, deri në karikaturizim. Aq ka qenë ai i shkëputur nga gjendja shpërthyese e popullit sa, kur ka dëgjuar thirrje e britma, ka kujtuar se janë tifozë të ndonjë ndeshje sportive dhe del të shohë se ç’po ndodhë. Dhe tregon se njëri hipi mbi një trafo gjoja për të mbajtur fjalim, e tha: “T’i japim vërmak!”. Kështu e satirizon fillimin e protestës. Kjo tregon se ai nuk e ka kuptuar kodin e komunikimit të studentëve, pasi që ajo ishte thirrje për mos t’u shpërndare po për të vazhduar e forcuar protesta (ndoshta nga frika se mos A. Vllasi ishte aty për t’i shpërndarë).
Krejt puna, sipas të dhënave që ky udhëheqës i dikurshëm komunist dhe me sa duket edhe pushteti autonom i asaj kohe kishin, ishte se studentët ishin të pakënaqur me cilësinë e ushqimeve në mensën e studentëve. Prandaj, me kërkesën e Mahmut Bakallit, A. Vllasi paska shkuar te studentët protestues për t’i dëgjuar kërkesat e tyre dhe, pa fije dyshimi, për të ndikuar te ta.
A. Vllasi tregohet i sinqertë kur rrëfen për komunikimin me studentët. Kur i kanë pyetur studentët se çka po duan, ai thotë se “S’na kallxojshin” e “Bojshin hajgare me neve”. Në të vërtetë, ata kanë shprehur mosbesim te ta si udhëheqës dhe kanë komunikuar sikur gjoja nuk e dinin se çfarë donin e përse po e bënin, dhe janë tallur me ta. Dhe kishin të drejtë, sepse Vllasi po u kërkonte që pikërisht atë ditë të mos protestonin, pra më 26 mars pasi që “stafeta e Titos” kalonte nëpër Prishtinë e Kosovë drejt Maqedonisë. Ai tregon se i kishin lutur studentët që vetëm sot jo, po “ata ishin këmbëngulës që atë ditë me bë problem”! Duke e theksuar “me bë problem”, i bie sikur ata ishin njerëz të zënkave dhe nuk merrnin vesh asgjë; porse ata nuk donin “me bë problem”, por demonstratë, me e ngritë zërin e protestës. Ai nuk kishte kuptuar aspak se studentët e kishin përcaktuar pikërisht atë datë dhe për shkak të atij eventi, që të arrinin efektin maksimal dhe të ndiznin alarmin për rrezikun ndaj kombit dhe ndaj vetë federatës jugosllave. Dhe jo vetëm kaq, po se ata ishin të gatshëm edhe për sakrifica. Vllasi e përmend se studentët thoshin: “Ma mirë tim e barut se Xhavit e Mahmut”! (Xhavit Nimani e Mahmut Bakalli).
Duke folur për bisedën me studentët, Vllasi thotë se kërkesa për ushqimin e keq të mensës së studentëve ishte e drejtë dhe mund të plotësohej. Mënyra se si e artikulon ai, le të kuptojë se ai kishte pritur thjeshtë kërkesa studentore. Dhe nuk kishte as idenë se çka ishte shtytja e njëmendtë e protestave.
Ndaj ai befasohet kur aty u nxor dhe një parullë tjetër: “Trepça punon, Beogradi ndërton!”. A. Vllasi thotë se kjo parullë mund t’u shkonte minatorëve, por jo studentëve! A thua, kaq i cekët paska qenë njeriu që kishte pozita në federatë e më pas do të jetë edhe udhëheqësi numër një i komunistëve të Kosovës?! Kaq i paditur, sa të mos e kuptonte se me këtë parullë studentët po thoshin se Kosova eksploatohej nga Serbia, se resurset e Kosovës shkonin në Serbi dhe me këtë se Kosova shfrytëzohej si koloni?! Dhe kjo ishte jo kërkesë sindikaliste, po ishte puro politike që tregonte pozicionin real të Kosovës kundrejt Serbisë dhe kundërshtimin e saj.
Me këtë narrativë, duke dashur të thotë se kaq të paqartë ishin studentët sa nuk e dinin se çka duhej ata të kërkonin si studentë, duke përhapur insinuata që kishin kuptimin se ata ia futshin kot ose ishin të manipuluar, dhe me këtë përpiqet ta minojë thelbin e protestës: studentët po tregonin se më së pakut ishte në pyetje ushqimi i keq në mensën e studentëve, po ata e kishin hallin te fati i Kosovës dhe pozita e saj që veç kishte filluar t’i rrëmihej.
Ndonëse nuk ishte e duhur kjo parullë për Trepçën sipas Vllasit, përsëri ai qëndroi t’i dëgjonte studentët. Por kur njëri nxori parullën e shkruar “Lavdi marksizëm-leninizmit”, ai e kuptoi se protesta nuk kishte të bënte me aspektet ekonomike po ishte më thellë, dhe largohet. Sikur të kishte vazhduar të qëndronte edhe më tej, mbase do ta kishte dëgjuar edhe thirrjen Kosova-Republikë. Kjo tregon se protestuesit nuk ishin të rastit po ishin të mirë organizuar dhe vepronin strategjikisht.
