
Konflikti Iran – Izrael dhe rikthimi i doktrinës Trump
Shkruan: Hisen Berisha
Përplasja e vazhdueshme mes Iranit dhe Izraelit ka hyrë në një fazë gjithnjë e më të rrezikshme, ku linja ndarëse mes kërcënimeve verbale dhe aksioneve ushtarake konkrete është bërë pothuajse e padukshme.
Ngjarjet e muajve të fundit kanë konfirmuar jo vetëm ashpërsimin e përplasjeve në terren – nga sulmet e milicive pro-iraniane ndaj objektivave izraelite, dhe si pasojë, operacionet me precizitet kirurgjikal të Izraelit në territorin sirian e më gjerë – por edhe dimensionin shumë më të gjerë të këtij konflikti, i cili ka hyrë në një orbitë globale me pasoja për gjithë arkitekturën e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Përplasja nuk është më thjesht një kapitull i mbyllur në dosjen e luftës së përhershme në Lindjen e Mesme; ajo po merr formën e një përballjeje strategjike që përfshin aktorë të mëdhenj si SHBA, Rusia, Kina, dhe në mënyrë gjithnjë e më të qartë – aktorë jo-shtetërorë që veprojnë si Proxy Forcës – satelitë të interesave iraniane në rajon, si Hezbollahu në Liban, grupet e armatosura në Irak, Houthit në Jemen, etj.
Iranit, me një strategji të ndërtuar mbi parimin e “rezistencës asimetrike” dhe ndikimit përmes proksive ushtarake, i intereson një konflikt i kontrolluar dhe i zgjatur që e mban Izraelin të tensionuar dhe SHBA-të të përfshira.
(Një proxy ushtarak, në këtë kontekst, është “armatimi i huaj me duar të tjera”. Një shtet, mbështet një grup tjetër, zakonisht jashtë territorit të vet, për të luftuar ose destabilizuar armiqtë e tij, pa u përfshirë zyrtarisht në konflikt).
Nga ana tjetër, Izraeli nuk e fsheh më synimin për të shkatërruar kapacitetin ushtarak dhe bërthamor të Iranit, edhe nëse kjo kërkon ndërhyrje të drejtpërdrejtë, jo më vetëm goditje të përzgjedhura.
Në këtë pikë, është e qartë se çdo përshkallëzim ka potencialin të shpërthejë në një luftë të hapur, me pasoja katastrofike për rajonin.
Izraeli ndërmori një operacion ushtarak të koduar “Rising Lion” – me synimin për ta zmbrapsur kërcënimin iranian që i kanoset vetë mbijetesës së tij. Sipas logjikës ushtarake dhe operative, ky operacion duhet të vazhdojë për aq ditë sa të jetë e nevojshme të mos ekzistoj arsyeja e ndërmarrjes së tij.
Në bazë të deklarimeve të Kryeministrit Izraelit – kanë goditur në zemër të programit iranian të pasurimit bërthamor. Objektiv i sulmit ka qenë edhe objekti kryesor i pasurimit në Natanz, si dhe shkencëtarët kryesor iranian që punojnë për bombën bërthamore. Është goditur po ashtu, në zemër të programit iranian të raketave balistike. Ky veprim tregon qartazi se Izraeli nuk ka ndërmend të lejojë krijimin e një balance frike në rajon, por synon parandalimin total të kapaciteteve kërcënuese.
Edhe deklarata e Presidentit Trump lidhur me konfliktin mes Izraelit dhe Iranit nuk ishin thjesht një kujtesë e qëndrimit të tij të dikurshëm, por një rikujtim dhe një paralajmërim i heshtur se vijat e kuqe të dikurshme janë sërish të vlefshme sot.
Në këtë kontekst të tensionuar, deklaratat e Presidentit amerikan Donald Trump kanë tërhequr vëmendje të veçantë si me qasjen e tij të ashpër gjatë presidencës së kaluar, tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin (JCPOA), goditjen ajrore që vrau gjeneralin Qassem Soleimani dhe vendosjen e sanksioneve maksimale ndaj Teheranit. Ky kurs veprimi, arsyetohet për faktin se “regjimi iranian ishte i izoluar dhe i frenuar” gjatë kohës së tij si Komandant Suprem i FA të SHBA.
Prandaj deklaratat e Presidentit Trump nuk përbëjnë thjesht retorikë politike. Ato pasqyrojnë një frymë të gjerë që po fiton terren në qarqet konservatore amerikane, me bindjen se paqja në Lindjen e Mesme nuk mund të arrihet përmes përpjekjeve diplomatike të buta, por përmes fuqisë dhe detyrimit.
Retorika e tij përforcon idenë se lëshimet ndaj Iranit – si ato që tentoi administrata Biden me përpjekjen për ta ringjallur marrëveshjen bërthamore – vetëm e inkurajojnë Teheranin të veprojë më agresivisht dhe e minojnë pozitën e Izraelit si aleat kyç i SHBA-ve në rajon.
