Kompania “Pastrimi” ndërpret grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë

14 maj 2025 | 08:51

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka njoftuar qytetarët se për shkak të mospagesës së borxhit nga Komuna e Prishtinës në vlerë prej 2.7 milionë euro, është e detyruar të ndërpresë ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës.

Siç thuhet në komunikatë për më shumë se pesë muaj, komuna nuk ka përmbushur obligimet financiare ndaj kompanisë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe paralajmërimeve të përsëritura.

“Kjo situatë e ka bërë të pamundur mbulimin e kostove operative dhe vazhdimin normal të ofrimit të shërbimeve”, thuhet në komunikatë.

“Pastrimi” i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të veproj urgjentisht në shlyerjen e menjëhershme të detyrimeve dhe të rivendosë bashkëpunimin institucional në funksion të garantimit të shërbimeve bazike për qytetarët e kryeqytetit.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka reaguar ashpër ndaj ndërmarrjes “Pastrimi”, pas vendimit të saj për ndërprerjen e shërbimeve të grumbullimit të mbeturinave në Kryeqytet.

Reagimi i Brestovcit erdhi pikërisht në ditën kur Kryetari i Prishtinës paraqiti para Asamblesë Komunale një vendim për subvencionimin e pagave të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje publike.

Sipas Brestovcit, vendimi për ndërprerjen e shërbimeve është marrë nga kryeshefi i “Pastrimit”, Petrit Reqica, i cili, sipas tij, është i shtyrë politikisht nga Leutrim Retkoceri, shef i grupit të asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal.

“Ja pra, të nderuar qytetarë të Kryeqytetit, ku do ta shpinte Prishtinën vendimi i Asamblesë Komunale, i iniciuar nga Leutrim Retkoceri (PDK) dhe i mbështetur nga asamblistët e LVV-së, për monopolizimin e sektorit të menaxhimit të mbeturinave, duke e autorizuar vetëm ndërmarrjen “Pastrimi” për grumbullimin e mbeturinave në Kryeqytet — sikur ne të binim viktimë e këtij vendimi dhe të mos ndërmerrnim asnjë veprim, që do ta linte Kryeqytetin pa asnjë alternativë. Jo, Petrit Reqica. Jo, Leutrim Retkoceri”.

Ai ka kritikuar ashpër vendimin e Asamblesë Komunale për, siç e ka quajtur ai, “monopolizimin e sektorit të menaxhimit të mbeturinave”, duke autorizuar vetëm ndërmarrjen “Pastrimi” për këtë shërbim në Kryeqytet.

“Nëse nuk do të merrnim asnjë veprim, Kryeqyteti do të mbetej pa asnjë alternativë,” ka shtuar Brestovci, duke e bërë të qartë se komuna nuk do të lejojë që Prishtina të mbulohet nga mbeturinat.

Ai ka akuzuar drejtues të kompanisë dhe asamblistë të caktuar për sabotim politik dhe ka paralajmëruar se “çdo betejë për një Prishtinë të papastër është e humbur që në fillim.”

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Landit e Darmstadtit ka dënuar një 41-vjeçar me…