Komandanti i FSK-së dhe ai i KFOR-it diskutojnë për sigurinë në Kosovë dhe rajon
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral Bashkim Jashari, ka pritur të hënën në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë në vend dhe në rajon, si dhe për zhvillimet brenda FSK-së.
Sipas njoftimit të FSK-së, Jashari i ka uruar mirëseardhje Ulutashit dhe e ka përgëzuar për detyrën e re si komandant i KFOR-it, duke i dëshiruar sukses në këtë përgjegjësi të rëndësishme.
“Gjatë takimit ata diskutuan për zhvillimet e fundit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke përfshirë trajnimet, stërvitjet, sfidat, operacionet dhe aktivitetet e tjera të saj. Po ashtu, u fol edhe për situatën aktuale të sigurisë vendore dhe rajonale, si dhe për sfidat e përbashkëta me të cilat përballen”, ka njoftuar FSK-ja.
Në takim është theksuar edhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it, që sipas forcës, është kyç për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë.
“U theksua rëndësia e thellimit të këtij bashkëpunimi, i cili do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe sigurisë si në Kosovë, ashtu edhe në rajon”, ka njoftuar FSK-ja.



