KOSOVA DHE AMERIKA NË MES TË NJË MIQËSIE TË VJETËR DHE NJË KAPITULLI TË RI

31 korrik 17:42

Valixhja diplomatike e krerëve shtetërorë Osmani e Kurti pas kthimit nga Washingtoni, kësaj radhe mund të peshojë pak më tepër, kurse efektet e saj mund të ndjehen në dy drejtime -njëri është fuqizimi i pavarësisë energjetike të Kosovës, do të thotë, më pak energji nga Serbia – dhe drejtimi tjetër, mbështetje politike për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosova në hartën e globit është një pike mikroskopike, por në fokusin e politikës së jashtme amerikane vendi ynë ndodhet në një dioptri të zmadhuar.

Shkruan: Mehmet PRISHTINA

Për Kryeministrin Albin Kurti mund të jetë një kapitull i ri marrëdhënia e Kosovës me SHBA-të, siç e tha edhe ai vet, sidomos pas takimit me Sekretarin shtetëror, Antony Blinken, por shqiptarët kanë një miqësi më të hershme. Kjo dëshmohet edhe në bazë të një ankete të realizuar së fundmi nga agjencia prestigjioze për hulumtimin e opinionit publik GALUP, sipas së cilës 82% e shqiptarëve janë dakord me lidershipin amerikan, dhe për rrjedhojë Shqipëria dhe shqiptarët janë populli më pro-amerikan mes shteteve anëtare të NATO-s.
Në emër të kësaj miqësie janë ndërtuar edhe raportet e ndërsjella dhe janë konfiguruar pozicionet në favor të zgjidhjeve që kanë rezultuar në pavarësimin e shtetit të Kosovës.
Por, referuar edhe burimeve diplomatike në të cilat thirren disa media në rajon, mund të thuhet se rezultatet e kësaj vizite të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti mund të ndjehen në dy drejtime -njëri është fuqizimi i pavarësisë energjetike të Kosovës, do të thotë, më pak energji nga Serbia – dhe drejtimi tjetër, mbështetje politike për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Gjithsesi, valixhja diplomatike e krerëve shtetërorë Osmani e Kurti pas kthimit nga Washingtoni, kësaj radhe mund të peshojë pak më tepër, si në aspektin e porosive që ata morën nga Amerika, ashtu edhe në aspektin e përmbajtjes substanciale, që kësaj radhe kishte të bënte me nënshkrimin e Marrëveshjes me MCC-në.
Buzëqeshja e delegacionit kosovar atë ditë kur zbritën në aeroportin ndërkombëtar të Kosovës, kishte kuptim për disa arsye, por ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se pozicioni i Kosovës në politikat e jashtme amerikane mbetet prioritet i palëkundur dhe se udhëheqja e re kosovare, edhe përkundër dilemave në opinionin publik, megjithatë gëzon mbështetje të pakursyer nga ana e administratës së Joe Biden.

