Kontributi i Profesor Agim Vincës në fushën e studimit të letërsisë

22 maj 2022 | 09:46

Dr. Kamber Kamberi

Agim Vinca (i lindur më 22 maj 1947 në Veleshtë të Strugës) është pa dyshim njëri ndër krijuesit më të njohur e më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe, që zë vend të veçantë jo vetëm në poezinë shqipe, por edhe në fushën e kritikës letrare, të studimit historiko-letrar të letërsisë, të mendimit teorik për letërsinë, të publicistikës etj.

Si personalitet me dhunti të rrallë krijuese, por edhe me kulturë e interesime të gjera, Prof. Vinca ka bërë emër jo vetëm në letërsinë dhe kulturën shqiptare, por edhe më gjerë. Ai ka aftësinë e vrojtimit të thellë të fenomeneve, ka shije të hollë, është njohës i jashtëzakonshëm i gjuhës shqipe, prandaj mund të cilësohet si mjeshtër i fjalës.

Diskursi i tij letrar është i gdhendur, i thellë, i skalitur e efektiv. Ky nivel arrihet, sigurisht, falë talentit, përkushtimit krijues dhe vetëdijes së lartë për misionin e fjalës së shkruar, por Agim Vincën si krijues e shkrimtar dhe posaçërisht si intelektual, e karakterizon edhe guximi për ta thënë troç atë që sheh dhe ndien, në të gjitha rastet dhe rrethanat.

Kontributi i Profesor Vincës në letërsinë shqipe, si në atë të krijimit artistik letrar, ashtu edhe në atë studimit dhe interpretimit letrar, është tejet i madh, për të mos thënë edhe i jashtëzakonshëm për rrethanat tona.

Kjo tashmë është e njohur gjithandej. Meqenëse, veçanërisht në kohë të fundit, poezisë së tij sikur i është kushtuar vëmendje mbase më e madhe, e shohim të udhës që në këtë kumtesë të merremi me kontributin e tij në fushën e studimit të letërsisë.

Agim Vinca u paraqit në fushën e kritikës letrare dhe të studimit historiko-letrar të letërsisë në vitet ’70 të shekullit që lamë pas, kur edhe e boton veprat e tij të para nga kjo fushë: Aspekte të kritikës sonë(1977), Qasje (1980), për të vazhduar me botimet e tjera si: Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980) (monografi historiko-letrare, 1985), Orët e poezisë (1990),

Populli i pandalur(publicistikë, 1992), Alternativa letrare shqiptare (1995, vepër që përjetoi tri botime), Kurs i teorive letrare (2002), ribotuar edhe në Shqipëri nën titullin Panteoni i ideve letrare (2003), Fije të pakëputura(2004), Kënga e hapur (antologji e komentuar, 2005), (Po)etika e fjalës (2010), Arti i reagimit (2011), Muza e Mëmëdheut (antologji e poezisë atdhetare shqipe, botuar në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 2012) etj.

Këto janë disa nga veprat e tij të botuara, kryesisht në fushën e studimit letrar, por edhe të publicistikës, që meritojnë domosdo qasje e studim të vëmendshëm. Në to janë sintetizuar mendime dhe gjykime për veprat, shkrimtarët dhe ngjarjet letrare, vrojtime kritike të argumentuara e vlerësime të qëndrueshme. Në këto vepra gjejmë analiza e interpretime të autorit lidhur me fenomene të ndryshme të artit e të letërsisë, shfaqur në periudha të ndryshme kohore dhe në shtrirje të ndryshme gjeografike. Gjithashtu edhe zhvillimet dhe ndodhitë e ndryshme shoqërore, sidomos në trevat shqiptare, liritë dhe të drejtat e tyre, gjejnë vend në to. Të gjitha këto, sigurisht, bazohen në kritere të qëndrueshme estetike dhe respektojnë metodologjinë shkencore, pra kanë karakter objektiv. Prof. Vinca është studiues që kritikën letrare e shkruan në mënyrë shkencore, por njëkohësisht edhe kreative. Lexuesi i këtyre studimeve mund të përfitojë, prandaj, njohuri e gjykime të sakta të shfaqura në to, por edhe mendimin e qartë, fjalorin e pasur, sintaksën shqipe dhe terminologjinë e saktë.

