
Komunizmi është luftuar, nuk lejojmë kthim prapa në logjikën e LV-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese që konstatoi se Kuvendi nuk është konstitutuar plotësisht, është dëshmi se këto shkelje kanë ndodhur si shkak i mungesës së numrave të Lëvizjes Vetëvendosje. Zemaj ka akuzuar kryeministrin në detyrë, njëheri edhe liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti për dëmtimin e institucioneve dhe demokracinë në vend.
Mes tjerash ai ka theksuar se shteti është mbi të gjitha, dhe se njëherë është luftuar komunizmi e nuk do të lejojnë kthimin mbrapa.
“Vendimi si vendim ka qenë i pritshëm ta shohim edhe shpjegimin brenda vendimit se si do të jetë procedura post kuvendore nga ajo çka ka ndodh. LDK nga fillimi i saj ka thënë se shkeljet kushtetuese nuk mund të pranohen dhe këtu lojërat për shkak të bllokadës dhe mungesës së numrave nga Lëvizja Vetëvendosje me të vërtetë e kanë dëmtuar shumë edhe institucionin e Kuvendit e kanë dëmtuar edhe demokracinë, raportet me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë dhe më së shumti zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke mbajtur një qeveri në detyrë pa mbikëqyrje, duke keqpërdorur ekstremisht dy pozitat politike që bien në kundërshtim me ligjin njëra me tjetrën dhe abuzimin me buxhetin e Kosovës”, ka deklaruar Zemaj për Ekonomia Online.
Zemaj ka shpjeguar se si mund të bëhet konstituimi i Kuvendit.
“Nuk ka këtu se kush duhet të lëshojë pe i pari, i takon të bëjë një marrëveshje politike ose të lëshojë pe. Pa marrëveshje politike nuk ka konstituim të plotë të Kuvendit. E dini aksident ka që zgjedhja e kryetarit, ato marrëveshjet që kemi parë te Lëvizja Vetëvendosje, por për krijimin e qeverisë së re tashmë është thënë atë që kemi thënë ne, nuk kanë numra, kanë pasur lojë fjalësh, premtime, ndoshta edhe tendime për blerje deputetësh të cilët fatmirësisht me ruajtjen e demokracisë nuk kanë dhënë kësaj radhe sikur ishte para katër vitesh ku tregtoheshin deputetët në Lëvizjen Vetëvendosje”, deklaroi deputeti Zemaj për Ekonomia Online.
Më tej ai është treguar i ashpër duke përmendur edhe komunizmin dhe logjikën e Vetëvendosjes.
“Veprimet i kanë kundër kushtetuese, abuzime, i kanë në interes të një grupi politik. Shteti është mbi të gjitha, nuk është pronë e një individi e më së paku është pronë e një partie politike. Është kthim mbrapa ajo çka është luftuar me shekuj, është luftuar komunizëm dhe ne dhe populli i Kosovës nuk do të lejojmë kthimin mbrapa në logjikën e Vetëvendosjes. Patjetër që po”, shtoi ai.
Gjykata Kushtetuese me 30 shtator mori vendimin në lidhje me ankesën e Listës Serbe, e ku konstatoi se seanca e 15 prillit nuk është përfunduar dhe se Kuvendi nuk është konstitutuar sikur që pretendonte tashmë kryeparlamentari Dimal Basha në seancën e 30 gushtit.
Në vendim bëhet e qartë se konstitumi duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit.