Komploti serb për vrasjen e Dick Martyt dhe njollosja e emrit të Hashim Thaçit që punoi me Robin Cook dhe Madeleine Albright
Shkruan: Denis MacShane, ish-ministër i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Evropën
Historia është pjesë e sagës së gjatë se pse nuk ka stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe pse ky cep i vogël i Evropës është larg anëtarësimit në BE se sa kurrë më parë.
Në fund të marsit, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell njoftoi se kishte bindur liderët e Serbisë dhe Kosovës të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje për t’i lejuar Kosovës t’i bashkohet organizatave ndërkombëtare dhe të mbështesë bashkëpunimin midis Beogradit dhe Prishtinës.
Por, presidenti serb Aleksander Vuçiç, vetëm qeshi përballë Borrelit, pasi ai refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen. Vuçiç shtoi se Serbia do të vazhdojë të kundërshtojë shpresat e Kosovës për njohje nga Kombet e Bashkuara, agjencitë e OKB-së dhe Këshilli i Evropës.
Kështu, urrejtja helmuese që infekton një cep të vogël të Evropës, pikon në politikën e rajonit duke bllokuar të gjitha shpresat për përparim për t’i dhënë fund politikës që ndalon BE-në të sjellë normalitetin evropian në rajon.
Por, ky nuk është vetëm një dështim i diplomacisë dhe politikës. Janë në lojë forca më të errëta që rrallëherë diskutohen. Këtu është një shembull që deri më tani nuk është raportuar në mediat e Brukselit, Parisit, Berlinit apo Romës.
Dick Marty është një jurist që ka punuar si prokuror në Ticino, rajoni italishtfolës i Zvicrës. Ai ishte gjithashtu një politikan ambicioz në partinë kryesore liberale zvicerane të qendrës së djathtë. Ai nuk u ngrit lart në politikë dhe e kaloi interesin e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Para se të shkojmë më tej, një fjalë për Këshillin e Evropës. Unë shërbeva si anëtar i Asamblesë Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, ku pesëmbëdhjetë vjet më parë takova Dick Martyn, një njeri i mirë, por i fiksuar pas mospëlqimit të Shteteve të Bashkuara.
Këshilli i Evropës u krijua nga Winston Churchill pas kthimit të tij në qeveri në vitin 1951. Nuk ka të bëjë fare me BE-në. Detyra e saj kryesore është të mbështesë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Parlamentet nga 47 vende dërgojnë një kuotë deputetësh, senatorësh nga Britania për t’u takuar katër herë në vit për të diskutuar pothuajse çdo gjë që u pëlqen nëse lidhet me të drejtat e njeriut.
Kjo histori fillon 25 vjet më parë kur Evropa më në fund vendosi që vrasjet masive dhe torturat ndaj qytetarëve joserbë të ish-Jugosllavisë, të nisura nga njeriu i fortë i Beogradit, Slobodan Millosheviç’it, duhej të përfundonin. Millosheviçi ishte një komunist i mbetur, i cili shikonte me zemërim se si kombet dhe republikat përbërëse të Jugosllavisë së Titos – Kroacia, Sllovenia, Kosova, Bosnja, Maqedonia, madje edhe Mali i Zi i vogël u shpërbë në shtete të veçanta.
Millosheviçi u përpoq në mënyrë të dëshpëruar të mbante kontrollin serb nga Beogradi mbi kombet e reja më të vogla që kërkonin një ekzistencë të pavarur. Luftërat e mizorisë mesjetare u zhvilluan në Kroaci dhe Bosnje. Tanket serbe hynë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë për të zbatuar sundimin serb.
Bashkimi Evropian i sapoformuar i krijuar nga Traktati i Mastrihtit në 1992 dukej i pafuqishëm. Mbretëria e Bashkuar udhëhiqej nga një kryeministër i dobët, John Major. Sekretari i Jashtëm britanik, Douglas Hurd, kundërshtoi marrjen e masave kundër Millosheviçit. Më vonë u zbulua se në një punë të re duke punuar për bankën globale në Mbretërinë e Bashkuar “NatWest”, Hurd ndërmjetësoi një marrëveshje shumë miliardëshe për të privatizuar firmën e telekomit të Serbisë duke ia shitur atë financuesve italianë dhe grekë. Millosheviçi siguroi një pjesë të madhe të parave nga marrëveshja që ndihmuan në financimin e operacioneve të skuadrës së tij të vdekjes në Kosovë.
