KONGRESI I MANASTIRIT SI PREMISË PËR ZHVILLIMIN E AFTËSIVE TË ARSYES PËR TË KUPTUARIT E VETES SONË
(Me rastin e 117 – vjetorit të Kongresit të Manastirit)
Arben Hoxha
Historia e krijimit të alfabetit unik të gjuhës shqipe, si sistem i konsoliduar, është dukja e thelbit të historisë së bërjes të kombit dhe identitetit shqiptar. Nëse historia e krijimit të identiteteve kombëtare në kushte të favorshme historike unicentriste karakterizohet nga vazhdimësia cilësore dhe vazhdimësia hapësinore-kohore, historia e krijimit të identitetit kombëtar shqiptar, ashtu si edhe historia e krijimit të alfabetit unik të shqipes, do të jetë e karakterit policentik, me ç’rast kategorisë së vazhdimësisë cilësore do t’ia zë vendin kategoria e ndërprerjes regresive dhe ndërprerjes hapësinore-kohore. Heteronomia, si mënyrë e ekzistencës që bazohet në vullnetet jovetjake, do të jetë tipari cilësues i procesit të krijimit identitetit kombëtar dhe të alfabetit unik të gjuhës shqipe. Ky tipar karakterizues do të bëjë që krijimi i alfabetit unik të shqipes, si sistem i konsoliduar, t’i nënshtrohet një procesi të vazhdueshëm integrimi e çintegrimi deri te Kongresi i Manastirit. Në veprën “Udha e shkronjave shqipe” studiuesi Tomorr Osmani thotë se që nga Gjon Buzukut e deri te Kongresi e Manastirit kanë ekzistuar 150 alfabete të shqipes, me variante dhe nënvariante. Që nga shekulli fundi i shekullit 17-të dhe fillimi i shekullit 18—të do të krijohen tetë alfabete origjinale shqipe. Alfabete të shquara nga kjo epokë janë: alfabeti i Elbasanit i vitit 1761 dhe alfabetin Theodhor Haxhifilipi.
Një diversitet i tillë i përdorimit të alfabeteve të shqipes mendja e sotme realitvizuese e konteksutaliste postmoderne do ta vlerësonte si pasuri e mendimit shqiptar. Një vlerësim i tillë është më shumë se cinik: është mohimi më radikal që i bëhet përpjekjeve titanike të intelektualëve shqiptarë për të krijuar alfabetin unik të gjuhës shqipe në kushte e skajshme të mbijetesës historike. Përfshirja e individëve përmes vetëiniciativave për krijimin e një alfabeti unik nuk ishte angazhim i intelektualëve shqiptar për ta zbukuruar “fushën” e diversitetit. Diversiteti, në vetvete, nuk është “lojë”, as pasuri e as vlerë. Diversiteti është kategori relacionale me unicitetin. Vetëm në relacion me unicitetin kuptimësohet vlera e diversitetit. Diverisiteti i krijimit dhe përdorimit të alfabeteteve të shqipes është treguesi i mundësive të kufizuara subjektive të subjektit shqiptar në kontekstin e mungesës ekstreme të mundësive objektive historike në të cilat ai do të ndodhet. Diversiteti i alfabeteve shqipe është tregues i mungesës së një qendre unike administrative; është tregues i ndërprerjeve regresive dhe ndërprerjeve hapësinore-kohore të procesit të bërjes në histori të kombit shqiptar. Konkresi i Manastirit është qenia e identikes që to ta peshojë vlerën e të ndryshmëve për konsolidimin e vetes së saj.
Kongresi i Manastirit dhe Lidhja e Prizrenit
Shkalla e zhvillimit të vetëdijes kombëtare është në raport të drejtë me ndjenjën e përgjegjësisë që ka një popull karshi pengesave që ia pamundësojnë zhvillimin e qenies së tij kombëtare. Ndjenja e përgjegjësisë është e varur nga vullneti dhe, njëkohësisht, është cilësia e përmbajtje së ndjenjës së përgjegjësisë ajo që e drejton vullnetin. Situatat e kthesave të mëdha e provokojnë ndjenjën e përgjegjësisë, por ndjenja e përgjegjësisë, njëkohësisht, mund të nxisë kthesa dhe situata të reja me perspektivë historike për zhvillimin e një kombi.
Kongresi i Manastirit është produkt i kthesës së madhe të vetëdijes së kombit shqiptar: ndjenjës së përgjegjësisë historike të tij për të kaluar nga shkalla e të qënit popull në shkallën e të qënit komb unik modern.
Pse themi kështu?
