Korrupsioni vazhdon të mbetet problemi kryesor i Kosovës

07 prill 2021 | 10:25

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Shaip Havolli, ka bërë me dije se zbatimi i ligjit mbetet sfida kryesore për parandalimin e korrupsionit.

Ai ka thënë se zbatimi i ligjit në këtë fushë lë për të dëshiruar.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka treguar se kjo sfidë haset më së shumti në rastet e nivelit të lartë të dyshuara për korrupsion.

“Sfida në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit vazhdon të mbetet zbatimi i ligjit, sidomos në rastet e nivelit të lartë të dyshuara për korrupsion dhe krim të organizuar. Edhe pse legjislacioni anti-korrupsion vlerësohet se është në përputhje me standardet minimale ndërkombëtare dhe praktikat e mira, zbatimi i tij në të gjitha rastet lë për të dëshiruar”, ka thënë Havolli.

Ai ka deklaruar se niveli i korrupsionit në Kosovë nuk ka të bëjë vetëm me perceptim publik. “Korrupsioni në Kosovë ekziston si dukuri dhe veprim dhe vazhdon të mbetet sfida dhe problemi kryesor i shtetit të Kosovës duke penguar zhvillimin e vendit në mënyrë serioze në shumë procese integruese. Këtë nuk e them vetëm unë si drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, por prania e korrupsionit në vend është konfirmuar edhe përmes rasteve në praktikë të cilat janë në proces gjyqësor. Niveli i korrupsionit në Kosovë tanimë nuk ka të bëjë vetëm me perceptim publik, por me një fenomen i cili po ndodh dhe është i evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare dhe vendore që publikohen në mënyrë të vazhdueshme”, është shprehur ai.

Havolli ka bërë me dije se në aspektin e hetimeve gjatë vitit 2020 AKK-ja ka zhvilluar procedurën e hetimeve paraprake në gjithsej 313 raste, prej të cilave 134 janë bartur nga viti paraprak, kurse gjatë vitit 2020 janë pranuar edhe 179 raste.

“Prej tyre 124 raste janë përcjellë në Prokurori, Polici për procedim të mëtutjeshëm, 16 raste janë përcjellë në organet kompetente administrative me kërkesë për fillimin e procedurës disiplinore, 112 raste janë mbyllur, ndërsa 61 raste janë në procedurë. Numri i përgjithshëm i informacioneve anonime të trajtuara është 19. Gjatë vitit raportues Agjencia ka trajtuar gjithsej 66 raste të iniciuara sipas detyrës zyrtare (ex-officio). Për më shumë informata, ju lutem t’i referoheni raportit të AKK-së për vitin 2020, nga faqe 8-16 ku mund t’i gjeni të gjitha informatat lidhur me rastet e trajtuara të kësaj natyre”, ka deklaruar Humolli.

“Epoka e re”: Është bërë një vjetqë Kosova po përballet me pandeminë Covid-19. Ka ndikuar pandemia në punën e agjencisë?
Havolli: Sigurisht ka ndikuar. Shkurtimet e stafit dhe puna me staf esencial në Agjencinë Kundër Korrupsionit si dhe institucionet e tjera, nga të cilat AKK-ja siguron informacionin dhe dokumentacionin lidhur me punën e saj, ka paraqitur vështirësi veçanërisht në aspektin e respektimit të afateve kohore dhe përmbushjen e detyrave.

