
Kompania amerikane largon nga puna rreth 600 punonjës që refuzuan të vaksinohen
Rreth 600 punonjës të kompanisë ajrore amerikane United Airlines po përballen vendimin për largim nga puna pasi nuk respektuan politikën e kompanisë për vaksinimin kundër COVID-19.
Pjesa dërrmuese e 67 mijë punëtorëve të kësaj kompanie amerikan kanë ofruar dëshmi të vaksinimit, e cila u kërkua të hënën.
Drejtuesit e kompanisë ajrore amerikane United Airlines thanë se vendimi për të larguar nga puna punëtorët e pa vaksinuar ishte i vështirë. Kompania ajrore me bazë në Çikago përcaktoi kërkesat për stafin e saj në luftën kundër COVID në muajin gusht. Punonjësit amerikanë duhej të dëshmonin dokumentin e vaksinimit, të paktën me një dozë deri të hënës. 593 punëtorët që kanë refuzuar të vaksinohen kundër koronavirusit tani po përballen me humbjen e vendit të punës.
“Arsyetimi ynë për të kërkuar vaksinën për të gjithë punonjësit e kompanisë United Airlines në SHBA ishte i thjeshtë – për t’i mbajtur njerëzit tanë të sigurt dhe e vërteta është kjo: të gjithë janë më të sigurt kur të gjithë vaksinohen, dhe kërkesat për vaksinë funksionojnë,” tha shefi ekzekutiv i kësaj kompanie Scott Kirby dhe presidenti Brett Hart. “Ky ishte një vendim tepër i vështirë, por ruajtja e shëndetit të ekipit tonë ka qenë gjithmonë prioriteti ynë” thanë ata.
Sikurse shumë kompani në sektorin e aviacionit, United Airlines u godit rëndë nga kufizimet e udhëtimit të lidhura me pandeminë. Në kulmin e krizës, kompania kishte njoftuar se do të detyrohet të largojnë nga puna rreth 36 mijë punonjës. Por megjithatë kompania mohoi, se politika e saj e vaksinave do të ndikonte në rekrutimin e stafit të ri në të ardhmen, megjithëse vaksinimi do të jetë një kusht i punësimit për stafin e ri.