Millosheviçi dhe bashkëpunëtorët e tij kryesorë fshehën miliona dollarë në llogaritë sekrete të bankave zvicerane, kështu që shpresat se Zvicra mund të bënte presion mbi njeriun e fortë serb ishin të pafrytshme.
BE-ja thuhej se donte të ishte një Zvicër e Madhe që refuzonte të mbante anën e lëre më të ushtronte ndonjë presion të vërtetë mbi një kriminel vrasës si Slobodan Millosheviç’i dhe kryekomandantët e tij të luftës, ekspertët e propagandës dhe konsulentët nga Perëndimi që vërshuan në Beograd për të fituar para.
Pas marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund sulmit serb në Sarajevë, Millosheviçi e ktheu vëmendjen e tij drejt Kosovës. Siç vinte në dukje një raport i Dhomës së Komunave në Mbretërinë e Bashkuar, “Milosheviçi shkarkoi mijëra shqiptarë të Kosovës nga punët e tyre si mjekë, oficerë policie dhe punonjës kyç në firmat shtetërore, duke i zëvendësuar me serbë. Studentëve shqiptarë të Kosovës iu ndalua hyrja në ndërtesat universitare dhe u prezantua një kurrikulë e re – duke përdorur gjuhën serbe dhe versionet serbe të historisë. Ndërkohë arrestimi arbitrar dhe policia u bënë rutinë duke e bërë Kosovën si rajoni me disa nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut në të gjithë Evropën.”
Mërgimtarët kosovarë, kryesisht të rinj, formuan atë që ata e quajtën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në mërgim në Zvicër. Serbët u inatosën në mars të vitit 1998 kundër Adem Jasharit, një lider i UÇK-së që qëndroi në Kosovë. Serbët e vranë atë, dy vëllezërit e tij, gruan dhe fëmijët e tij dhe të tjerë – gjithsej 58 burra, gra dhe fëmijë të vrarë. Kasaphana serbe i dha Kosovës martirët që bëri që qindra të bashkoheshin ose të ofronin mbështetje për UÇK-në.
Në Zvicër, studenti i mërguar, Hashim Thaçi, la studimet për t’u bërë aktivist i UÇK-së. Ai kurrë nuk mori armët, por u fokusua në strategjinë politike, një gjeni në propagandë dhe komunikim që e çmendi Beogradin nga zemërimi ndërsa deklaratat e tij filluan të tërhiqnin vëmendjen e mediave të huaja. Ai kaloi mes grupeve të ndryshme në Kosovë për të sjellë lajmet dhe informacionet më të fundit.
Ndëshkimi serb, thjesht vrasja e kujtdo që dyshohej se mbështeti fushatën për liri dhe vetëqeverisje vazhdoi në 1998 dhe 1999. Kombet e Bashkuara zbuluan se kishte pasur “një fushatë sistematike terrori, duke përfshirë vrasje, përdhunime, zjarrvënie dhe keqtrajtime të rënda” që çoi numrin në mbi 13 mijë e 500 njerëz të vrarë ose të zhdukur gjatë dy viteve të konfliktit të armatosur.
Në qytetin jugor të Yorkshire, ku unë isha deputet, papritmas gjetëm një grup prej disa dhjetëra kosovarë të caktuar nga qeveria e Londrës për t’u strehuar. Burrat me xhinse dhe xhaketa lëkure mblidheshin në qendër të qytetit çdo ditë, duke pirë cigare dhe dukeshin të mjerë. Ishte një valë e hershme e krizave të njëpasnjëshme të emigrantëve. Fotot propagandistike rreth kolonave të refugjatëve që lëvizin nëpër Ballkan u përdorën nga aktivistët pro-Brexit në plebishitin e vitit 2016 që çoi në daljen e Britanisë nga Evropa.
Nga Britania e Madhe, Tony Blair dhe Robin Cook, Sekretari i Jashtëm, dolën për të parë vetë. Ata u kthyen në Londër të vendosur të vepronin në kontrast me zbutjen e Millosheviçit nën qeverinë e dobët dhe joefektive konservatore të John Major.
