Konjufca: Italia po e ndihmon Kosovën në heqjen e vizave

11 shkurt 2020 | 16:07

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me homologun italian, Luigi Di Maio, ka deklaruar se Italia mbetet mbështetësi i palëkundur i Kosovës drejt BE-së.

Pas takimit me Di Maio, Konjufca, ka thënë se kanë diskutuar për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, si dhe për teknologjinë informative.

Ai ka thënë se Italia po e ndihmon Kosovën në heqjen e vizave dhe anëtarësim në NATO.

“Patëm një takim të shkëlqyeshëm me ministrin Di Maio i cili jemi të gëzuar që po e viziton Kosovën, e falënderova edhe njëherë për rolin që e ka pasur në çdo fazë të shtetndërtimit të Kosovës dhe jo vetëm thjesht kur ishte shpallja e Pavarësisë, por edhe në faza të mëhershme të rëndësishme kur populli i Kosovës luftonte për arritjen e lirisë”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa kryediplomati italian ka bërë thirrje që Kosova t’i kthehet dialogut me Serbinë në mënyrë që të hapet rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Të rinjtë shohin për mundësi për të ardhmen dhe ajo është edhe teknologjia e re. Kjo mund t’i bashkojë gjeneratat për të ndaluar migrimin e të rinjve”.

“Italia nxitë dialogun e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë aspekt do të bëjmë që edhe Bashkimi Evropian të jetë protagonist dhe lehtësues i dialogut që do t’i japë përparësi integrimit evropian”, është shprehur ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lulzim Sahiti - Fragment i shkëputur nga libri në dorëshkrim…