Kongresi i Manastirit është pjesë përbërëse e projektit kombëtar të Lidhjes së Prizrenit për çlirim nga zgjedha otomane dhe për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Arsimi dhe kultura do të jenë pjesë integrale dhe të pandashme të kësaj lufte. Me iniciativën e krerëve të Lidhjes së Prizrenit, një vit pas themelimit të Lidhjes, saktësisht më 1879 në Stamboll do të mbahet Kongresi i Stambollit për hartimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, të cilin – në një përbërje prej burrash meritorё të çështjes kombëtare, si: Hoxhë Tahsini, Pashko Vasa, Jani Vreto etj., – në moshën 29 vjeçare do ta udhëheq Sami Frashëri, vëllai i ideologut politik të Lidhjes së Prizrenit – Abdyl Frashërit, dhe vëllai i ideologut të emancipimit kulturor, shpirtëror e moral të shqiptarëve – Naim Frashërit.
Tre vëllezër në tri fronte betejash për liri dhe emancipim kombëtar!
Fat i madh për kombin tonë!
Fat i madh edhe për familjen Qiriazi, pjesëtarët e së cilës do të kenë rastin që, në kontaktet e drejtpërdrejta të frymëzohen me mësimet e tyre. Angazhimi i gjithë familjes Qiriazi rreth dhe për Kongresin e Manastirit nuk është i rastit. Angazhimi i tyre do të jetë rrjedhojë e frymëzimeve me idealet e Lidhjes së Prizrenit që ata do të marrin nga vëllezërit Frashëri. Nuk është e rastit, prandaj, që nënkryetar i Kongresit të Manastirit do të zgjidhet Gjergj Qiriazi, ndërsa Parashqevi Qiriazi do të jetë në cilësinë e sekretares së komisionit punues për hartimin e Alfabetit.
Jo rastësisht në oborrin e shtëpisë së familjes Qiriazi, me vendimin që do të nxirret në Kongresin e Manastirit, do të ngrihet shtypshkronja për botimin e librave shqip, prej nga do të shpërndahen gjithandej hapësirës etnike shqiptare.
Në këtë mënyrë, viti 1908 në jetën e kombit shqiptar do të jetë vit i rritjes së lëvizjes kulturore e politike; vit i shpërthimit arsimor dhe i përgatitjes shpirtërore dhe morale të kombit shqiptar për të hyrë në vitin e madh të 1912-tës – vitin e krijimit të shteti shqiptar.
Kongresi i Manastirit, së bashku me kryengritjet e viteve 1908-1912, përbën arterien e vazhdimësisë dhe të kohezionit të brendshëm në mes të programit të Lidhjes së Prizrenit dhe Pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Mund të thuhet, prandaj, se Lidhja e Prizrenit – si qëllim – është shkaku dhe baza që prodhon pjesët përbërëse të tij: Kongresin e Stambollit, Kongresin e Manastirit, Konsultën Gjuhësore të Prishtinës dhe Kongresin e Drejtshkrimit (Tiranë 1972).
Kongresi i Manastirit duke qenë një hap i madh drejt krijimit të njësisë kulturore e shpirtërore të kombit shqiptar do të jetë, njëkohësisht, reaksioni më i fuqishëm kundrejt fuqive centrifugale vepruese në jetën e kombi shqiptar – dje dhe sot.
Alfabeti si premisë e komunikimit dhe të kuptuarit
Qëndrueshmëria e vendimeve të marra tash e 117 vjet më parë, efektet emancipuese që ato do të shkaktojnë në jetën mendore, emocionale e morale të kombit deri në ditët tona, dëshmojnë se Kongresi i Manastirit është Formula e qëndrueshmërisë së të gjitha marrëveshjeve që synojnë kohezionin dhe njësinë shpirtërore të kombit shqiptar. Duke qenë marrëveshje për njësinë shpirtërore kombëtare shqiptare, Kongresi i Manastirit ashtu do të jetë sintezë e gjithë gamës së mundësive shpirtërore e kulturore të popullit shqiptar për kalimin nga shkalla e të qënit popull paramodern në shkallën e të qënit komb modern.
Kongresi i Manastirit na vërteton se në jetën e ideore e morale të kombeve kanë perspektivë dhe janë të qëndrueshme të gjitha marrëveshjet që i nënshtrohen qëllimit historik të zhvillimit të së tërës, e jo nevojave të pjesëve në aktualitetin e tyre të kufizuar historik.
Kongresi i Manastirit duke qenë marrëveshje për natyrën e të gjitha marrëveshjeve me interes për jetën ideore, shpirtërore e morale të kombit, vjen në kohën tonë për t’i sfiduar të gjitha marrëveshjet që synojnë përmbushjen e qëllimeve të pjesëve dhe proklamimin e tyre si realizim i tërësisë.
