
Koreja e Veriut rikonfirmon mbështetjen për luftën e Rusisë në Ukrainë
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i tha diplomatit më të lartë të Rusisë se vendi i tij ishte gati të “mbështeste pa kushte” të gjitha veprimet e ndërmarra nga Moska për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, raportoi sot media shtetërore, ndërsa të dy vendet zhvilluan bisedime strategjike të nivelit të lartë, sipas “Reuters”.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ndodhet në një vizitë treditore në Korenë e Veriut, e cila ka siguruar trupa dhe armë për luftën e Rusisë.
Koreja e Veriut premtoi më shumë mbështetje ushtarake ndërsa Moska përpiqet të bëjë përparime në konflikt.
Kim u takua me Lavrov në qytetin bregdetar lindor të Wonsan, ku ministrat e Jashtëm të të dy vendeve zhvilluan dialogun e tyre të dytë strategjik – duke u zotuar për bashkëpunim të mëtejshëm – sipas një traktati partneriteti të nënshkruar vitin e kaluar që përfshin mbrojtjeje të ndërsjellë.
“Kim Jong Un rikonfirmoi se DPRK (Republika Popullore Demokratike e Koresë së Veriut) ishte gati të mbështeste pa kushte dhe të inkurajonte të gjitha masat e ndërmarra nga udhëheqja ruse në lidhje me trajtimin e shkakut rrënjësor të krizës ukrainase”, tha KCNA.
Lavrov, më herët zhvilloi bisedime me homologun e tij të Koresë së Veriut Choe Son Hui në Wonsan.
“Ata lëshuan një deklaratë të përbashkët duke premtuar mbështetje për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit”, tha KCNA.
Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Koresë së Veriut janë thelluar në mënyrë dramatike gjatë dy viteve të fundit të luftës në Ukrainë, e cila filloi në shkurt 2022.
Pheniani dislokoi më shumë se 10,000 trupa dhe armë në Rusi për të mbështetur fushatën ushtarake të Moskës.
Qeveria e Kim është zotuar të dërgojë rreth 6,000 inxhinierë dhe ndërtues ushtarakë për të ndihmuar në punën e rindërtimit në rajonin Kursk të Rusisë.