“Trepça”, deponi mbeturinash minerare që përhapin helm

02 dhjetor 13:22

Albulena S. MAVRAJ

Berat Peci, i cili jeton në qytetin e Mitrovicës çdo ditë ndihet i shqetësuar për shëndetin e tij për shkak të ndotjes së ambientit nga deponia e Parkut Industrial në këtë qytet. Ky i ri tregon shqetësimin që ia shkakton ndotja e ambienti si shkak i mosmenaxhimit të duhur të këtyre mbetjeve metalike. “Si qytetar i Mitrovicës ndihem i shqetësuar nga deponia e mbetjeve minerare, duke pasur parasysh se qyteti ynë është i njohur për pasuritë që ka me plumb dhe zink. Mbetjet e tyre janë duke e dëmtuar organizmin e njeriut”, ka thënë ai.

Mungesa e menaxhimit të këtyre mbetjeve, bën që Beratit dhe shumë qytetarë që jetojnë në këtë rrethinë ta paguajnë me shëndetin e tyre. “Këto mbetje nuk janë grumbulluar e sistemuar si duhet. Një erë e rëndomtë kur fryn nga këto deponi të hapura, ngre lartë një pluhur, i cili edhe sipas konstatimeve të mjekëve është i dëmshëm dhe kancerogjen. Prandaj, industrializimin në qytetin tonë në mungesë të menaxhimit të këtyre mbetjeve e paguajmë me shëndetin tonë”, ka treguar Berat Peci.

Qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë në zonat përreth deponive të mbetjeve minerare të gjigantit metalurgjik “Trepça”, përballën me ndotje të ambientit nga këto mbetje, kontaminim të ujërave, të tokës si dhe helme të ndryshme që shkaktohen nga këto deponi.

Në Parkun Industrial të Mitrovicës në pjesën jugore gjendet deponia më e madhe e këtyre mbetjeve minerare të “Trepçës”, e cila zë 35 hektarë tokë dhe që ka grumbulluar rreth 42 mijë tonë mbetje.
Mirëpo, për të shkuar deri te deponia e Parkut Industrial në Mitrovicë duhet hipur në një makinë pune të stërvjetruar të “Trepçës”, sepse rruga është jo e zakonshme.
Me të arritur në deponi nga këto mbetje që datojnë prej dekadash, nën mëshirën e fatit dhe kohës, sheh se toka ka marrë formë dhe ngjyrë ndryshe.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Deponia e mbetjeve minerare në Parkun Industrial në Mitrovicë

Duke shkelur mbi këto mbetje në çdo pëllëmbë toke që e bënë, nganjëherë të duket sikurse shkel në mbetje minerare të Çernobilit dhe menjëherë të kaplon e dridhura se si do të ndikojë kjo tani në shëndetin e njeriut.

Duke ndërruar hapat nga laramania e mbetjeve që kanë ngjyra të ndryshme, të duket sikurse je duke shkelur mbi arin e Kosovës nga ku të jepet ndjenja e snobistes.

Nuk vonon shumë dhe ndjenja ndryshon. Pasi shkel mbi hapësirën që është shndërruar në baltë duke ndërruar hapat, këmba vetëm rëndohet dhe balta e ngjitet në këpucë dhe ta vështirëson ecjen.

Fatkeqësisht kjo deponi nuk është e vetmja ku mbetjet minerare janë grumbulluar prej dekadash dhe fatin e njëjtë si të Beratit që jeton në një ambient të ndotur e kanë edhe shumë qytetarë tjerë, të cilët jetojnë përreth deponive në Stan Tërg, Artanë dhe Kishnicë, si dhe deponive tjera që në hapësirën tonë, kanë sasi më të vogla mbetjesh.

