Kongresistja amerikane i përgjigjet Trumpit pas komenteve ofenduese ndaj komunitetit somalez
Kongresistja amerikane me prejardhje somaleze, Ilhan Omar, ka reaguar ashpër ndaj presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili gjatë një mbledhjeje kabineti e quajti atë dhe emigrantët somalezë mbeturina dhe u bëri thirrje të largohen nga Amerika.
Në një postim në rrjetet sociale, Omar tha se fiksimi i Trump-it me të është i çuditshëm dhe shtoi se shpreson që ai të marrë ndihmën që i nevojitet.
Deklaratat e presidentit vijnë pas një vale të re retorike kundër emigracionit, sidomos pas vrasjes së dy pjesëtarëve të Gardës Kombëtare në Uashington muajin e kaluar. I dyshuari për ngjarjen është një shtetas afgan i evakuuar në SHBA në vitin 2021, çka ka nxitur Trump-in të kërkojë kufizime të ashpra ndaj emigrantëve nga vendet që ai i ka quajtur të botës së tretë, përfshirë Somalinë.
Omar, e cila erdhi në SHBA si fëmijë refugjate nga lufta civile në Somali, është e para amerikane me prejardhje somaleze që ka shërbyer në Kongres. Ajo përfaqëson një distrikt në Minnesota, ku ndodhet një nga komunitetet më të mëdha somaleze në vend.
Sipas një raporti të Dhomës së Tregtisë së Minnesota-s nga viti 2021, komuniteti somalez ka shënuar progres të rëndësishëm ekonomik dhe arsimor gjatë dy dekadave të fundit, me rënie të varfërisë, rritje të pjesëmarrjes në tregun e punës dhe rritje të të ardhurave familjare.



