KOK-u dhe KOKSH-i do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

20 shtator 2021 | 22:23

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), në krye me presidentin Ismet Krasniqi, janë mirëpritur nga drejtuesit e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSh), në krye me presidentin Fidel Ylli.

Presidenti Krasniqi shoqërohej edhe nga sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, nënpresidentët Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv, Bujar Turjaka, ndërsa nga KOKSh, të pranishëm ishin edhe sekretari i përgjithshëm, Gerti Shima dhe anëtarët e bordit ekzekutiv, Gjergj Ruli, Enkelejda Caushi, Labo Capo dhe Endrit Hoxha. Të dyja palët shkëmbyen ide të ndryshme të bashkëpunimit mes dy komiteteve olimpike, të cilat pritet të zyrtarizohen me nënshkrimin e një memorandumi të bashkëpunimit.

“Pikat në të cilat të dyja palët u pajtuan janë: Hartimi i planeve strategjike dhe përcaktimi i kalendarëve të aktiviteteve për planin katërvjeçar, kurse të përbashkëta nga Solidariteti Olimpik për trajnerët dhe gjyqtarët, memorandume bashkëpunimi mes federatave të ndryshme për të shkëmbyer eksperienca administrative dhe organizative për ngritjen apo zhvillimin e sporteve të caktuara, kampionate sportive të përbashkëta, përgatitje të përbashkëta të sportistëve para ngjarjeve të rëndësishme sportive, identifikimi i sportistëve më të mirë dhe dhënia e titujve si Laureatët e Vitit, shkëmbimi i përvojave në fushën e edukimit sportiv dhe atij olimpik, takime pune të shpeshta për mbarëvajtjen dhe monitorimin e planeve të punës”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Në fund të takimit u shkëmbyen edhe dhurata simbolike, ndërsa u bisedua edhe për takimin e radhës që përfshin të dyja bordet ekzekutive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pronari  i Sallonit të Automobilave “Ismaili”, Nazmi Ismaili me prejardhje…