Mbështetur në të dhënat që ka prezantuar UNDP-i në raportin “Menaxhimi i Mbetjeve Industriale të Ndërmarrjes Trepça”, të vitit 2011, rezulton se ishin 42 mijë tonë mbetje vetëm në Parkun Industrial të “Trepçës”.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Po sipas UNDP-së, në total llogaritet të jenë 67 500 000 tonë mbetje. Por, fatkeqësisht kjo shifër nga atëherë e deri më tani mbetet enigmatike, pasi këto mbetje nuk kanë pasur vëmendje nga autoritetet në saje të situatës së rëndë që ka kaluar “Trepça”, qoftë situata politike, mungesa e ligjit apo zgjidhja e statutit të saj.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Deponia e mbetjeve minerare në Parkun Industrial në Mitrovicë

Historikun e shpërfilljes së ndotjes së ambientit nga këto mbetje na tregon edhe kryeshefi i “Trepçës”, Hysen Vrajolli. “Mbetjet datojnë që kur ka filluar prodhimi në ‘Trepçë’. Në Stan Tërg mbetjet minerare riciklohen, kurse mbetjet minerare të Artanës deponohen në deponinë e Kishnicës. Këto mbetje janë ndotës të ambientit, por kanë edhe vlerë monetare. Një pjesë e këtyre mbetjeve janë shitur në vitin 2009 dhe 2018. Aktualisht s’kemi shitje për shkak të pandemisë, pasi çmimet kanë rënë në bursën ndërkombëtare. Kam propozuar të bëhet një studim fizibiliteti që ta dimë efektin në ambient dhe sa mund të jetë vlera monetare”, ka thënë Vrajolli.

Gjendja e rënduar financiare prej vitesh në “Trepçë”, gjigantit më të madh profitabil në Ballkan, erdhi në situatën ku qeveria duhet subvencionuar vazhdimisht për pagat. Andaj, kjo edhe ka bërë që çështja e ambientale e rrezikut të ndotjes së ambientit nga këto mbetje të shpërfillet në tërësi. Prandaj, mosdija e vlerës monetare të këtyre mjeteve bëri që këto mbetje të mbesin viktimë e kohës.

Këtë na e thotë edhe Hysen Vrajolli, kryeshef i “Trepçës”, i cili barazi me dëmin ambiental, llogaritë edhe në vlerën monetare që mund ta kishin këto mbetje në rast se do të shiteshin. “Me shtije nënkuptojmë dy elemente; e para e pastrojmë ambientin, sepse kemi lumenj dhe tokë të ndotur dhe fitojmë mjete monetare që më pas do t’i investonim në miniera. Janë diku rreth 50 mijë tonë mbetje minerare vetëm në Parkun Industrial në Mitrovicë. Këto mbetje janë të zinkut prej metalurgjisë dhe prej flotacionit. Pos parkut industrial në “Trepçë”, janë dhe në Zveçan, Artanës dhe Kishnicë, mbi 20 mijë tonë. Që gjithsejtë janë 60 mijë tonë”, ka pohuar ai.

Vrajolli thotë se vazhdimisht ka ankesa nga banorët e zonave ku janë këto mbetje për ndotje të ambientit. “Ka ankesa dhe nga banorët pasi këto mbetje janë ndotës të ambientit dhe është e nevojshme që të bëhet një zgjidhje për banorët por edhe për përfitimet e ‘Trepçës’”, ka thënë ai.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Deponia e mbetjeve minerare në Parkun Industrial në Mitrovicë

Vrajolli tregon se ka interesim nga kompani të huaja për të blerë këto mbetje. “Ne jemi të interesuar ta kemi së pari një studim fizibiliteti. Na duhet edhe ndihma ndërkombëtare rreth 300 mijë euro për të bërë studimin e fizibilitetit për këto mbetje. Ka pasur interesim nga kompani të huaja, si nga Anglia, Gjermania, Kina për blerjen dhe eksportimin e këtyre mjeteve”, është shprehur ai.

Po ashtu për pasojat ambientale të këtyre mbetjeve të cilat çdo ditë e më tepër po shënojnë rritje të grumbullimit, ka folur edhe ish-drejtor i “Trepçës” Ferat Shala, i cili tani është deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Në pjesën e rajoneve ku gravitojnë këto mbetje, toka është e ndotur me metale të rënda nga mineralet e Plumb-Zinkut dhe mineralet tjera dhe kryesisht zonat përreth janë të kontaminuar nga prezenca e metaleve të rënda. Pra, rajonet ku janë të vendosura këto deponi, janë të ngarkuara me prezencën e metaleve të rënda, plumb, zink, kalium dhe elemente të tjera, që janë ndotëse për tokën, ujin, ajrin e kështu më radhë”, ka thënë ai.

