Koci: Ulja e tensioneve në prag të zgjedhjeve është urgjencë kombëtare

21 nëntor 2025 | 12:27

Në “Përballje Podcast”, analisti politik Melazim Koci dha një paralajmërim të rëndësishëm për gjendjen aktuale politike në Kosovë, duke e quajtur këtë moment një nga më delikatët e viteve të fundit.

Ai theksoi se vendi po ndodhet në mes të një presioni të shumëfishtë, ku dezinformimi dhe operacionet hibride të Serbisë po shfrytëzojnë maksimalisht tensionet e brendshme.

Koci tha se situata është bërë tejet e rrezikshme dhe kërkon maturi të menjëhershme nga subjektet politike. “Është bërë imperativ që subjektet politike t’i ulin tensionet. Për një arsye shumë të thjeshtë, Kosova është në tehun e luftës hibride të Serbisë”, ka shtuar ai.

Koci tha se veprimet hibride nuk vijnë vetëm nga Serbia, por janë të ndërthurura edhe me ndikime nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë. “Ajo luftë hibride e Serbisë qe zhvillohet nga qendra në Nish, në Beograd… e po të mos e them Moskën. Sepse është një luftë e kombinuar ruso-serbe”, ka potencuar ai, transmeton “Telegrafi”.

Sipas Kocit, polarizimi i brendshëm e bën Kosovën edhe më të prekshme. “Nëse ne akuzohemi ndërmjet veti, ky është agjent serb, ai është njeriu i Serbisë… ajo luftë hibride shumëfishohet”, deklaron ai.

Koci shton se është jashtëzakonisht e lehtë që struktura të Serbisë të krijojnë profile të rreme në rrjetet sociale. “Nuk është e vështirë të hapen një mijë profile në Beograd me emra shqiptarë dhe të gjuash benzinë ne zjarr”, deklaron Koci.

Analisti tha se retorika e ditëve të fundit e ka kaluar çdo kufi. “Kurrë më e rëndësishme s’ka qenë ulja e tensioneve. Duhet hequr menjëherë nga fjalori gjuha e urrejtjes. Ka pasur oratori të rrezikshme. Kosova duhet të ruajë qetësinë”, ka përfunduar ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e 22-të, Senati i Universitetit të Prishtinës miratoi…