Është interesant se përderisa të tjerët në mbledhjen e Lidhjes Komuniste kishin folur për pakënaqësi me karakter ekonomik, tregon vetë Vllasi se ky, ne fjalën e tij, kishte bërë thirrje që të gjithë dhe sidomos forcat e sigurisë së shtetit të ishin të vëmendshëm, por që të tjerët e kishin injoruar. Kjo çfarë kishte kërkuar Vllasi, ishte një apel që sigurimi i shtetit të vihej në veprim kundër studentëve – një prej pikave ku, mbase pa dashje, tregohet krejt i sinqertë: ai kishte dashur të bëheshin veprime persekutuese ndaj atyre që protestonin me qëllim që ato të ngulfateshin, të mbyteshin.
Ajo që e ka frikësuar Vllasin ishte parulla “Lavdi marksizëm-leninizmit!” të cilën ai e kishte identifikuar me devizën e Partisë së Punës së Shqipërisë. Me siguri se po, do të ketë qenë ndonjë që e ka përcjellë TVSh. Këtë e kupton deri diku Vllasi, por atë që nuk e ka kuptuar asokohe e as kurrë është se me atë parullë i thuhej Vllasit e komunistëve të tjerë se ju nuk jeni komunistë, sepse trumbetoni liri e jemi në robëri, trumbetoni barazi e jemi rëndë të diskriminuar dhe se ju po ndiqni propagandën serbomadhe, por ne e dimë se ju jeni revizioniste, se po e shtrembëroni realitetin. Në fund të fundit, edhe doktrina komuniste e Jugosllavisë mbështetej te Marksi e Lenini, prandaj nuk kishte asgjë jashtë kornizës ideologjike komuniste. Ndryshe do të ishte sikur të ishte shkruar “Lavdi stalinizmit” atëherë po, do të kishte të drejtë të trembej Vllasi, pasi që doktrina titiste e komunizmit e kishte përjashtuar stalinizmin dhe ishte ndarë prej tij. Kjo parulle, duke ua pohuar përpara pushtetarëve të Kosovës, kishte edhe kuptimin se ju nuk jeni marksiste e as leninistë, e pra as komunistë sipas kësaj doktrine, derisa nuk e zbatoni parimin leninist të së drejtës së popujve për vetëvendosje.
“Epoka e re”: Po si ishte e vërteta atëherë, çka i nxiti studentët në protesta, cilat ishin motivet dhe shkaqet e vërteta sipas teje?
Hajdin Abazi: A. Vllasi nuk është as fer e as objektiv në shpjegimet e tij. Do të kisha dyshuar se ka probleme me mbamendjen, por mënyra se si i kujtohen në detaje ngjarjet e asaj periudhe, tregon se ai nuk e ka atë problem. Ai ka qenë në rrjedhë dhe në dijeni të persekutimeve të shqiptarëve që ju paraprinë protestave, sepse, edhe po të supozohet se nuk kishte informacion intern, kishte lajme publike që i raportonin ato.
Të mos i ketë ditur Vllasit persekutimet e vitit 1975, 1979, 1980?!
Kur janë në pyetje ato vite Vllasi i kujton vetëm anët e lulëzimit, por jo edhe dhunën policore.
Sipas Vllasit në vitin 1981 kërkesa për Republikë ishte jo e duhur, sepse rrethanat nuk ishin të volitshme (e kur do të ishin? Edhe sa shqiptarët duhej të duronin në heshtje përndjekjet politike me pretekst kombëtar? Kur do të ishte koha e duhur?), njëkohësisht e pranon se më së shumti që do të kishte mundur të bënte regjimi komunist i Kosovës ishte se do të kishte dëgjuar kërkesën për Republikë por nuk do të kishte mundur të premtonte bërjen e saj që domethënë as angazhimin për të. Kjo i bie që, ju duhet të duroni deri në pafundësi, sepse rrethanat nuk janë të favorshme – e po të pritej që ndokush t’i ndryshonte rrethanat, atëherë ne me siguri do të ishim ende, edhe sot e kësaj dite, nën pushtimin e Serbisë, sepse rrethanat dhe gjendjen nuk e ndryshojnë të tjerët po vetë popujt, e pastaj involvohen faktorët e tjerë.
Këtu, edhe një herë, thënia e Vllasit se “nuk kish budallë që nuk e donte Republikën”, por që duhej pritur ditë më të mira – ditë të cilat në ish-Jugosllavi nuk do të vinin kurrë, shndërrohet në një demagogji që të justifikojë sjelljen nënshtruese të udhëheqjes komuniste – edhe pse dihet epilogu, se ajo sjellje nuk e pengoi në asgjë shovinizmin serbomadh në krye me Milosheviqit. (Vijon)