Edhe Shala thotë se duhet të bëhet një studim fizibiliteti për të vendosur më pas se çfarë duhet të bëhet me këto mbetje.

Sipas tij, ky studim do t’ju jepte rrugë më pas këtyre mbetjeve në aksin e sanimit të ndotjes ambientale.

“Këto mbetje janë problem mjedisor tash e disa shekuj, por me theks të veçantë janë shpërfaqur si ndotëse në periudhat e fundit për shkak të ndikimit të tyre direkt në çështjen e ujërave, të ajrit dhe të tokës. Parimisht, do të duhej që këto të sanoheshin pas një studimi të mirëfilltë i cili do të përcaktonte shkallën e ndotjes për secilën deponim, por edhe vlerën ekonomike. Disa nga këto deponi industriale kanë vlerë të caktuar ekonomike dhe këtë vlerë e përcakton vetëm një studim i mirëfilltë shkencor i fizibilitetit për to. Pra, studimi do të jepte një pasqyrë reale si për leverdinë ekonomike ashtu dhe për shkallën e ndotjes edhe për mënyrën e sanimit apo rehabilitimit”, u shpreh ai.

Meqenëse në këto deponi ka mbetje të Plumbit, Zinkut dhe metaleve tjera të rënda, të cilat nga ekologu Mixhen Maxharri konsiderohen radioaktive.

Ai thotë se potencialisht një ndryshim klimatik, si rasti i vërshimeve do të na çojë në një katastrofë ambientale dhe humanitare, pasi, sipas tij, këto mbetje minerare do të derdhën në lumenj përreth, meqë përreth pendës së deponive nuk ka asnjë lokalizim që mund ta parandalonte katastrofën ambientale, kur dihet se përreth deponive të “Trepçës” gjendën lumenjtë si në Sitnicë, Ibër dhe Lumi i Marevcit.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Deponia e mbetjeve minerare në Parkun Industrial në Mitrovicë

Ekologu Maxharri ka treguar edhe për rreziqet potenciale që mund t’i kanosën shëndetit të njeriut, botës bimore dhe shtazore nga ndotja ambientale.

“Mbeturinat industriale, toksike, radioaktive, minerale me bazë të metaleve të rënda janë kategori e veçantë e ndotjes së mjedisit që shkaktojnë ndotje në të gjithë botën, rrjedhimisht edhe në Kosovë. Në këtë kontekst deponia inerte e minierës së ‘Trepçës’ nuk bënë përjashtim nga deponitë e tjera që kanë mbetur të patrajtuara, e të cilat paraqesin rrezik për ambientin, shëndetin dhe botën e gjallë që i rrethon. Deponia në hyrje të Mitrovicës që llogaritët që ka deri në 50 mijë tonë mbetje minerare, paraqet rrezik në aspektin e ndotjes së mjedisit”, ka theksuar ai, duke
përmendur sferat që mund të rrezikohen nga këto mbetje. “E para për shkak se gjendet afër Lumit Sitnica ekziston rreziku që jonet, mbetjet e metaleve, helmuese, radioaktive të përfundojnë në lumë si pasojë e mjedisit të jashtëm, erërave, borës apo edhe vërshimeve. Pra, duke bërë helmimin e botës së gjallë që mund të shkaktojë vdekje masive dhe ujin e bënë të papërdorshëm në kuptimin biologjik”, ka pohuar ai.

Maxharri ka përmendur edhe aspekte të tjera që paraqesin rrezik në aspektin e ndotjes së mjedisit. “Aspekti tjetër është ndotja e tokës i pasojë e reshjeve, rrjedhës së joneve helmuese në tokë që paraqet problem zinxhiror si kultivimi i bimëve, ushqimi i bagëtive në këtë mënyrë vije deri të akumulimi i helmeve në trupa shtazor, rrjedhimisht që helmi shkon dhe në organizmin e njeriut. Po ashtu, efekti i toksikeve që kalon në ajër dhe mund të këtë ndotje radioaktive që mund të këtë metalet e rënda si zinku, plumbi, e që ndikon në shëndet dhe shkakton sëmundje kancerogjene dhe deratogjene që ndikojnë në fetusin e nënave dhe shfaqin pasoja embrionale”, ka deklaruar ai.

