KOMF-i kërkon nga qeveria krijimin e Masës së përkohshme për funksionalizimin e shërbimeve sociale

22 prill 2024 | 15:11

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, i cili përfaqëson tridhjetë e katër organizata joqeveritare, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, krijimin e Masës së përkohshme për funksionalizimin e shërbimeve sociale në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, si një masë tranzitore deri në rregullimin e financimit të qëndrueshëm për shërbime sociale.

Ministria e Drejtësisë, në mars 2024, në mbështetje të shërbimeve sociale ka ndarë 1.5 milionë euro për subvencionimin e shërbimeve të 40 organizatave joqeveritare të licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale.

Megjithatë, ky fond nuk është i mjaftueshëm për të funksionalizuar ofrimin e shërbimeve sociale për fëmijët e cenueshëm, sikurse fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët viktima të dhunës dhe abuzimit, fëmijët në punë të rënda, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët përdorues të drogave, fëmijët në konflikt me ligjin, si dhe familjet e tyre.

“Bëjmë me dije se ofruesit e shërbimeve sociale në vitin 2024, janë në gjendjen më të rëndë sa i përket financimit të shërbimeve sociale krahasuar me vitet e fundit. Kjo për arsyen, që në dhjetor 2023, për pjesën dërrmuese, kanë përfunduar programet dhe projektet e donatorëve ndërkombëtarë në mbështetje të shërbimeve sociale, duke lënë zbrazëtira të mëdha në financimin e shërbimeve sociale. Duke pasur parasysh që pjesa dërrmuese e ofruesve nga sektori joqeveritar që ofrojnë shërbime sociale janë financuar në masën më të madhe nga donatorët ndërkombëtarë, të cilët prej disa muajsh kanë mbyllur programet, situata aktuale është në prag të kolapsit”, është thënë në komunikatën e KOMF-it.

Sipas të dhënave të organizatave anëtare të KOMF-it, mbështetja aktuale e marrë nga Ministria e Drejtësisë, mesatarisht mbulon me rreth 66% shërbimet rezidenciale dhe me rreth 21% shërbimet sociale ditore.

“Në anën tjetër, përkundër decentralizimit të shërbimeve sociale, akoma nuk është rregulluar mekanizmi i financimit të qëndrueshëm të shërbimeve sociale. Për pasojë, komunat në përgjithësi nuk ndajnë buxhet për ofrimin e shërbimeve sociale, me përjashtim të disa përpjekjeve sporadike të bëra nga një numër shumë i vogël i komunave. Në këto rrethana, pavarësisht mbështetjes nga Ministria e Drejtësisë dhe vullnetit të ofruesve të shërbimeve sociale, është e pamundur për të vazhduar ofrimin e shërbimeve me kapacitet të plotë për grupet më të cenuara të fëmijëve dhe familjet e tyre në Republikën e Kosovës”, është theksuar në komunikatë.

Sipas KOMF-it, kjo situatë mund të çojë në mbyllje të shërbimeve, apo reduktim masiv të përfituesve duke ndikuar drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre.

“Nisur nga kjo KOMF ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave që të rrisë mbështetjen në ofrimin e shërbimeve sociale për grupet e cenuara përmes krijimit të një Mase të përkohshme për funksionalizimin e shërbimeve sociale, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike. Mohimi për t’i siguruar fëmijës mbrojtjen dhe kujdesin e nevojshëm për mirëqenien e tij, në mënyrë që fëmija të sigurojë mirëqenie, integrim dhe zhvillim sa më të plotë, përbën shkelje të parimeve bazë të Konventës për të Drejtat e Fëmijës dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, është theksuar në komunikatën e KOMF-it.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka thënë se mbështetja…