Konferenca e DnV-së: Deri në orën 12:00, 13 raste të fotografimit të votës
Demokracia në Veprim (DnV) ka mbajtur konferencën e radhës për media.
Ata kanë bërë të ditur se deri në orën 12:00, janë gjetur 13 raste të fotografimit të votës.
Komunikata:
II.Parregullsitë më të shprehura në procesin e votimit
Votues në vendovotime të gabuara
KQZ edhe për këto zgjedhje është përpjekur t’a informojë secilin votues për ndryshimin e Qendrës së Votimit dhe poashtu ka ofruar mundësi që përmes platformës elektronike (linkut të posaçëm) secili votues të mund të verifikojë vendovotimin ku është caktuar të votojë, megjithatë nga terreni po raportohet se ka mjaft ankesa në këtë drejtim.
Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 12:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat është raportuar në 50% të vendvotimeve, por që numri i rasteve ka qenë i vogël, deri në 10 raste të tilla.
Por ka pasur edhe vendvotime (1,6%) ku një numër i konsiderueshëm i votuesve (deri në 30 votues) nuk e kanë gjetur emrin e tyre në Listë. Prijnë komunat: Prishtinë dhe Pejë.
Ka pasur disa raste kur votuesit janë ankuar që dikush tjetër është nënshkruar në emër të tyre në Listën e Votuesve dhe atë në 1.4% të vendvotimeve.
DnV rekomandon qytetarët që para se të nisen për të votuar të verifikojnë Qendrën e tyre të Votimit përmes linkut qv.kqz-ks.org dhe në këtë mënyrë t’i shmangin pakënaqësitë dhe vonesat.
Në anën tjetër, votimi me kusht është duke u mundësuar në vetëm një qendër votimi në secilën nga 38 komunat.
Votimi me asistencë
Sipas rregullave të reja të KQZ-së, nëse një votues nuk posedon dokument që e dëshmon paaftësinë e tij për të votuar në mënyrë të pavarur (vërtetim mjekësor ose të ngjashëm), nuk do t’i lejohet të votojë me asistencë.
Shtrëngimi i rregullave për votim me asistencë vjen si rezultat i faktit që ky fenomen ka qenë shumë i shprehur në të gjitha proceset zgjedhore të kaluara dhe është keqpërdorur për të imponuar apo deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas DnV-së, 6% e të gjithë qytetarëve kanë votuar duke u asistuar nga një person tjetër. Dy të tretat e tyre kanë qenë gra, ndërsa në 35% të vendvotimeve janë hasur raste të izoluara ku edhe votues të rinj në moshë kanë kërkuar të votojnë me asistencë.
Deri në mesditë, komisionerët në 61% të vendvotimeve janë duke e zbatuar rregullën dhe janë duke kërkuar dokumentet për të lejuar votimin me asistencë. Për më tepër, në 35% të vendvotimeve, edhepse votuesit kanë kërkuar të votojnë me asistencë, nuk janë lejuar të votojnë në mungesë të dokumentave mjkësore.
Deri në orën 12:00, nga numri i deritanishëm i qytetarëve që kanë votuar, vetëm 1% prej tyre kanë votuar me asistencë. Poashtu, në 5% të vendvotimeve kemi hasur në raste të izoluara (deri në 4 raste) ku votues të rinj në moshë kanë kërkuar të votojnë me asistencë.
Si trend i përgjitshëm, votimi me asistencë po evidentohet në Libër, por nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është zhvilluar konform rregullave, dhe kjo ka ndodhur në 5% të vendvotimeve, ku deri në 10 raste nuk janë evidentuar fare në Librin e Votimit.
Rikujtojmë se një asistues ka të drejtë të ndihmojë vetëm një votues, ndërsa komisionerët ose vëzhguesit e akredituar e kanë të ndaluar rreptësisht të ofrojnë çfarëdo asistence në votim.
Ka pasur disa raste të izoluara kur më shumë se një votues ka qëndruar prapa kabinës së votimit, dhe atë si fenomen në 11% të vendvotimeve.
Votimi me dokumente të pavlefshme
DnV ka gjetur se në 16% të vendvotimeve ka pasur deri në 4 raste të identifikimit me dokumenta të skaduara, përkundër rregullave që nuk lejojnë votimin me dokumenta me afat të skaduar. Ky fenomenn është më i shprehur në rajonin e Prizrenit.
Deri në orën 12:00, në 4% të vendvotimeve ka pasur raste të izoluara kur votuesit janë identifikuar me dokumente jo valide, siç mund të jenë dokumentet e shteteve të tjera, ose ato të lëshuara nga UNMIK-u.
Fotografimi i votës
Ndonëse fenomen në përmasa të vogla, cenimi i fshehtësisë së votës i manifestuar përmes fotografimit të votës po vazhdon të shfaqet edhe në këto zgjedhje. Fotografimi i votës dhe bërja e saj publike supozohet se ndërlidhet me cenimin e fshehtësisë së votës apo blerjes së saj, por edhe frikësimin e votuesit dhe shtrembërimin e vullnetit të tij.
Deri në orën 12:00, raste të fotografimit të votës janë 13.
Incidentet serioze
Deri në mesditë nuk është evidentuar ndonjë incident serioz.