Por ana e dhimbshme e ndotjes ambientale, bëhet akoma më e madhe kur autoritetet më të larta sikurse Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, e cila ka në domenin e saj “Trepçën”, nuk ka dhënë dritë jeshile që problemi i këtyre mbetjeve do të zgjidhet në një të ardhme të afërt.

Në këtë ministri thonë se mbetjet kanë vlerë ekonomike, por duhet të bëhet fizibilitet real mbi vlerën reale të tyre, e tek pastaj ato që kanë vlerë ekonomike të valorizohen. “Mbetjet janë të sistemuara në vendet në të cilat në të kaluarën ka pasur aktivitet minerar dhe teknologjik. Mbetjet kanë qenë në menaxhimin e AKP-së deri në vitin 2016, kur është miratuar Ligji për Trepçën. Në Planin e Biznesit për vitin 2021, pikë me prioritet është parashikuar rivlerësimi i pasurisë së Trepçës, në këtë kuadër hynë edhe rivlerësimi i mbetjeve teknologjike dhe industriale. Sipas informacioneve nga NP “Trepça Sh.A” mbetjet kanë vlerë ekonomike, por duhet të bëhet fizibilitet real mbi vlerën reale të tyre, e pastaj ato që kanë vlerë ekonomike të valorizohen, kurse mbetjet tjerat të trajtohen me projekte bashkëkohore sipas standardeve të BE-së”, është thënë në përgjigjën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.
Sipas kësaj ministrie, për impaktet ambientale nga mbetjet minerare duhet të kyçen shumë institucione dhe kjo çështje duhet të vlerësohet nga shumë parametra të cilët ndikojnë në florën dhe faunën përreth deponive, sidomos atyre që janë buzë lumenjve, që ndikimi i aktivitetit të erozionit bartet edhe në shtretër të lumenjve, si në Sitnicë, Ibër, Lumi i Marevcit etj.

Pos komunikimit të mëparshëm që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kishte me përfaqësues të “Trepçës” rreth përpjekjeve për valorizimin, asgjë konkrete deri më tani nuk është bërë në këtë drejtim. “Po ashtu në vitin 2013 kemi angazhuar një kompani për të realizuar projektin ‘Mundësitë dhe mënyrat e rikultivimit të deponive dhe vendburimeve të shfrytëzuara minerale’, ku janë identifikuar te gjitha deponitë e mbetjeve minerare, duke përfshirë edhe ato të ‘Trepçës SH.A’., ku janë paraqitur mundësit e rikultivimit të tyre. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit konsideron që për impaktet ambientale nga mbetjet minerare duhet të kyçen shumë institucione dhe kjo çështje të vlerësohet nga shumë parametra, të cilët ndikojnë në florën dhe faunën përreth deponive, sidomos atyre që janë buzë lumenjve që ndikimi i aktivitetit të erozionit bartet edhe në shtretër të lumenjve, si në Sitnicë, Ibër, Lumi i Marevcit, etj.

No description available.

Deponia e mbetjeve minerare në Parkun Industrial në Mitrovicë

Nga koha kur ‘Trepça’ është regjistruar si Shoqëri Aksionare, nga kjo ndërmarrje kemi informacionin që janë bërë përpjekje për valorizimin e tyre por, deri më tani nuk kemi diçka konkrete”, është theksuar ndër të tjera në përgjigjën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Nuk duhet harruar se përderisa në vendet e zhvilluara me nano-teknologji këto mbetje gjejnë përdorim dhe hyjnë në procesin e multiplifikimit dhe prodhimit, në Kosovë pos barrës ambientale nuk sjellin asnjë përfitim ekonomik. Kjo bën që në aspektin e ambientit ne vazhdojmë të jemi larg hapave dhe politikave të Bashkimit Evropian (BE).