Hashim Thaçi kishte debatuar gjatë me kolegët e tij të UÇK-së se Kosova mund të çlirohej nga sundimi serb vetëm nëse konflikti ndërkombëtarizohej plotësisht. Millosheviç’i dhe shefi i tij i ri i shtypit, Aleksandër Vuçiç, po luanin në duart e Thaçit. Ka pasur dhunë nga pala kosovare. Ashtu si skenat në Francë pas Çlirimit në fund të verës 1944, pa dyshim që kishte disa kosovarë që kërkonin hakmarrje për atë që u ishte bërë shtëpive dhe të afërmve të tyre.
Sulmet ajrore dhe raketa të NATO-s ndaj trupave serbe dhe objektivave ushtarake në Beograd e frikësuan Millosheviçin, i cili si të gjithë ngacmuesit nuk mund të përballonte të kundërshtohej me forcë. Ai pranoi të bisedonte me Kosovën në Rambuje, një ish-rezidencë mbretërore jashtë Parisit. Bisedimet u kryesuan nga Robin Cook.
Figura kryesore ishte lideri i ri kosovar Hashim Thaçi. Ndryshe nga përshkrimi i mëvonshëm i tij i promovuar nga propaganda serbe si një vrasës i njollosur me gjak, Thaçi e kaloi kohën e tij duke u përpjekur me zell për të bindur kolegët e tij delegatë kosovarë që erdhën nga të gjitha palët që të pranojnë kompromisin për një referendum të menjëhershëm që do të kishte sjellë rezultatin e shkëputjes së menjëhershme totale nga okupimi serb dhe shpalljen e Kosovës si shtet i pavarur.
Thaçi mori përsipër detyrën e rrezikshme të kthimit në Kosovë, duke kaluar shtigjet malore nga Shqipëria të patrulluara nga ushtarët serbë. Ai pa të gjithë udhëheqësit kryesorë të UÇK-së dhe i bindi ata të pranonin një armëpushim de fakto, i cili përfshinte praninë e trupave të NATO-s në vend.
Kjo ishte shumë për Millosheviçin, i cili rifilloi luftën e tij të terrorit kundër kosovarëve.
Millosheviçit nuk ishte i interesuar të arrinte një marrëveshje me kosovarët, e veçanërisht me armikun e tij të ri, Hashim Thaçin. Por, ai u përball me Tony Blair dhe liderin socialdemokrat të Gjermanisë, Gerhard Schreder së bashku me ministrin e tij radikal të Jashtëm, Joschka Fischer.
Kur Tony Blair tha se përveç sulmeve ajrore do të duhej një hyrje e forcës tokësore në Kosovë, Bill Clinton ra dakord. Trupat britanike, gjermane, franceze dhe amerikane nuk ishin mjaftueshëm të shumta për të ndaluar urrejtjen e vazhdueshme nga serbët që dominonin në veri të Kosovës dhe kosovarët që kishin shumë për të zgjidhur pas vrasjeve masive të kryera nga Millosheviçi.
Për Beogradin dhe serbët, Hashim Thaçi u bë njeriu që ata e urrenin më së shumti pasi ai ua kishte hequr kontrollin e tyre nga Kosova. Kishte gjithashtu gazetarë dhe politikanë të së njëjtës moshë me Thaçin, por nga një klasë e arsimuar urbane, ndryshe nga Thaçi me prejardhje modeste rurale. Kosovarët më radikalë e akuzuan Thaçin se kishte bërë shumë kompromis dhe se nuk kishte siguruar pavarësinë dhe autonominë e plotë që kosovarët shpresonin.
Beogradi e kapi skandalin e Klinikës Medicus në Prishtinë, e cila u paguante njerëzve të varfër nga rajoni 15 mijë euro për të shitur një veshkë dhe më pas e njëjta u shitej njerëzve të pasur në rajone të tjera të botës, të cilët kishin para për të blerë një veshkë të shëndetshme pasi veshka e tyre kishte pushuar së funksionuari. Një konsorcium i përbërë nga turq, izraelitë, shqiptarë dhe ukrainas hapi klinikën e cila u mbyll në vitin 2008 dhe pronarët e saj u dërguan në burg më vonë pas çështjeve gjyqësore.
