KMDLNj: Ministria e Financave po i shkel të drejtat e nënave lehona

07 korrik 2022 | 12:26

Për të gjitha nënat lehona të cilat në vitin e fundit nuk kanë qenë të angazhuara me punë, Qeveria e Kosovës në shtator të vitit 2021 kishte marrë vendim që t’i paguajë të njëjtat për periudhën gjashtëmujore me nga  170 euro. Kjo pagesë njihet si masa 3.5 – Pagesa për lehona dhe shtesat për fëmijë.

Lidhur me këtë çështje, ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), duke thënë se pas këtij vendimi nënat lehona kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të përfituar nga kjo masë.

Sipas KMDLNj-së, kohëve të fundit ka pranuar ankesa se Ministria e Financave dhe e Transfereve po ua shkel të drejtën në përfitimin e kësaj të drejte shumë nënave lehona. “Disa nga to kanë qenë të angazhuara në punë një ditore, kryesisht në procesin zgjedhor në Kosovë e që pa të drejtë ka qenë arsye për Ministrinë t’ua ndalë të drejtën për këto përfitime. Ministria ka një linjë telefonike e cila gjatë 90 për qind të kohës është e paqasshme për t’u informuar në lidhje me mos pagesat e lehonave. Edhe KMDLNj e ka vërtetuar këtë pohim të nënave lehona. Kurse, përveç linjës telefonike, ka edhe një ‘komision’ i cili i shqyrton ankesat e lehonave. Sipas pohimeve që i kemi marrë nga zyrtaret e linjës telefonike pa pagesë, ky komision nuk dihet se kush e përbënë, kur takohen, ku apo si i shqyrtojnë ankesat?! Ka një email adresë në të cilën mund të drejtohesh por që asnjëherë nuk merr përgjigje. Pas insistimeve të KMDLNj-së për një rast të veçantë zyrtaret e linjës telefonike na pohojnë se ‘mos i jep zor bre se s’ka qare pa i marrë ato pare!’”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Ky këshilli ka theksuar se mohimi i të drejtës fillimisht për t’u informuar i të gjitha nënave lehona për të realizuar të drejtën e tyre paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. “Qasja dhe sjellja e zyrtareve të cilat përgjigjen në linjën telefonike duhet të jetë në përputhje me sjelljen zyrtare duke respektuar të drejtën e nënave për informim. Ministria duhet urgjentisht t’u kthej përgjigje të gjitha nënave të cilat po presin përgjigje për realizimin e të drejtës së tyre. Gjithashtu, komisioni i cili vlerëson ankesat duhet të jetë më i përgjegjshëm në trajtimin e lëndëve dhe informimin e palëve për ankesën e tyre”, është thënë në këtë reagim.

Po ashtu, për KMDLNj-në është e papranueshme qasja e zyrtarëve të kësaj ministrie  të cilët janë duke u thënë nënave lehona se parat do t’i marrin por “nuk duhet me i dhënë zor”. “Kjo është fyese dhe qasja e tillë duhet ndaluar. Të gjitha nënat lehona duhet të realizojnë të drejtën e tyre në përfitimin e drejtë dhe në kohë të mjeteve nga Masa 3.5. KMDLNj inkurajon të gjitha nënat lehona që të paraqesin rastet e tyre në KMDLNj. KMDLNj thërret që Ministria e Financave të ndalojë vazhdimin e këtyre shkeljeve dhe të u përgjigjet të gjitha atyre që kanë parashtruar ankesë në mos realizimin e të drejtës së tyre”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Melisa Dauti e lindur me 10.10.1989 ne Oher. Shpall te…