STUDIUES SERIOZ DHE I PASIONUAR

Veprimtaria letrare e Agim Vincës (profesor shumëvjeçar i Universitetit të Prishtinës) fillon me poezinë, për të vazhduar më pastaj në fushën e kritikës letrare dhe të studimit historiko-letrar, për të qenë të pandashme në vazhdimësi deri më sot. Qasja e tij studimit letrar, nis edhe para librit Aspekte të kritikës sonë (1977), me recensione e ese të botuara në faqet e shtypi dhe periodikut letrar, veçanërisht te “Jeta e re”. Në studimin e tij për Mitrush Kutelin si kritik letrar (Mendimi kritik i Mitrush Kutelit), ai paralajmëron seriozitetin dhe këmbëngulësinë e një studiuesi të pasionuar e të veçantë të letërsisë shqipe: të hulumtuesit dhe mbrojtësit të palodhur të vlerave të saj.

Këtë paralajmërim do ta vazhdojë te libri Qasje, botuar në vitin 1980, për ta thelluar edhe më shumë në veprat e tij të mëvonshme, që shënojnë fazën e pjekurisë së tij si studiues i letërsisë dhe kritik letrar. Por sidoqoftë, individualiteti krijues i autorit, në fushën e studimit shpërfaqet i kristalizuar me botimin e librit voluminoz Struktura e zhvillimit të poezisë (1945-1980), botuar në vitin 1985. Është një libër i cili e bën më të pasur opusin krijues të autorit dhe, gjithsesi, edhe bibliotekën shqiptare. Ky libër-sintezë, me kalimin e kohës do të bëhet pikë orientimi apo referimi për studimet tjera që i përkasin kësaj natyre, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, sidomos me qasjen e tij integrale letërsisë (poezisë) shqipe në tërë arealin shqiptar. Kritika e kohës dhe studiuesit shqiptarë e vlerësuan lart këtë vepër, ndërsa studiuesi i mirënjohur, akademik R. Qosja, e quajti: “histori të poezisë bashkëkohore shqipe”.

“Libri ‘Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1985)’, që është teza e doktoratës e Prof. Dr. Agim Vincës, përfaqëson punën shkencore më voluminoze, më të plotë dhe, gjithsesi, më të rëndësishme për poezinë e sotme shqipe deri në ditët tona. Ky libër mund të konsiderohet si një histori e vërtetë e poezisë bashkëkohore shqipe dhe, madje, si një histori e thelluar e kësaj poezie”.

Ndërsa  studiuesi  nga Tirana,  Ndue Zef Toma, për këtë libër shprehet: “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe është punimi më i gjerë dhe më i plotë që është botuar deri më tani për poezinë tonë bashkëkohore. Kjo vepër do përshëndetur edhe si përpjekje e parë serioze për të përfshirë njëherësh në fushën e të parit tërë poezinë e sotme shqipe pa marrë parasysh kontekstet shoqërore dhe shtetërore në të cilat është zhvilluar ajo”.

Libri Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980) e ndjek zhvillimin e poezisë shqipe, strukturën e saj, në diakroni, në një periudhë gati gjysmëshekullore. Autori i tij bën periodizimin dhe tipologjinë e poezisë shqipe të pas Luftës së Dytë Botërore, duke e konkretizuar atë me portretet e poetëve më të shquar të saj dhe analizën e krijimtarisë së tyre poetike. Vlerat e pakontestueshme të kësaj vepre konsistojnë në parimet e një qasjeje unike ideoestetike, larg ndikimeve ditore e ngjyrimeve ideologjike, krahinore e të tjera. Të gjitha trajtimet e zhvillimit të poezisë, apo të cilitdo autor, që të gjithë i nënshtrohen të njëjtës masë vlerësimi a klasifikimi. Dhe, pothuajse të gjitha mendimet e vlerësimet, kanë një emërues të përbashkët, se libri në fjalë me një formë të re, me një kompozicion stabil e frymë të re trajtimi, solli risi, por edhe trasoi shtigje të reja ftilluese në fushën e studimit të poezisë bashkëkohore shqipe. Thënë ndryshe, me këtë vepër autori i saj, Agim Vinca, thyen kufijtë gjeografikë, krahinorë e ideologjikë, duke u prezantuar si një studiues me integritet të plotë dhe që respekton integritetet e tjera, aty ku duhet të respektohen.