Tregtia e organeve është fatkeqësisht një nga aspektet më shqetësuese të krimit modern ndërkombëtar. Klinika Prishtina Medicus kreu 30 operacione duke hequr një veshkë nga një “donator” i cili ishte paguar dhe duke ia transferuar atë zakonisht një personi shumë më të moshuar që kishte nevojë për një veshkë të re dhe kishte para për të paguar për operacionin.
Operacionet e klinikës nuk zgjatën shumë. Një donator turk u gjet i sëmurë në Aeroportin e Prishtinës dhe i tha stafit mjekësor që e ndihmuan në Medicus dhe ai u mbyll.
Por, propagandistët e Beogradit e shfrytëzuan historinë e Medicus për të krijuar një histori të fabrikuar me kujdes rreth luftëtarëve të Kosovës se janë mbledhur para për blerjen e armëve duke rrëmbyer serbët, duke hequr organet e tyre dhe më pas duke vrarë donatorët e pavullnetshëm. Akuzat ishin të tmerrshme.
Filluan të shfaqen histori që përmendnin Hashim Thaçin, i cili ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës në vitin 2008, si i përfshirë në trafikimin e organeve. Raportet e turbullta për të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” u botuan në gazeta me reputacion për një vend sekret ku njerëzit e UÇK-së të Thaçit morën të burgosur gjatë luftës së viteve 1998-99 dhe u nxorrën organet e tyre për t’u shitur rrjeteve mafioze. Një shtëpi ferme u emërua përtej kufirit në Shqipëri si vendi i këtyre operacioneve. Por, kur hetuesit shkuan atje, gjetën një ndërtesë fshatarësh të varfër në të cilën u gjetën gjurmë gjaku pule.
Kirurgët konfirmojnë se një operacion për të nxjerrë një veshkë kërkon një ekip kirurgjik prej 8-10 ekspertësh shumë të kualifikuar, duke përfshirë anestezistë, një sallë operacioni plotësisht steril dhe dhomë rikuperimi me kujdes infermieror, një komplet të plotë sallon operacioni të teknologjisë mjekësore dhe shoferë të gatshëm për të transportuar organin e nxjerrë.
Ideja se Thaçi se në mes të luftës guerile kundër Ushtrisë Serbe, kur ai si udhëheqës politik dhe strateg i komunikimit po lëvizte nga fshati në fshat ose po largohej nga Kosova për t’u takuar me ministra dhe gjeneralë të NATO-s, ishte gjithashtu duke mbikëqyrur një operacion të sofistikuar mjekësor në mal duket e pabesueshme. Por, serbët dhe propagandistët politikë kosovarë të etur për të rrëzuar Thaçin, veçanërisht pasi ai shpalli pavarësinë e Kosovës në 2008, ishin të lumtur t’ia nxirrnin emrin. Kjo është politika.
Unë kam qenë ministër i Mbretërisë së Bashkuar përgjegjës për Ballkanin Perëndimor 2001-2005. Kam marrë raporte të rregullta nga shërbimet e inteligjencës britanike për informacione sekrete për atë që po ndodhte në terren. Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë referencë për operacionet e transplantimit të organeve të kryera në terren.
Historia e nxjerrjes së organeve në Kosovë u rishfaq kur unë pas vitit 2005 shkova si delegat i Mbretërisë së Bashkuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila mblidhej katër herë në vit në një asamble parlamentare në Strasburg.
Më pëlqeu të punoja me kolegët deputetë evropianë, veçanërisht ata nga jashtë BE-së. Zvicra neutrale, jo anëtare e BE-së, e cila ka politikanë aktivistë në komuna, kantonale dhe federale – ajo që diku tjetër mund të quhet nivel kombëtar dërgoi delegatë me cilësi të lartë. Njëri prej tyre ishte Dick Marty, i cili kishte qenë anëtar i Parlamentit Zviceran (Këshilli Kombëtar) për Partinë Radikale, e cila pavarësisht nga emri i saj ishte një parti pro biznesit, pro tregut të lirë, me tendenca të herëpashershme liberale.