Para 117-të vjetësh Kongresit tё Manastirit do t’i duhet të zhvillojë beteja për ta ngritur dhe siguruar ekzistencën e alfabetit unik të shqipes; sot pas njëqind vjetësh Ai vjen për të na vërtetuar arsyeshmërinë dhe vlefshmërinë e ekzistencës së vet, si dhe për ta dëshmuar fuqinë e pafundme të tij për t’i dalë zot dhe për ta përmbushur qëllimin përfundimtar, shkak i së cilës është edhe ekzistenca e Tij: të bërit dhe funksionimi i njësisë shpirtërore të kombit shqiptar.
Përvjetori i 117-të i Kongresi i Manastirit vjen për të na dëshmuar se hartimi i Alfabetit unik të shqipes nuk ishte punë e lehtë. Njësimi i Alfabetit u shoqërua me pengesa të shumta para dhe pas hartimit të tij. Pse?
Alfabeti si kusht i zhvillimit të aftësive komunikuese dhe të të kuptuarit
Lufta për Alfabetin do të jetë një luftë për komunikimin-moskomunikimin e kombit shqiptar, e kjo domethënë për mundësimin-pamundësimin e të qënit (dje) dhe funksionimit (sot) të tij si komb modern në botë. Sociologu kanadez, Marshall Mekluan (Marshal Mcluhan), në historinë e qytetërimit të shoqërisë njerëzor, dallon dy “mutacione” kulturore, të cilat lidhen drejtpërdrejt me dy tipa të ndryshëm të kulturës së alfabetizmit: kulturën e alfabetizmit piktografik (idiografia kineze apo hieroglifet egjiptiane) dhe kulturën e alfabetizmit fonetik. Sipas tij, kultura e alfabetizmit fonetik shënon fundin klerikal të dijes dhe të pushtetit, i cili ishte monopol i burokracisë së palëvizshme të tempujve, dhe fillimin e shtrirjes së autoritetit dhe kontrollit në struktura të largëta. Alfabeti fonetik është kushti i lirisë dhe baza kulturës së njeriut modern, me anë të të cilit ai do të përvetësojë një mënyrë më të thellë e më të gjerë të të perceptuarit, të kuptuarit dhe të vepruarit e tij në botë. Ndërsa shkrimi piktografik i jap përparësi dëgjimit, si sintetizues i të gjitha aftësive të tjera perceptimore, shkrimi fonetik i veçon aftësitë e njeriut: ai i jep rëndësi primare arsyes, si burim i vetëm i njohjes dhe i provimit të vërtetësisë së saj. Nëse kultura piktografike synon t’i kuptojë gjërat e dhëna në gjendjen e tyre objektive, kultura fonetike aspiron t’i bëjë gjërat. Në rrafshin epistemologjik, alfabeti piktografik i rritë aftësitë perceptuese shqisore e intiuitive; alfabeti fonetik i rritë kapacitetet e të menduarit abstrakt racional, si kusht i të menduarit kritik dhe të emancipimit të shoqërisë njerëzore. Në rrafshin sociologjik, nëqoftëse alfabeti piktografik vihet në funksion të fuqizimit të lidhjeve të komunitetit përkatës (fisit), alfabeti fonetik, për shkak të aftësisë së tij për të krijuar ndarje të thella mes emocionit dhe veprimit, do të hapë shtegun për krijimin e lidhjeve me një komunitet përtej kohës dhe hapësirës konkrete të tij.
Me një fjalë, çështja e krijimit të alfabetit nuk është një çështje e izoluar linguistike, e as vetëm politike, por një çështje themeltare kulturore e epistemologjike: është premisa mbi të cilën një komb i zhvillon aftësitë e arsyes së vet emancipuese për njohjen e vetes dhe të të kuptuarit të pozicionit të vet në raport me tjetrin dhe me botën; është premisa mbi të cilën një kombi (midis antinomish historike, politike, sociale, gjeopolitike e morale) i ndërton aftësitë e logjikës së vetë kulturore e epistemologjike për vetëperceptim dhe vetëpërcaktim në lidhje me atë se kush është dhe çfarë zgjedhjesh duhet të bëjë në kontekste të ndryshme historike.
Për shkak se Alfabeti unik i shqipes i Kongresit të Manastirit do të krijohet sipas ligjeve të nevojave të brendshme vetjake shqiptare, nga xhonturqit ai do të perceptohet si cenim i rëndë fuqisë së kontrollit të dijes dhe të pushtetit të tyre mbi shqiptarët. Xhonturqit për ta rikthyer fuqinë e vet mbi dijen dhe pushtetin do të vënë në lëvizje grupe (shqiptare) të ndryshme me kërkesën për rikthimin e alfabetit arab e atij grek.