Megjithatë, qëndrimi i Presidentit Trump, mund të jetë me pasoja të rënda. Kjo qasje, që po riaktivizohet si politikë zyrtare, përveç riorientimit të politikës amerikane ndaj Iranit, rrezikon të shtyjë më tej përplasjen e dy poleve të mëdha të rajonit: “bllokut pro-amerikan” (Izrael, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite e pjesërisht Egjipti) dhe “boshtit rezistent pro-iranian”, që mbështetet gjithnjë e më shumë nga Rusia dhe Kina në dimensionin global.
Këtu duhet të theksohet edhe fakti që Rusia po përpiqet ta zgjerojë ndikimin e saj strategjik përmes dy korridoreve: në Evropë përmes Ukrainës dhe në Lindjen e Mesme përmes Iranit. Kremlini e sheh shtrirjen iraniane në Palestinë, Liban, Jemen, Siri dhe Irak si një mjet për ta çuar influencën ruse deri në brigjet e Oqeanit Indian – një urë kyçe për kontrollin e rrugëve tregtare ndërkombëtare dhe kabllove digjitale që lidhin Perëndimin me Lindjen.
Zhdukja e Izraelit nga skena – siç parashikon retorika e regjimit iranian – do të linte një boshllëk strategjik që Rusia dhe Irani do ta shfrytëzonin për të dominuar Lindjen e Mesme dhe për të minuar rendin global të udhëhequr nga SHBA. Për rrjedhojë, përballja ushtarake në rajon nuk është më vetëm luftë për sigurinë e Izraelit, por një nyje kyçe për ekuilibrin e fuqive mes Perëndimit dhe boshtit Rusi–Iran–Kinë.
SHBA, për momentin, po arrin t’i frenojë të dy këta aktorë destabilizues (Rusinë në Ukrainë dhe Iranin në Lindjen e Mesme), pa u përfshirë direkt në luftë. Ndihma për Ukrainën dhe mbështetja e pakushtëzuar për Izraelin kanë dëshmuar efektshmëri të lartë: Rusia është ngadalësuar në Evropë, ndërsa Irani është përballur me barriera serioze në avancimin e tij rajonal.
Në dimensionin gjeostrategjik po përmbushet profetikisht gjykimi im në ditën e parë të sulmit Rus mbi Ukrainë se: “Ukraina do bëhet varri i Rusisë”. Doktrinat politike, ushtarake dhe ekonomike të SHBA, përkatësisht Presidentit Trump, në afatmesëm synojnë rrënimin e potencialit ekonomik, politik dhe ushtarak në Rusi dhe Iran. Kjo do të frenojë kërcënimin rus për Evropën dhe Lindjen e Mesme. Kështu që Kina s’do ta ketë prapavinë e ruajtur në Perëndim të saj nga Rusia dhe Irani. Me të përmbushur këtë objektiv gjeopolitik e strategjik, SHBA, duke kombinuar partneritetet ekonomike dhe fuqinë e saj ushtarake me aleanca në Azi Jugore, Lindore dhe Juglindore – gjegjësisht në atë rajon që quhet Indo-Pacifik – do ta ketë shumë më lehtë ta sfidojë Kinën në lindje dhe juglindje të saj, duke e rrethuar kështu dhe izoluar nga supremacia amerikane. Prandaj, këto përmasa luftërash e tensionesh, tregojnë se doktrina transnacionale politike, ushtarake dhe ekonomike “Trump”, e trajtojnë Evropën dhe Lindjen e Mesme në luftë, deri në përmbysjen përfundimtare të regjimeve kriminale, të predispozuara armiqësisht ndaj SHBA dhe aleatëve të saj, historikisht.
Irani, i vendosur të mos heqë dorë nga ambicia bërthamore dhe përfshirja në çerdhet gjeopolitike të rajonit, e sheh rikthimin e mundshëm të Trump si kërcënim ekzistencial. Kurse, Izraeli e sheh si shans për të pasur dorë të lirë në realizimin e operacioneve parandalues ndaj objektivave iraniane.
Përplasja e interesave, retorika e papërmbajtur, përhapja e “proksive ushtarake” dhe mungesa e një arkitekture sigurie të qëndrueshme e bëjnë këtë konflikt një vatër potenciale për luftë të madhe ndërkombëtare.
Në fund të ditës, qëndrimi i Trump tregon për një polarizim të thellë në vetë Perëndim, midis atyre që duan një politikë të jashtme përballëse dhe të drejtpërdrejtë ndaj aktorëve si Irani, dhe atyre që preferojnë manovra diplomatike softy dhe përmbajtje strategjike.
Por realiteti është që balanca është gjithnjë e më e brishtë, dhe një përshkallëzim i mëtejshëm mes Iranit dhe Izraelit nuk do të mbetet në kufijtë e Lindjes së Mesme.
Sidomos kur në skenë janë rikthyer liderë që besojnë se paqja është rezultat i dominimit të forcës, jo i barazisë diplomatike mes agresorit dhe viktimës.
Qasja politike e presidentit Trump është politikë zyrtare, dhe bota duhet të përgatitet për një fazë të re tensionesh të mundshme dhe të domosdoshme globale për vendosjen e paqes në emër të drejtësisë që e determinon edhe forca, jo vetëm “soft diplomacy” e qarqeve globaliste; në këtë korelacion gjeopolitik e strategjik, Lindja e Mesme mund të jetë vetëm preludi i një përballjeje shumë më të madhe.