Kam punuar në Zvicër pasi më duhej të shkoja në mërgim kur Margaret Thatcher u zgjodh në vitin 1979. Të kuptoje politikën zvicerane ishte e ndërlikuar. Gjithçka bazohej në kompromis, koalicion dhe kujdes. Kjo ishte e nevojshme për të mbajtur bashkë komunitete me gjuhë të ndryshme, fe të ndryshme.
Dick Marty nuk është në ligën e predikuesve globalë të Jean Ziegler kundër kapitalizmit. Regjistrova në ditarin tim një shkëmbim që pata me të në Këshillin e Evropës në janar 2008. Unë argumentova se “kontributi më i mirë që zviceranët mund të jepnin për zgjidhjen e tensioneve në mbarë botën do të ishte t’i bënin llogaritë e tyre bankare transparente”.
“Dick Marty kthehet dhe bëri deklaratën e çuditshme se kur ishte prokuror ai kurrë nuk kishte ndonjë vështirësi me sistemin bankar zviceran”.
Marty kishte një reputacion si prokuror publik këmbëngulës për kantonin zviceran italian të Ticino-s, kështu që unë u habita me sigurinë e tij të butë se ai nuk kishte pasur ndonjë problem me sekretin bankar zviceran, në kontrast me gjysmë shekullin e shkrimit të Jean Ziegler se bankat zvicerane kanë mbrojtur para të paligjshme, duke përfshirë natyrisht nga Millosheviçi dhe klika e tij në pushtet, të cilët fshehën paratë e marra në mënyrë korruptive në llogaritë bankare zvicerane.
Dick Marty u bë një kritik i hapur i përgjigjes së nisur nga George W Bush. Ai denoncoi qendrat e paraburgimit për terroristët e dyshuar të Al Kaedës në Poloni dhe Rumani, të zbuluar fillimisht në mediat amerikane dhe evropiane. Në të kundërt, Marty u interesua pak për mizoritë serbe, transferimin e trupave në varrezat masive të viktimave të Beogradit, apo mijëra të vrarë në përpjekjen e fundit të dëshpëruar të Millosheviçit për të mbajtur sundimin kolonial të Beogradit mbi Kosovën shumë më afër Zvicrës sesa qendrat e Lindjes së Mesme të vrasësve islamikë. Në vend të kësaj, ai vendosi se kriminelët më të këqij të luftës çlirimtare të Kosovës ishin luftëtarët e rezistencës që morën armët në mënyrë të kufizuar kundër kasapëve të Srebrenicës dhe Rajakut.
Ai prodhoi një raport që akuzonte Hashim Thaçin për nxjerrjen e organeve nga serbët gjatë luftës 18 mujore që kulmoi me ushtarët evropianë duke përfshirë rusët që erdhën në Kosovë për të ndaluar makinën e vrasjes së Millosheviç’it.
Në raportin e tij të Këshillit të Evropës të prodhuar në vitin 2010, Marty nuk ishte në gjendje të paraqiste asnjë dëshmi të drejtpërdrejtë të dëshmitarit, një rrëfim, provë mjeko-ligjore nga faqja e supozuar e “Shtëpisë së Verdhë” legjendare të krimeve shumë të rënda për të cilat ai akuzoi Hashim Thaçin.
Unë e kisha lënë Këshillin e Evropës pas ndryshimit të qeverisë në Britani në vitin 2010. Anëtarët ekzistues të Këshillit të Evropës të udhëhequr nga Rusia, Serbia dhe aleatët e tyre bënë të pamundurën për të mohuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo do të thoshte se nuk kishte delegatë nga Kosova në gjendje të sfidonin apo kritikonin raportin e Marty-t. Thaçi ka shumë armiq dhe kundërshtarë në politikën dhe mediat kosovare. Por askush nuk e beson sharjen e Marty-t se ai ose ndonjë nga ata që luftuan për çlirimin e Kosovës do të kishin kryer operacione për nxjerrjen e veshkave në terren.
Në vitin 2020, Thaçi u padit për përgjegjësinë për vdekjen e ushtarëve serbë të kryera nga operativët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e viteve 1998-99. Menjëherë dha dorëheqjen si president dhe shkoi në Hagë. Që atëherë, duket se nuk ka asnjë provë për akuzat.
