Komandanti i policisë dhe ai i KFOR-it diskutojnë për vazhdim të bashkëpunimit në funksion të sigurisë
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka zhvilluar takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ulutash.
Në këtë takim sipas komunikatës është diskutuar për bashkëpunimin në funksion të ruajtës së sigurisë.
“Në takim u konfirmua vazhdimi i bashkëpunimit të mëtejmë dhe avancimi i shkëmbimit të informacioneve në funksion të ruajtjes së një ambienti më të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Pikë tjetër e diskutimeve ishin aktivitetet e përbashkëta në mes të PK-së dhe KFOR-it, të cilat reflektojnë në situatën e sigurisë në tërë vendin, përfshirë veriun”, ka njoftuar policia.
Të dy palët janë dakorduar se vazhdimi i bashkëpunimit, mirëbesimit dhe realizimit të aktiviteteve të përbashkëta, ndikon në rritjen e mëtejme të nivelit të sigurisë së përgjithshme.