Pas kësaj vepre vjen libri tjetër voluminoz me kritikë e studime letrare, Orët e poezisë, botuar te “Rilindja” në vitin 1990. Libri ndahet në pesë pjesë, duke filluar nga pjesa I. Ese për klasikët modernë, ku përfshihen kryesisht autorë të huaj, klasikë e modernë, që kanë ushtruar ndikim në rrjedhat e poezisë shqipe si Bodleri, Tagora, Brehti, Lorka, Majakovski, Ricosi, Elyari e të tjerë, duke i ofruar lexuesit shqiptar aspekte e këndvështrime të ndryshme të krijimtarisë së tyre. Njësoj mund të thuhet edhe për pjesën e II. Me bashkëkohësit, poetët e shquar bashkëkohorë shqiptarë, të cilët i trajton gjithashtu nga aspekte dhe kënde të ndryshme, herë-herë edhe krahasuese. Pjesa III, IV dhe V kanë të bëjnë me vështrime të aspekteve teorike, të dukurive letrare, të zhanreve të ndryshme si poema, balada etj., të raporteve të poezisë me kohën e probleme të tjera të ngjashme.

Libri Alternativa letrare shqiptare, botuar së pari më 1995 në Shkup dhe i ribotuar dhe dy herë të tjera më vonë, në Shkup e Prishtinë, është, siç do të thoshte Robert Elsie: “… sinteza e parë shkencore e ideve dhe rrymave të letërsisë shqiptare të shekullit të njëzetë, veçanërisht e rrjedhave që ishin në kundërshtim me doktrinën zyrtare të pasluftës, realizmin socialist…”.

