
Klitschko: Armiku është në periferi të Kievit
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, përmes një videomesazhi ka paralajmëruar se siç i quan ai “armiku është në periferi të kryeqytetit”, teksa ka shtuar se ushtria ukrainase po përgatitet ta mbrojë Kievin.
“Forcat tona të armatosura, Forcat e Mbrojtjes Territoriale, po luftojnë heroikisht për tokën tonë. Në hyrjet e qytetit janë ndërtuar fortifikime dhe postblloqe. U kërkoj të gjithëve të ruajnë qetësinë. Mos dilni jashtë pa nevojë dhe qëndroni në strehimore në rast alarmi”, ka thënë ai.
Një kolonë masive ushtarake ruse 40 milje e gjatë, e përbërë nga automjete të blinduara, tanke, artileri të tërhequr dhe mjete të tjera logjistike, ka arritur në periferi të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, sipas “CNN”.
Në një videomesazh të mëparshëm, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se mbrojtja e Kievit është “prioriteti kryesor i qeverisë”.
“Kiev është i veçantë. Nëse mbrojmë Kievin, do të mbrojmë edhe shtetin. Kjo është zemra e vendit tonë dhe duhet të vazhdojë të rrahë”, ka thënë Zelensky.
Duke i bërë jehonë komenteve të presidentit, Klitschko ka thënë se forcat ruse duan të “marrë zemrën e vendit tonë”.
“Ne do të luftojmë dhe nuk do të heqim dorë nga Kievi”, ka thënë ai.