“Kosova është një partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se siç e dini të gjithë, ka një histori të gjatë dhe të fortë mes nesh, veçanërisht me Presidentin Biden, i cili ju dërgon përshëndetjet e tij të ngrohta për të dy”, tha sekretari Blinken në takim me Osmanin dhe Kurtin. Për ta përforcuar këtë qëndrim, Blinken pas takimit ka shkruar në Twiter: “Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për SHBA-në dhe shtetin tuaj”, duke shtuar se me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin, Albin Kurti, “kanë diskutuar edhe për çështjet kritike të sigurisë rajonale”, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Kosova në hartën e globit është një pike mikroskopike, por në fokusin e politikës së jashtme amerikane vendi ynë ndodhet në një dioptri të zmadhuar. Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, i cili tha se gjatë takimit, sekretari shtetëror i SHBA-së, Blinken, ka potencuar partneritetin e qendrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, me ç’rast ai ka faleminderuar dy udhëheqësit kosovarë për mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe pritjen e afganëve që u larguan nga vendi i tyre pas ardhjes në pushtet të Talebanëve.
“Ata diskutuan për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, tha zëdhënësi Price.
Atmosfera që mbretëroi në zyrat e State Departamentit Amerikan, atë ditë kur po qëndronin udhëheqësit nga Kosova, ishte një konfirmim praktik për miqësinë tradicionale shqiptaro-amerikane. Ishte vet Presidentja Vjosa Osmani ajo e cila nuk e fshehu entuziasmin nga takimi me shefin e diplomacisë amerikane, duke nënvizuar se takimi me Blinken “ishte i shkëlqyeshëm”, dhe , sipas saj, edhe një herë u konfirmua që “Kosova nuk ka mik më të madh e më të mirë se sa SHBA-në”.
Presidentja Osmani dha edhe hollësi të tjera nga takimi me Antony Blinken, që në të ardhmen mund të jenë edhe pikat orientuese të një udhërrëfimi për politikën e Kosovës.
“Biseduam për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, nevojën e Kosovës që të jetë anëtare e NATO-s, si dhe për rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë”, tha Osmani.
Sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani tha se në takim me Blinken, “kanë biseduar në detaje për disa nga marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, siç është ajo e energjisë”, dhe shtoi se “administrata e SHBA-së ka qenë e qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke, gjë që është konfirmuar edhe sot gjatë këtij takimi”. Por, duke qenë miqë dhe aleat besnik, Kosova dhe SHBA ndajnë edhe shqetësimet e përbashkëta sa i përket kërcënimeve destabilizuese në Ballkan dhe më gjerë. Një prej atyre shqetësimeve , sipas Presidentes Osmani, që është ngritur në takim me Antony Blinken, “ishte edhe roli që ka Rusia në destabilizimin Ballkanit Perëndimor”.
“Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t’i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, tha Osmani.
Për të kuptuar më mirë rolin që ka Amerika në shtrirjen e ndikimit të saj në rajon, shikuar nga prizmi i vizitës së fundit të krerëve shtetëror të Kosovës në Washington, mjafton të lexohen analizat që botohen në shtypin e Beogradit, e të cilat mbështeten edhe në burime të huaja diplomatike.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjodhën një moment të tillë për këtë vizitë duke e pasur në mend nevojën për të konfirmuar prezencën e tyre në rajon, tani që përflitet për rreziqe sigurie në rajon si pasojë e ndikimit rus në pjesë të Ballkanit Perëndimor – veçanërisht në Serbi, e cila dukshëm po vonohet ose s’është e gatshme të rreshtohet drejt politikave perëndimore në lidhje me konfliktin në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë; dhe kjo është më e rëndësishmja se pse ShBA-ja të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin me Kosovën”.
Kështu e kanë shpjeguar burimet diplomatike të gazetës serbe “Danas” takimin e krerëve shtetëror kosovarë në Departamentin amerikan të Shtetit, duke e quajtur atë “përtej nënshkrimit të marrëveshjes për energji”, por si “forcim të lidhjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën”.
Ekonomia e Kosovës po kalon nëpër sfida të shumta, sidomos pas krizës në Ukrainë, si pasojë e invazionit rus, ku pasojat e kësaj krize po reflektohen edhe jashtë zonës së konfliktit. Kjo ka qenë edhe arsyeja që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takimin me ministrin e Jashtëm Blinken e ka shfrytëzuar për të kërkuar më shumë investime amerikane në Kosovë dhe rritje të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve.
Zatën edhe qëllimi kryesor i vizitës së Presidentes Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrit Albin Kurti, në SHBA ishte që të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, një projekt ky që kap vlerën e 236.7 milionë dollarëve. Kjo ndihmë e SHBA-së ka për qëllim “forcimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe fuqizimin e përfshirjes së grave në këtë fushë”.
Në emër të Kosovës, firmën në marrëveshje e ka hedhur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ndërsa nga pala amerikane, nënshkruese ishte Alice Albright, udhëheqëse e MCC-së dhe vajza e ish-sekretares Medeline Albright.
Por, gjithsesi kjo vizitë e rëndësishme e krerëve shtetërorë të Kosovës në Washington shpërfaqi edhe njëherë intencën që politika jonë e jashtme ka nevojë për një koordinim më të ngeshur me Amerikën. Kjo edhe për faktin se, sado që Kryeministri Kurti ka një pikëpamje krejt tjetër, megjithatë procesi i shtetndërtimit të Kosovës ende po varet nga disa sfida të jashtme, sidomos nga mospërmbyllja e problemeve me Serbinë.
“Rreth 80% të vëllmit kohor të atij takimit ka pasur të bëjë me raportet bilaterale Kosovë – Amerikë dhe kontekstin ndërkombëtar. ShBA-ja e njeh Kosovën siç i ka shpallur kufijtë. Shtet i pavarur dhe sovran. Raportet tona me Serbinë nuk janë normale dhe duhet t’i normalizojmë. Si duket, për formulën e normalizimit të raporteve me Serbinë, pajtohemi me Amerikën. Është marrëveshje e obligueshme për normalizim të raporteve me njohje reciproke. Është përmendur Manastiri i Deçanit. Por 80% kemi folur për kontesktin ndërkombëtar të Kosovës”, tha Kurti.
A mundet Kosova të zhvillohet së brendshmi, duke mbajtur qafën varur nga gurët e rëndë të moszgjidhjes së problemeve me Serbinë?
Apo ndoshta lidershipi kosovar duhet të angazhohet në të dy “fronte” paralele, duke aktivizuar, në njërën anë, potencialin e brendshëm njerëzor e natyror në nxitjen e ritmeve zhvillimore të vendit dhe, në anën tjetër, duke imponuar një kreativitet më të madh politik e diplomatik, dhe në koordinim të plotë me Washingtonin e Brukselin, në përmbylljen pa hezitim të procesit negocues me Serbinë.

Prishtinë, 31 korrik 2022

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka quajtur nxitëse deklaratat…