“Një ndër sfidat më të mëdha në udhëtimin drejt familjes evropiane është edhe ambientalizmi. Fatkeqësisht, në këtë drejtim Kosova ka ngecur. Është brengosëse pasi ekzistojnë deponi të shumta të këtyre mbetjeve dhe është rrezik permanent për ambientin dhe për qytetarët e Kosovës. Në kuadër të ‘Trepçës’ ekzistojnë disa deponi të metaleve dhe mineraleve të ndryshme të cilat duhet të analizohen në disa dimensione të ndryshme, si dimensioni ekonomik dhe ambientalist, prandaj është e pajustifikueshme se pse këto deponi nuk janë shitur kur e dimë se kishte kompani të interesuara qoftë nga Turqia apo vendet evropiane, në mënyrë që këto mbetje t’i importojnë në vende të ndryshme”, ka thënë sekretari gjeneral në Forumin Investiv të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste të Italisë, Safet Gërxhaliu.

Ai ka folur edhe për përdorimin e tyre nga vendet e zhvilluara.

“Derisa koncentrati i ‘Trepçës’ shitët si scrub apo mbeturina, në vendet evropianë dhe aziatike me nano-teknologji i prodhojnë me shumë se 30 metale dhe katrogjene në këtë drejtim duhet që sa më shpejtë të zbardhën të shitën dhe nga kjo të përfitojë ambienti dhe ekonomia. Në Kosovë avancimi i prodhimit le për të dëshiruar. Në Kosovë këto mbeturina janë duke prodhuar amortizim dhe janë duke e ngulfatur ambientin”, ka theksuar Gërxhaliu.

Meqenëse nga java në javë, e nga dita në ditë, gjendja në “Trepçë” ndryshon për shkak të telasheve financiare dhe politike. Çdo qeveri që vije në pushtet ndërron bordin dhe menaxhmentin. Në këtë këndvështrim as që shihet dritë e gjelbër në fund të tunelit për pastrim apo sanim të mbetjeve minerare.
Kishim një javë plotë me dramacitet në këtë ndërmarrje, pasi minatorët kishin hyrë në grevë në minierë si shkak i vonesës së pagave. Si rrjedhojë e kësaj Qeveria e Kosovës u dashtë t’i subvencionojë pagat minatorëve në vlerë 1.1 milionë euro.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Deponia e mbetjeve minerare në Parkun Industrial në Mitrovicë

Po ashtu kryeshefi Hysen Vrajolli dha dorëheqje nga kjo pozitë, me arsyetimin se kishte pasur presion qeveritar për mungesë të performancës. Nga ana tjetër, kemi paralajmërime nga pala serbe se çështja e “Trepçës” duhet të jetë sërish debat në tryezën e dialogut që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Të gjitha këto, bëjnë që çështja ambientale të shpërfillet në tërësi. Prandaj, ambientalistët, ndërkombëtarët por edhe autoritetet vendore njëzëri duhet të ngritën në këmbë që çështjen ambientale nga këto deponi ta sanojnë, në mënyrë që ta shpëtojnë ambientin dhe shëndetin e njeriut por dhe të botës bimore dhe shtazore.

No description available.

Deponia e mbetjeve minerare në Parkun Industrial në Mitrovicë

Deri në zgjidhjen e këtij problemi, që fatkeqësisht lë shumë për të dëshiruar, qytetari nga Mitrovica Berat Peci por edhe qindra qytetarë në zonat përreth këtyre deponive do ta kenë të kontaminuar ambientin, rrjedhimisht dhe shëndetin e rrezikuar.

(Ky shkrim i gazetares Albulena S. Mavraj ka fituar çmimin e parë për gazetari, me temë nga fusha e energjisë dhe ambientit, me shkrimin “Kosova, deponi mbeturinash minerare që përhapin helm”.  Ky shkrim është punuar në kuadër të programit për gazetarë në fushën e energjisë dhe mjedisit, zbatuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), me mbështetjen e qeverisë gjermane përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ).)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AC Milan po kalon një moment fantastik teksa udhëheqin të…