Koreja Veriore “nuk ka gatishmëri” për denuklearizim të plotë

30 janar 2019 | 14:00

Një raport i inteligjencës amerikane ka vënë në dyshim gatishmërinë e Koresë Veriore për të hequr dorë plotësisht nga armët bërthamore, pavarësisht shpresave të administratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Në Raportin për Kërcënime Botërore është thënë se Irani nuk është duke krijuar armë bërthamore, mirëpo kërcënimet kibernetike nga Kina dhe Rusia po përbëjnë shqetësim.

Sipas tij, të dyja shtetet mund të tentojnë të ndikojnë në zgjedhjet e vitit 2020 në SHBA.

Drejtori i inteligjencës kombëtare, Dan Coats dhe shefa tjerë të inteligjencës e kanë prezantuar këtë raport të martën para Senatit.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri verikorean, Kim Jong-un janë takuar në qershor të vitit të kaluar në Singapor, për të diskutuar denuklearizimin e Gadishullit Korean.

Në atë kohë, Trump pati pretendetuar se ai takim i ka dhënë fund kërcënimit bërthamor verikorean.

Të dy liderët kanë nënshkruar një marrëveshje përmes së cilës janë zotuar “të punojnë drejt denuklearizimit të plotë”, mirëpo ende nuk është bërë përparim në këtë fushë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trump dhe Kim do të takohen sërish në muajin shkurt, mirëpo ende nuk është konfirmuar një datë.

Raporti i ri thekson edhe rritjen e kërcënimit nga Kina dhe Rusia, të cilat “kanë krijuar marrëdhënie të ngushta së fundmi”.

Aty përmendet edhe se Irani, që aktualisht nuk është duke krijuar armë bërthamore, ndonëse ka “ambicie ushtarake dhe kapacitete të avancuara ushtarake”, mund të krijojë kërcënim për interesat amerikane.

Presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2018 që Irani ka me fuqitë botërore dhe ka vendosur sanksione të ashpra kundër Teheranit.

Sa i përket Lindjes së Mesme, në raport është thënë se grupi militant, Shteti Islamik, ende nuk është mundur, pavarësisht pretendimeve të kundërta të presidentit Trump./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur sot për dialogun me Serbinë,…