Koalicioni i OJQ-ve: Emëroni më shumë gra komisionere dhe kryesuese të vendvotimeve

26 gusht 2021 | 12:52

Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim u është drejtuar me një letër të hapur subjekteve politike, ku u bënë thirrje që të emërojnë më shumë gra komisionere dhe kryesuese të vendvotimeve në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

“Përgjatë proceseve të kaluara zgjedhore, përfshirja e grave në zgjedhje, me theks në trupa menaxhuese të zgjedhjeve ka qenë minimale. Ne i çmojmë veprimet që ju keni ndërmarrë në të kaluarën për ta adresuar këtë problematikë dhe ju rikujtojmë që në vitin 2015 ju keni nënshkruar një deklaratë për rritjen e pjesëmarrjes së grave në këto trupa, duke u zotuar mes tjerash që të propozoni gra në të gjitha pozitat e trupave menaxhuese të zgjedhjeve në nivel prej të paktën 40 për qind. Sidoqoftë, ky zotim nuk është përmbushur në asnjë nga proceset zgjedhore të organizuara që nga viti 2015”, është thënë në këtë njoftim të koalicionit të OJQ-ve Demokracia në Veprim.

Sipas këtij njoftimi të këtij koalicioni të OJQ-ve, në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017, gratë përbënin vetëm 10 për qind të përbërjes së KKZ-ve, 29 për qind të komisionerëve në ditën e zgjedhjeve, si dhe vetëm 14 për qind të kryesuesve të vendvotimeve.

“Përderisa afati zyrtar për krijimin e vendvotimeve fillon më 15 shtator, ne jemi të sigurt që ju tashmë keni filluar procesin e rekrutimit të anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve. Kjo periudhë është një mundësi e shkëlqyer për ju, që në procesin e përpilimit të listave të komisionerëve, në përputhje me parimin e barazisë gjinore dhe në respektim të Deklaratës së nënshkruar nga vet ju, të propozoni numër të barabartë të komisionerëve nga të dy gjinitë, apo minimalisht në nivelin prej 40 për qind. Gratë duhet të zënë vend meritor e të barabartë edhe në kuadër të propozimeve për kryesues të vendvotimeve, prandaj duhet të bëni përpjekje serioze që të arrini këto objektiva dhe të jepni shembull që subjektet tuaja në fundament janë demokratike, gjithëpërfshirëse dhe ofrojnë mundësi të barabartë për të gjithë”, është theksuar në njoftimin e koalicionit të OJQ-ve Demokracia në Veprim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besart Berisha i ka dhënë fund përvojës në futbollin australian.…