Ashtu sikur dje në kohën e xhonturqve, kur lufta kundër Alfabetit të njësishëm të shqipes do të zhvillohet duke përdorur mjetin relativizues të përballjes me kundërvlerën e objektit të tij – alfabetin grek apo atë arab; ashtu edhe sot media dhe OJQ të ndryshme, të mbështetura nga faktorë që janë të interesuar ta defaktorizojnë kombin shqiptar në Ballkan, ideologjisë kombëtare do t’ia vënë përballë (si alternativë të paalternativë) ideologjinë provinciale, krahinariste; ideologjisë sё bashkimit – ideologjinë e përveçimit; ideologjisë së njësimit të kombit shqiptar do t’ia vënë përballë ideologjinë e ”kombit kosovar”. Alfabeti unik shqiptar, si mjet themeltar i kulturës moderne të komunikimit, në vetvete, sot nuk është objektiv sulmi. Objektiv sulmi sot është zona e fushëveprimit të tij: fusha e aftësive vetëperceptuese të arsyes emancipuese shqiptare, si qëllim fundor i kulturës së komunikimit. Si? Fillimisht, duke e dekonstruktuar lidhjen reale që ekziston midis motiveve dhe qëllimeve të ngjarjeve historike në luftën për liri, drejtësi dhe emancipim të popullit shqiptar qëllimi fundor i së cilës është kontestimi dhe dobësimi i aftësive vetëpeceptuese të popullit shqiptar. Më pas, “natyrshëm” kontestohet rëndësia e luftës së popullit shqiptar kundër zgjedhës otomane; kontestohet Skënderbeu, Lidhja e Prizrenit, Ismail Qemali, Fan Noli, Bajram Curri, e tash së fundi edhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në kohën tonë kontestohet alfabeti unik shqiptar, por efekti që ai ka dhënë në ngritjen e kapaciteteve të racionalitetit të komnunikimit brendashqiptar: kontestohet Kongresi i drejtshkrimit të mbajtur në Tiranë për njësimin e gjuhës shqipe. Kontestimi i personaliteteve dhe ngjarjeve historike të kombit shqiptar është përpjekje më brutale për dehumanizimin e qëllimit të kombit shqiptar për liri dhe vetëbërje. Kur rrëgjohet qëllimi, mjeti (alfabeti unik shqipes dhe vetë gjuha) bëhet i padobishëm.
Ideologjia e përveçimit, duke e pajisur vetëdijen krahinariste dhe regjionale me kategorinë operuese të diferencimit dhe të dallueshmërisë, si instrumente të të menduarit poststrukturalist ndaj botës, do të synojë që ta zhbëjë çdo raport ndërmjet shumёllojshmërisë së cilësive me substancën që bën njësimin dhe njësishmërinë e saj. Kështu, duke u mbështetur në kategorinë e hapësirës administrative-politike nuk është çuditshme që, prej vetëdijes së tillë krahinariste, një ditë të na servohet ideja e ekzistencës së dy Lidhjeve të Prizrenit: njëra e Kosovës së Sylejman Vokshit – meqë ky udhëheqës i Lidhjes ka lindur në “Kosovën dardane”, rrjedhimisht duhet të ketë patur ideal të tij “pavarësinë e Kosovës së 2008-tës”(!!!); dhe tjetra e Shqipërisë së Abdyl Frashërit – meqë ky udhëheqës i Lidhjes ka lindur në Shqipëri, rrjedhimisht duhet ta ketë patur ideal të tij “pavarësinë e Shqipërisë së 1912-tës” (!!!).
Përfundim
Në kohën kur janë shtuar zërat e ideologjisë përveçuese, zërat që e afirmojnë idenë për policentrizim (si kundërpërgjigje ndaj unicentrizimit) të ndjenjave, mendimeve dhe vullneteve në punë të bërjes të njësisë shpirtërore të kombit shqiptar, Kongresi i Manastirit, në këtë 117 vjetor, vjen si asnjëherë më i fuqishëm në mbrojtje dhe fuqizim të qëllimeve të ekzistencës së vet: qëllimit të bërjes dhe funksionimit të njësisë shpirtërore të kombit shqiptar.
Kongresi i Manastirit sot vjen për të na thënë se do të jemi të mëdhenj në masën e aftësive të arsyes sonë dhe fuqive organizative e vepruese për t’i zgjidhur problemet e mëdha me rëndësi jetike për zhvillimin e kombit shqiptar.