Vendimet se kë të sillnin në Hagë dukeshin për shumë njerëz si një ping-pong politik. Shumica dërrmuese ishin serbë, por kosovarë dhe para tyre kroatët ishin padyshim fajtorë për vrasjet brutale të hakmarrjes dhe trajtimin e të burgosurve serbë. 161 burra u paditën nga gjykatat e ndryshme të Hagës që shqyrtonin krimet e luftës në Ballkan.
Akuzat kundër Thaçit nuk përfshinin pretendimet e turbullta të Martit për nxjerrjen e organeve. Deri më tani nuk ka pasur dëshmitarë që mund të thonë se Thaçi ka vrarë apo torturuar dikë. Ai përballet me një akuzë të përgjithësuar për përgjegjësi komanduese që mund të ngrihet kundër çdo lideri politik, njerëzit e të cilit marrin pjesë në luftë dhe në disa raste sillen brutalisht.
Pra, pse atëherë dikush duhet të dëshirojë vdekjen e Dick Marty-t tani në pension në shtëpinë e tij në pyjet e fshatit zviceran? Historia shpërtheu kur kanali kryesor televiziv zviceran transmetoi një raport të gjatë dhe të detajuar rreth një komploti serb për të vrarë Marty-n, por për të fajësuar kosovarët.
Qeveria zvicerane e informoi Marty-n për komplotin për ta vrarë. Atij iu dha mbrojtja policore nga autoritetet zvicerane. Gazetarët e matur të TV zviceran raportuan se komploti për të vrarë Marty ishte i gjithë orkestruar në Beograd. Televizioni zviceran gjeti një nga vrasësit e mundshëm i cili kishte lindur në Kosovë dhe kishte punuar për shërbimet sekrete të inteligjencës serbe duke rekrutuar kriminelë të gatshëm për të kryer vrasje me urdhër dhe pagesë nga policia sekrete serbe. Millosheviçi kishte qenë i gatshëm të financonte dhe përdorte skuadrat paraushtarake të vdekjes në Bosnje dhe Kosovë për të vrarë kundërshtarët. Pra, duket e besueshme që ekzekutime të tilla të kryera në emër të interesit shtetëror të ishin plotësisht brenda kompetencave të veprimtarive të agjencive sekrete të inteligjencës serbe.
Në mënyrë të pabesueshme, policia sekrete zvicerane u dërgoi një kërkesë policisë sekrete serbe për rastin në të cilin ata zbuluan emrin e agjentit të tyre të dyfishtë informator. Gabimi i policisë federale në Bernë hodhi në rrëmujë përpjekjet e zviceranëve për të zbuluar të vërtetën. Informatorit zviceran iu dha mbrojtje policore dhe një ndryshim identiteti për veten dhe familjen e tij. Ai këmbënguli se ideja ishte të fajësoheshin kosovarët për vrasjen e Marty-t.
BE-ja dhe SHBA-të së bashku me Gjermaninë dhe Francën së fundmi propozuan një plan për të bashkuar serbët dhe kosovarët dhe për të ulur tensionet në Ballkanin Perëndimor. Ajo u minua kur presidenti i Serbisë tha se vendi i tij nuk do ta njihte kurrë Kosovën – duke i kthyer kështu problemet drejt e në konfliktin e kohës së Millosheviçit midis Beogradit dhe Prishtinës. Kremlini është i kënaqur që sheh BE-në dhe SHBA-në të bëra si budallenj nga serbët pro-rusë.
Ndërkohë shpresat e BE-së për të sjellë Ballkanin Perëndimor më afër partneritetit të plotë evropian duken të zbrazëta si kurrë më parë. Shkrimtarja angleze, Rebecca West, në kryeveprën e saj të vitit 1942 shkruante: “Agonia e Kosovës … duhet të ketë qenë thjesht vetvetja, dhimbje mbi dhimbje, e sapolindur në mprehtësi për çdo brez përgjatë pesë shekujve”.
Kosova nuk jeton më në agoni. Por, Beogradi dhe Moska e ndalojnë atë të jetojë si një shtet normal dhe BE-ja nuk është e gatshme të marrë vendime që e lejojnë këtë të ndodhë. /Albanianpost.com