“Epoka e re”: Sa raste keni trajtuar gjatë këtij viti pandemik dhe bëhet fjalë për ndonjë zyrtar të nivelit të lartë?
Havolli: Në aspektin e hetimeve gjatë vitit 2020 AKK-ja ka zhvilluar procedurën e hetimeve paraprake në gjithsej 313 raste, prej të cilave 134 janë bartur nga viti paraprak, kurse gjatë vitit 2020 janë pranuar edhe 179 raste. Prej tyre 124 raste janë përcjellë në Prokurori, Polici për procedim të mëtutjeshëm, 16 raste janë përcjellë në organet kompetente administrative me kërkesë për fillimin e procedurës disiplinore, 112 raste janë mbyllur, ndërsa 61 raste janë në procedurë. Numri i përgjithshëm i informacioneve anonime të trajtuara është 19. Gjatë vitit raportues Agjencia ka trajtuar gjithsej 66 raste të iniciuara sipas detyrës zyrtare (ex-officio). Për më shumë informata, ju lutem t’i referoheni raportit të AKK-së për vitin 2020, nga faqe 8-16, ku mund t’i gjeni të gjitha informatat lidhur me rastet e trajtuara të kësaj natyre. Ndërsa në aspektin e parandalimit të konflikt të interesit, përgjatë vitit të kaluar janë trajtuar 160 raste, 70 raste kanë shmangur konfliktin e interesit, 19 raste kanë rezultuar pa konflikt të interesit, 25 raste janë në procedim, në 43 raste janë ofruar përgjigje, opinione, këshilla, dy raste janë bartur në Departamentin për Hetime të mëtejme, ndërsa një rast është përcjell në kundërvajtje. Ndërsa nga autoritetet përgjegjëse janë raportuar këto raste: 77 raste janë paraqitur si konflikt i interesit, 28 raste janë shmangur nga konflikti i interesit, 9 raste janë pa konflikt të interesit, 8 raste janë me konflikt interesit dhe në procedurë disiplinore, është lëshuar një opinion, tri raste janë ende në procedurë dhe 28 raste i janë dërguar Agjencisë Kundër Korrupsionit. Për më shumë informata mund t’i referoheni raportit të AKK-së për vitin 2020, nga faqe 29-32, pra aty mund t’i gjeni të gjitha informatat lidhur me rastet e trajtuara të kësaj natyre.

“Epoka e re”: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat agjencia përballet në luftën kundër korrupsionit?
Havolli: Sfidat e AKK-së për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit janë të natyrave të ndryshme, por në mënyrë specifike kanë të bëjnë me ushtrimin e plotë të mandatit të Agjencisë në bazë të kompetencave të përcaktuara me dispozitat ligjore në fuqi në fushën e luftimit dhe parandalimit të korrupsionit, parandalimit të konfliktit të interesit të zyrtarëve të lartë publikë, deklarimit të pasurisë dhe mbrojtjes së sinjalizuesve. Kjo nënkupton se sfidë kryesore e AKK-së vazhdon të mbetet finalizimi i Draftligjit për Agjencinë Kundër Korrupsionit (Draftligji për Parandalimin e Korrupsionit), vendime, opinione dhe Draftligji për Deklarimin e Pasurisë dhe Dhuratave të Zyrtarëve të Lartë Publikë – për miratim në Qeveri dhe në Kuvend. Po ashtu, pjesë përbërëse e këtyre dy ligjeve janë edhe Strategjia Kundër Korrupsionit dhe Plani i Veprimit që, përkundër miratimit në Qeveri, ende nuk kanë kaluar në fazën e finale të miratimit. Po ashtu, një sfidë tjetër e AKK-së vazhdon të mbetet plotësimi me akte nënligjore i Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, që do të ndihmonte në avancimin e rolit të sinjalizuesve si dhe trajtimin e tyre në raport me rolin e tyre në institucione dhe më gjerë.

“Epoka e re”: Pothuajse në të gjitha raportet ndërkombëtare evidentohet mungesa e luftës së korrupsionit në Kosovë. Ku mendoni se janë pengesat për të bërë përparim në këtë fushë?
Havolli: Sfidë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit vazhdon të mbetet zbatimi i ligjit, sidomos në rastet e nivelit të lartë të dyshuara për korrupsion dhe krim të organizuar. Edhe pse legjislacioni antikorrupsion vlerësohet se është në përputhje me standardet minimale ndërkombëtare dhe praktikat e mira, zbatimi i tij në të gjitha rastet lë për të dëshiruar.
Korrupsioni në Kosovë ekziston si dukuri dhe veprim dhe vazhdon të mbetet sfida dhe problemi kryesori i shtetit të Kosovës duke penguar zhvillimin e vendit në mënyrë serioze në shumë procese integruese. Këtë nuk e them vetëm unë si drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, por prania e korrupsionit në vend është konfirmuar edhe përmes rasteve në praktikë të cilat janë në proces gjyqësor. Niveli i korrupsionit në Kosovë tanimë nuk ka të bëjë vetëm me perceptim publik, por me një fenomen i cili po ndodh dhe është i evidentuar edhe në raportet ndërkombëtarë dhe vendore që publikohen në mënyrë të vazhdueshme. Masat parandaluese të luftimit të korrupsionit janë domosdoshmëri dhe, si të tilla, do të duhej të trajtoheshin nga institucionet e Kosovës të cilat nëpërmjet kornizës ligjore do ta rrisin llogaridhënien e zyrtarëve të lartë publikë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në të gjitha nivelet e institucioneve publike.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City mori një fitore me shumë rëndësi dje ndaj…