Në në pjesën e parë të librit: Letërsia, koha, idetë, në shkrimin hyrës “Letërsia në frontin e ideve” (Aspekte të jetës dhe të ideve letrare në letërsinë shqipe të pasluftës), figurativisht ky titull nxitës, reflekton pozicionimin parimor dhe të palëkundur të autorit përballë alternativave, ideve, kampeve apo rrymave letrare. Të gjitha këto që vijnë të shfaqura në kohë të ndryshme në letërsinë shqipe, sidomos të asaj të sotmes, nga paslufta e Dytë Botërore e këndej. Filli nis me përshkrimin e formimit dhe strukturimit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në tetor të vitit 1945, organizatë që në zanafillë kishte grumbulluar shkrimtarë rrymash e konceptesh të ndryshme. Puna e mbarë nisur në këtë organizatë krijuesish, shumë shpejt shfaqen shenjat e mospajtimeve të formave që duhet ndjekur në fushën e krijimit të letërsisë. Fronti hapet dhe përplasja shfaqet në mes të Sejfulla Malëshovës (Lame Kodra) dhe ithtarëve të tij, me orientim liberal dhe të tjerëve si Dhimitër Shuteriqi, Mark Gurakuqi, Kolë Jakova, Llazar Siliqi etj., të cilët, nën ndikimin e ideologjisë në fuqi, do shkaktojnë përçarjet e para, por edhe do të mënjanohen njëri pas tjetrit edhe shokët e tyre të penës. Ky polarizim do të vazhdojë edhe më tutje duke shfrytëzuar edhe direktivat që vinin në emër të partisë, ose që shfrytëzoheshin për xhelozi e larje hesapesh në mes të kolegëve, ku edhe do të binin njëri pas tjetrit edhe ata që diferenconin tjetrin. Këto sulme e denigrime do të vazhdonin edhe më tutje. Hendeku i konfrontimit do të thellohet sidomos në fillim të viteve ’60. Fillimisht në mes të individëve për t’u zgjeruar më pastaj në mes dy kampeve krijuesish, të novatorëve dhe ithtarëve të dogmave tradicionale. Gjithashtu, pos historikut të Lidhjes së Shkrimtarëve, mospajtimeve dhe diferencimeve të mëvonshme, një meritë tjetër është, se lexuesi merr njohuri lidhur me rolin e disa shkrimtarëve që për opinionin e gjerë ishin të panjohur, ose njiheshin në një cilësi tjetër. Kështu ai, na bën të njohur kahet dhe rolin e shumë prej tyre, posaçërisht me veprimtarinë letrare të disa autorëve të veçantë, ndikimin e tyre në rrethana të caktuara kohore; në këtë mes trajtohet veprimtaria e shkrimtarëve si: Kasëm Trebeshina, për të na bërë të njohur edhe me Promemorien e tij të vitit 1953, njërën nga dëshmitë e disidencës jo vetëm me veprën e tij letrare dhe jetësore në përgjithësi, por edhe me veprime tjera; Ismail Kadare, me veprën e tij në raport me të tjerët dhe konformizmin politik, duke e quajtur atë gjeniu ambivalent i letërsisë shqipe; Visar Zhiti, që në moshën 27 vjeçare, për shkak të poezisë, u dënua me 10 vjet burg, gjithashtu me veprën e krijuar kryesisht në poezi nëpër burgjet e kohës. Pos këtyre trajtimeve, Vinca, sjell edhe përfundime të tjera mbase shumë të sakta dhe të pahasura më parë për disa autorë të periudhës së Rilindjes Kombëtare apo të letërsisë moderne shqipe, që veprojnë kryesisht gjatë pjesës së parë të shekullit të 20-të, apo edhe më vonë si Luigj Gurakuqi, Fan S. Noli, Gjergj Fishta, Petro Marko e Sterjo Spasse. Në këtë libër trajtohen në aspekte të ndryshme edhe poetë e shkrimtarë të tjerë të njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe si Ali Podrimja, I. Kadare, R. Qosja, F. Arapi, A. Shkreli, B. Londo, V. Zhiti, F. Gunga, Xh. Spahiu etj., por A. Vinca, këtu i bën të njohur edhe disa emra të shkrimtarëve të një gjenerate tjetër që ishin pak të njohur për opinionin, mbase edhe krejtësisht të panjohur në letërsi, siç janë: Pjetër Arbnori, ish të burgosurit politikë në Kosovë: Hydajet Hyseni, Merxhan Avdyli, Bajram Kosumi, Ismail Syla, prozatorin Arfi Demolli, mërgimtarin Mustafë Xhemajli etj. Flet gjithashtu për talentin dhe fatin tragjik të poetit kuksian Agim Spahiun, për gjerdanin medaljonesh lirike të Valdete Andonit etj. Pra ky studiues në këtë rast dhe në raste tjera, ndryshe nga të tjerët merret edhe me veprat e para apo të pakta të këtyre autorëve (në krahasim me të tjerët), duke u kushtuar vëmendje, pa mendjemadhësi, me një thjeshtësi madhështore veprave të tyre. Për t’i bërë të njohur për lexuesin, dhe si akt moral e njerëzor (që e karakterizon shpirtin e këtij shkrimtari), për t’i stimuluar, udhëzuar e përkrahur për vepra të reja.

Një tjetër çështje që haset në këtë libër dhe që është me interes dhe peshë të madhe kombëtare, është çështja e disa tendencave për gjuhën letrare shqipe. Trajtesa me titull Gjuha e sotme letrare shqipe dhe konteksti socio-kulturor shqiptar dhe me nëntitullin, Një komb – një gjuhë letrare, që në fillim tregojnë qëndrimin atdhetar, por edhe shkencor të autorit ndaj problemit të gjuhës standarde shqipe. Duke përshkruar historikun e gjuhës letrare shqipe, ai mbron me këmbëngulje parimin e hershëm dhe vendimin e mëvonshëm historik: një komb-një gjuhë letrare. Kjo do të ishte e nevojshme dhe domosdoshme për të përballuar e tejkaluar politikat antishqiptare dhe përpjekjet e vazhdueshme shoviniste, të qarqeve të ndryshme për të “krijuar” një popull tjetër, jo të natyrshëm me gjuhë ndryshe e kulturë ndryshe, në mënyrë që mundësia e asimilimit të ishte më e lehtë. Lidhur me këtë, për këtë çështje të rëndësishme, pos tjerash shprehet:

