
Klerikët fetarë nga Haga: Krerët e UÇK-së janë të pafajshëm
Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava dhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, këtë të shtunë kanë qëndruar në Hagë, ku kanë vizituar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Tahçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të tjerët, në ambientet e qendrës së paraburgimit.
Sipas klerikëve fetarë gjendja shëndetësore e krerëve të UÇK-së është e mirë, duke uruar kështu që të njëjtit të kthehen sa më shpejtë në vendin e tyre.
Për Naim Tërnavën krerët e UÇK-së do ta kalojnë ballafaqimin me gjykatën e drejtësisë dhe do të kthehen në Kosovë si të pafajshëm.
“Sot jam më se i gëzuar që pata rasti që bashkë me ipeshkvin e Kosovës, bashkërisht t’i takojmë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke filluar te vet presidenti e tutje. Patëm rastin që të bisedojmë me ata. Gjendja e tyre shëndetësore ishte jashtëzakonisht e mirë dhe besojmë se edhe këtë ballafaqim me gjykatën e drejtësisë, këtu në Hagë do ta kalojnë dhe do të kthehen sa më shpejtë në Kosovë si të pafajshëm”, ka thënë Tërnava për Kosova Press.
Në anën tjetër Ipeshkvi Dodë Gjergji është shprehur i lumtur për mundësinë e vizitës së krerëve të UÇK-së, derisa ka uruar të kthehen sa më shpejtë në vendin e tyre.
“Po ashtu jam i kënaqur që sot kisha mundësi të bëjë një vepër të mëshirshme, për të vizituar njerëzit që iu mungon mundësia e lirisë. Urojmë që të kthehen sa më shpejtë në shtëpi”, tha ai.
Të dy drejtuesit fetarë dhanë edhe mesazhin e bashkimit, pamarrë parasysh përkatësisë fetare.
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.