
Kolonizimi i djeshëm, propaganda e sotme, kërcënimi i nesërm
Shkruan: Gurakuq Kuçi
Në gusht 2020, presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, në koordinim me autoritetet e Republika Srpska-s, shtynë përpara idenë e krijimit të “Ditës së Unitetit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar serb”. Në të njëjtën kohë, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Aleksander Vulin, sot në listën e zezë të SHBA-së, e proklamoi publikisht projektin e ashtuquajtur “Bota Serbe”.
Kjo “ditë e unitetit serb” është lidhur me ofensivën e 15 shtatorit 1918 në Frontin e Selanikut, gjatë Luftës së Parë Botërore. Pikërisht në të njëjtën periudhë filloi edhe procesi i kolonizimit të Kosovës me serbë dhe shpërngulja e shqiptarëve, siç e dokumenton Dr. Milovan Obradoviq në librin “Reforma Agrare dhe Kolonizimi i Kosovës 1918-1941”.
Parada e sotme, ku Serbia shfaqi “forcën” ushtarake sipas modelit të Kinës dhe Rusisë, shërben si mjet mobilizimi përmes nacionalizmit dhe frikësimit, duke ushqyer propagandën shtetërore. Fakti që parada u zhvillua më 20 shtator, dhe jo më 15 shtator, vetëm për shkak se Vuçiq ishte jashtë vendit, tregon se pas retorikës së “bashkimit” fshihet një projekt i kontrolluar politikisht dhe i instrumentalizuar për pushtetin e tij personal.
Ky pushtet është edhe themeli i shtrirjes së Rusisë në Ballkanin Perëndimor, prandaj çdo politikë për shkak të “stabiliokracisë” dhe “paqëtimit” është dhënie kohë për realizimin e “Botës Serbe”.