“Njësimi i gjuhës, pos që ishte vazhdim i natyrshëm i procesit të zhvillimit historik të gjuhës shqipe mbi bazën e afrimit dhe konvergjimit të dy kryedialekteve, shënonte simbolikisht edhe fillimin e një procesi tjetër: atë të bashkimit dhe të integrimit tonë shpirtëror dhe kulturor si komb”.  

Gjuhën e njësuar e konsideron si njësi matëse kombëtare, si një kushtetutë kombëtare që nuk duhet të përdhoset e nëpërkëmbet nga askush, por të çmohet e respektohet nga të gjithë. Është një normë e cila duhet zbatuar, në radhë të parë nga njerëzit e kulturës, të artit e sidomos nga shkrimtarët, pos në rastet kur mund edhe të përdoret ndonjë dialekt për efekte artistike. Prandaj, ai, jep mesazh të qartë për tendencat retrograde, të shfaqura ndonjëherë se këto janë akte sa të papranueshme aq edhe të rrezikshme. “Sepse, gjuha është – veçanërisht për ne shqiptarët – një nga shtyllat kryesore të unitetit kombëtar.”

Si përfundim i këtij problemi serioz dhe tendencave të herëpashershme, aty-këtu për të ndryshuar diçka, mund të përmbyllet me definicionin e prof. Vincës se, gjuha letrare është mjet komunikimi për të gjitha kategoritë e kombit (të shoqërisë) dhe për të gjitha fushat e jetës dhe të dijes.

Ndër librat e tjerë të fushës së studimit, që është pak më ndryshe, apo e një lëmie tjetër, mbase më të vështirë, dhe që mund të quhet edhe studim – interpretim apo ligjërim i një forme të veçantë, metakritikë, është vepra TEORI LETRARE (Prej antikës deri te postmodernizmi). Është një vëllim mbi teoritë dhe doktrinat e shumta letrare nga ato më të njohurat, që përfshijnë shfaqjen dhe zhvillimin e tyre të një periudhe të gjatë kohore. Botohet së pari në Prishtinë nga Libri shkollor, në vitin 2002 dhe ribotohet e plotësuar me tekste, ide, vrojtime e interpretime të reja, po nga e njëjta shtëpi botuese dhjetë vjet më vonë, 2012.

Sigurisht se ky është një nga librat e tij më të rëndësishëm dhe mbase më të çmuar  dhe i domosdoshëm për nevojat e studentëve, veçanërisht të studimeve pasuniversitare. Është një kurorëzim i një pune të madhe e sistematike që kërkon kohë, përkushtim dhe njohuri të përgjithshme nga kultura e gjerë, për t’u sjellë të tjerëve lehtësime në fushën e studimit të teorive, doktrinave dhe rrymave letrare. Dhe këtë, jo vetëm për shërbimin e kërkesave të studentëve, edhe pse siç thotë vetë profesori:

 “…mungesa e madhe e kësaj literature në gjuhën shqipe dhe kërkesat e vazhdueshme të studentëve për të pasur diçka të tillë nga kjo lëndë, qoftë edhe në formë përmbledhëse, më nxitën që t’i hyja kësaj pune”.

