
Koncerti “KËNGË LIRIE” i Besiana Mehmedit me miqtë shënoi 26-vjetorin e çlirimit të Ferizajit
Në një mbrëmje të mbushur me emocione, krenari dhe përkujtim të lavdisë kombëtare, qyteti i Ferizajt shënoi 26-vjetorin e çlirimit me një akademi solemne dhe koncert të titulluar “KËNGË LIRIE”, koncert solistik i Besiana Mehmedit me miqtë, i mbajtur nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu.
Teatri i Qytetit “Adriana” ishte i mbushur përplot nga qytetarë, familje dëshmorësh, përfaqësues të institucioneve, organizatave të dala nga lufta, e personalitete të njohura nga jeta kulturore e publike!
Mbrëmja nisi me Himni Kombëtar dhe atë Shtetëror të Republikës së Kosovës, interpretuar nga kori i Universitetit të Tetovës nën drejtimin e dirigjentit të njohur prof. ord. Arifikmet Xhemaili!
Moderatorja- mezzosopranoja e njohur Besiana Mehmedi, kujtoi domethënien e thellë të fjalës “liri” dhe rrugëtimin e gjatë të popullit shqiptar drejt çlirimit. Me një reflektim të thellë artistik dhe njerëzor, ajo përkujtoi jo vetëm trimërinë, por edhe dhimbjen, sakrificën dhe krenarinë që e ka shoqëruar historinë tonë.
Në vijim, u ftua për një përshëndetje Kryetari i Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, i cili, përveç drejtimit me vizion të qytetit, është edhe vetë dëshmitar i periudhës së luftës. Me një biografi të pasur atdhetare, ai kujtoi me respekt dëshmorët dhe figurat kombëtare por dhe rëndësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Më pas kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, z. Afrim Mehmeti, solli emocionin e kujtesës së gjallë për 62 dëshmorët e Ferizajt, duke i përshëndetur familjet e tyre dhe gjithë bashkëluftëtarët që sakrifikuan gjithçka për çlirimin e vendit.
Një moment kulmor ishte interpretimi i këngës premierë për heroinën Hyrë Emini, simbol i gruas shqiptare që luftoi dhe u flijua për lirinë e kombit. Teksti i shkruar nga Shkodran Tolaj, dhe muzika nga Sami Piraj, u interpretuan me ndjeshmëri të jashtëzakonshme nga Besiana Mehmedi dhe Rudina Ciko në piano. Më pas në kujtim të dëshmorëve të të gjitha periudhave historike, kori solli me solemnitet këngët “Për Mëmëdhenë” dhe “O trima luftëtarë”, duke lidhur historinë kombëtare nga vitet e Luftës së Dytë Botërore me kohën e lavdisë së UÇK-së. Pas këtij interpretimi
Besiana Mehmedi solli këngën “LIRI”, që evokoi kujtime të dhimbshme nga Prishtina gjatë bombardimeve, kampi i Bllacës dhe kthimi në një Kosovë të shkatërruar të pas luftës që u rilind mu sikur feniksi! Kjo këngë ishte gjithashtu një homazh personal për babain e saj, gazetarin Qani Mehmedi, që kishte shkruar tekstin e saj.
Pas kësaj vepre emocionale u ngjit në skenë Xhevat Limani – Skënderbeu i skenës shqiptare
Ikona e teatrit shqiptar i cili solli për publikun interpretimin e fuqishëm “KOSOVË”. Me duatrokitje të fuqishme u prit vepra
“Ai është i gjallë” – si homazh për komandantin legjendar Adem Jashari, si personalitet që i dëshmoi botës se si flijohet e tërë familja për atdheun! Kjo vepër u interpretua nga Besiana Mehmedi, aktori Xhevat Limani, pianisja Rudina Ciko, dhe kori “Akapella” me studentët e Universitetit të Tetovës!
Më pas në skenë u ngjit primadona
Mariana Leka e cila performoi për herë të parë në Ferizaj duke interpretuar tri kryevepra shqiptare: “O vendi im”, “Unë biri yt Kosovë” (me tekst të Ali Podrimës), dhe “Agimet shqiptare”. Me zërin dhe prezencën e saj, ajo ndezi një ndjenjë të thellë krenarie kombëtare.
Në bashkëpunim me Mariana Lekën dhe Rudina Cikon, Besiana Mehmedi interpretoi edhe një varg këngësh që pasqyrojnë shpirtin mbarëkombëtar shqiptar:
– “Rrjedh në këngë e ligjërime” – Feim Ibrahimi – “Këngë moj” – Musa Piperku dhe “ Valsi i lumturisë” – Avni Mula. Ky repertor përfaqësonte një bashkim artistik dhe kulturor të trevave shqiptare – Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, si dëshmi e unitetit të shpirtit tonë përmes muzikës.
Zhani Ciko – emër emblematik në jetën artistike shqiptare, një nga figurat më të ndritura të muzikës shqiptare u vlerësua për kontributin e tij të pazëvendësueshëm në afirmimin e vlerave mbarëkombëtare nga trevat shqiptare, sidomos në periudha të vështira historike. Si mbyllje solemne, kori interpretoi Himnin e Evropës – Odën e Gëzimit të Bethovenit, si dëshmi e përkushtimit të Kosovës për paqe, bashkëjetesë dhe anëtarësim në familjen evropiane të vlerave. Kjo pjesë u dirigjua nga maestro Zhani Ciko, Besiana Mehmedi, Mariana Leka e kori! Në fund publiku e priti me duartrokitje frenetike artistin Shkodran Tolaj – Drejtor artistik i kësaj ngjarje të rrallë për qytetin e Ferizajit!