
Kompania “Pastrimi” rifilloi punën
Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ka filluar punën të mërkurën, një ditë pasi punëtorët s’dolën në terren duke mos u pajtuar që edhe operatorët tjerë të ndajnë llojet e operimit.
Në një komunikatë për medie, KRM “Pastrimi” ka thënë se ndërprerja e përkohshme është bërë “për shkak të vështirësive objektive”.
Ditë më parë Komuna e Prishtinës me ndërmjetësim bëri kthimin e borxhit të arkëtuar te kompania rajonale për mbledhjen e mbeturinave, pas vendimit të Gjykatës Supreme.
Ky vendim ndali edhe grevën e punëtorëve para komunës.
“‘Pastrimi’ rifillon punën në terren, e përkushtuar për pastërti dhe përgjegjësi publike Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave ‘Pastrimi’ njofton opinionin publik se ka rifilluar punën në terren për largimin e mbeturinave në të gjitha zonat që mbulon me shërbime. Pas një ndërprerjeje të përkohshme, për shkak të vështirësive objektive, puna ka rinisur të martën në mbrëmje me ndërrimin e tretë, duke u përqendruar fillimisht në zonat më të ndjeshme dhe më të ngarkuara me mbeturina”, thuhet në komunikatën e KRM “Pastrimi”, duke shtuar se ekipet janë të angazhuara për ta kthyer pastërtinë dhe higjienën në hapësirat publike sa më shpejt që të jetë e mundur.