Dhe duhej një përvojë e përkushtim për këtë punë voluminoze për rreth dy dekada në fushën e studimit dhe të ligjërimit për t’ia lehtësuar punën studiuesit dhe lexuesit shqiptar. Bazuar në shumë libra të natyrës teorike, vepra të shumta letrare të periudhave dhe rrymave të ndryshme, studimeve të tjera dhe përvojës së gjatë studimore, ligjërimore e interpretuese, na ofron së fundi një vepër mjaft të rëndësishme dhe të pakontestueshme. Qasja e problemeve të fushës së poetikës, nisin së interpretuari nga autori, që nga antika e deri në kohët moderne kur kjo shfaqet me termin si teori e letërsisë. Nga këtu fillon edhe shkoqitja apo shpjegimi, gjithsesi elokuent i prejardhjes a kuptimit të fjalëve, nocioneve a koncepteve (që në teoritë letrare janë aq të shumta dhe shpeshherë edhe të paqarta), dhe që e përshkojnë këtë libër që nga fillimi e deri në fund. Krahas këtyre, të rikujtohen apo të mësohen emra dhe vepra të poetëve a filozofëve antikë, që nga miti për Orfeun dhe Vejnemejnenin, Homeri, Talesi e Anaksimeni, Hesiodi me veprën Teogonia, Dialogët e  Platonit, idetë dhe vlera e tyre estetike, Aristotelime pikëpamjet e tij mbi artin poetik që i shprehu kryesisht te Poetika, Aristofanni si komediografi më i madh antik etj. Shkollat dhe metodat e analizave të veprës letrare dhe trajtimi i tyre deri në Mesjetë. Poetika në periudhën e Humanizmit dhe të Renesancës, e Klasicizmit, Teoritë letrare romantike, Postromantike me rrymat letrare dhe përfaqësuesit më eminentë, Parnasizmi dhe simbolizmi si doktrinë letrare, gjithashtu me përfaqësuesit, teoritë estetike të tyre, Teoria e realizmit socialist, Rrymat letrare avangarde dhe manifestet e tyre, dhe krejt në fund të këtij libri është trajtimi, Posmodernizmidhe teoria e intertekstualitetit.

Të gjitha këto tema aspak të lehta, janë trajtuar e shkoqitur mjeshtërisht e në mënyrë të dokumentuar. Gjithashtu, përfshirja e gjerë e periudhës kohore dhe e shtrirjes gjeografike, pos profesionalizmit, argumenton punën e madhe, kulturën, erudicionin, përkushtimin, mundin dhe kohën që është dashur për të realizuar një vepër të tillë.

Dhe kjo nuk është e tëra që mund të thuhet për secilën vepër të kësaj lëmie. Është një vështrim i shkurtër e sipërfaqësor, mbase mund të jetë nxitës për një vëmendje, për një qasje dhe përkushtim më të madh ndaj veprave të këtij autori. Sepse, për këto ka çka të thuhet, vazhdimisht dhe pashtershëm.

SI  PËRFUNDIM

Prof. Dr. Agim Vinca është poet, studiues, kritik letrar, eseist, publicist, polemist, përkthyes, antologjist, me një fjalë krijues i përkushtuar që merret me shkrime gati pesëdhjetë vjet pa ndërprerje. Si poet ai zë vend ndër poetët e shquar të poezisë sotme shqipe. Prandaj edhe është përkthyer në shumë gjuhë dhe përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe, brenda e jashtë.

Pas leximit tërësor të veprës së tij, megjithatë, mund të thuhet se kontributi i profesor Vincës në fushën e studimit të letërsisë dhe të kritikës letrare është edhe më i madh. Si studiues i përkushtuar e gjithmonë serioz, dhe njohës i mirë i zhvillimit të rrymave të ndryshme letrare, ka bërë të mundur botimin e shumë veprave të kësaj natyre. Në mesin e këtyre studimeve, mund të veçohet studimi i thellë i poezisë shqipe, pothuaj i të gjitha kohëve e gjeneratave. Dhe mbi të gjitha i poezisë sotme shqipe të të gjitha trojeve shqiptare, por edhe të diasporës. Prandaj, edhe mund të konsiderohet e quhet lirisht e pa hezitim si njohësi dhe studiuesi më i spikatur i poezisë së sotme shqipe në përgjithësi.

*Autori është dekan i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Gjakovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Udhëheqësi i ri i Australisë është zotuar se do ta…