Konfiskim po, por edhe dekonfiskim

04 maj 2021 | 14:34

Prof. dr. Abdullah Karjagdiu

S’ka pikë dyshimi se, Ligji për konfiskimin e pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme dhe kriminale është tejet i dobishëm dhe i domosdoshëm. Për krijimin e pasurisë në Kosovë në mënyrë të jashtëligjshme, duke uzurpuar pasuri publike edhe private, por edhe duke i keqpërdorur të dhënat kadastrale, procedurat ligjore, prokurimet dhe vet ligjet dhe duke e shndërruar këtë aktivitet pasurimi në krim të organizuar, faktojnë edhe raportet vjetore të vlerësimit raportues për Kosovën, ku llojet dhe natyrat e krimit dhe korrupsionit janë nga më të sofistikuarat dhe më të tmerrshmet.
Por, që ky Ligj të mos shndërrohet në një ligj me përmbajtje dhe metodologji të ngjashme me atë të ish-sistemit socialist dhe komunist në Kosovën e ish-Jugosllavisë, përkatësisht në Ligjin për konfiskimin e pasurisë së kundërshtarëve politikë, atëherë krahas Ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, Qeveria Kurti do të duhej ta inicionte edhe hartimin dhe miratimin e Ligjit për dekonfiskimin apo për kthimin (restituimin) dhe kompensimin e pronave të konfiskuara padrejtësisht nga patriotët shqiptarë në Kosovë, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, që është përdorur nga ish-regjimi komunist serbo-jugosllav në Kosovë si mjet për luftimin e patriotëve shqiptarë, të cilët luftuan, derdhën gjak dhe u vranë për bashkimin e trojeve shqiptare.
Dihet se, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, e sidomos gjatë periudhës, periudhës 1945-1948, autoritetet serbe hegjemoniste nëpërmjet politikave shtetërore, me qëllim të kolonizimit të Kosovës, dhe përmes akteve përcjellëse juridike i kanë konfiskuar pronat,me ç’rast kryesisht i kanë diskriminuar dhe dëmtuar rëndë shqiptarët autoktonë, që kanë luftuar, rezistuar dhe rënë dëshmorë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Konfiskimet e pasurive të shqiptarëve në Kosovë autoritetet serbe i kanë aplikuar me qëllim të përndjekjeve të planifikuara të familjeve të aktivistëve politikë, luftëtarëve dhe dëshmorëve të kombit të rënë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Këto prona në disa raste madje janë marrë edhe pa kurrfarë gjyqi apo janë grabitur, ndërsa në mjaft raste edhe përmes proceseve gjyqësore të kurdisura, ashtu që patriotë dhe luftëtarë dhe dëshmorë të spikatur, apriori, janë stigmatizuar arbitrarisht si “armiq të shtetit jugosllav” dhe si të tillë edhe familjet e tyre janë njollosur dhe janë privuar nga e drejta për punë, shkollim, pronë dhe janë persekutuar penalisht dhe krahas kësaj atyre u është konfiskuar edhe pasuria ose në shumë raste edhe janë dëbuar në Turqi.
Mirëpo, ndonëse kanë kaluar 21 vjet nga çlirimi dhe 13 vjet nga pavarësia e Kosovës dhe megjithëse të gjitha vendet ish-komuniste dhe vendet e Ballkanit jo vetëm që e kanë miratuar këtë ligj, por edhe e kanë zbatuar tashmë në tërësi, në Kosovë nuk është bërë pothuajse asnjë përpjekje që të hartohet dhe miratohet një ligj i tillë.
Përjashtim përbën Qeveria e Isa Mustafës, kur ish-ministri i Drejtësisë, prof. dr. Hajredin Kuçi, në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me USAID-in, me rastin e fillimit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore, të mbajtur më 22 qershor 2016, pati deklaruar se: “Konfiskimet e pronave në kohën e komunizmit dhe më herët do të kompensohen me ligj. Mbrojtja e jetës, lirisë dhe pronës janë detyra të institucioneve shtetërore”. Për më tepër, ministri Kuçi me atë rast ishte përqendruar në nevojën e institucioneve që të bëjnë analizimin e politikave konkrete për kompensim të pronave të konfiskuara nga regjimi komunist jugosllav. Sipas tij: “Hartimi i një ligji për kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë komunizmit është i nevojshëm, duke u bazuar në modelet e vendeve tjera që kanë adresuar këtë çështje”.
Por, për fat të keq, që nga ajo kohë, për shkak të prioriteteve të tjera të qeverive të Kosovës dhe jostabilitetit politik në Kosovë gjatë viteve të fundit, lidhur me këtë çështje nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë dhe nuk është bërë as përpjekje minimale për hartimin e këtij ligji. Ndaj, më duhet të them me keqardhje shumë të madhe se, me evitimin e zgjidhjes së këtij problemi deshën apo s’deshën politikanet tanë, në mënyrë paradoksale po identifikohen me qëndrimet e mëparshme të pushteteve serbo-sllave antishqiptare dhe antidemokratike, sepse kështu po shkelen parimet e së drejtës se pronës, lirisë, barazisë dhe demokracisë. Ç’është akoma më e rëndësishme, pa miratimin dhe zbatimin e këtij ligji Kosova jo vetëm që nuk mund ta vazhdojë integrimin e mëtejmë në BE, por madje, sipas disa informatave jozyrtare, as nuk do të mund ta marrë liberalizimin e vizave.
Së këndejmi, është koha e fundit që Qeveria e Republikës së Kosovës, krahas Ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, ta hartojë sa më parë dhe ta dërgojë për miratim në Kuvend edhe Ligjin për dekonfiskim apo për kthim (restituim) dhe kompensim të pronave të konfiskuara padrejtësisht nga patriotët shqiptarë në Kosovë, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore (1945-1948), ngaqë ky Ligj është po aq i domosdoshëm, demokratik dhe patriotik sa edhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së krijuar në mënyrë joligjore dhe kriminale.
Konfiskim po, por edhe dekonfiskim!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Imami Shefqet Krasniqi është pyetur në një emision televiziv, a…