Kosova dhe Shqipëria, në të ardhmen, më afër apo më larg njëra-tjetrës?

29 mars 12:57

Shkruan: Nexhmedin Spahiu

Në këtë studim shqyrtohet korelacioni identitar mes Kosovës e Shqipërisë. Përmes analizës krahasuese vihen në pah ngjashmëritë dhe diferencat në rrugëtimin historik të popullsisë së këtyre dy territoreve. Punimi identifikon momentet kyçe historike që i dhanë vulën identitare Kosovës. Vrojtimi i këtyre momenteve historike nxjerr përfundimin se ishte qëndrimi serb karshi Kosovës ai që ka rezultuar realitete të ndryshme kulturore e politike në korpusin etnik shqiptar që nga idetë e para kombëtare shqiptare e deri më sot. Punimi provon se ka një identitet të qartë kulturor e politik të Kosovës, i cili në kohët në vijim do të artikulohet gjithnjë e më shumë si një identitet i veçantë kombëtar dhe se diferencat kulturore e politike mes Kosovës e Shqipërisë do të ngelin pavarësisht ndryshimit eventual të qëndrimit të Beogradit karshi Kosovës. Ky studim është përgjigje ndaj disa zërave në diplomacinë evropiane se involvimi i Tiranës zyrtare mund të jetë frytdhënës në dialogun Beograd – Prishtinë. Përmes argumentimit historik, studimi provon të kundërtën: involvimi i Tiranës zyrtare në dialogun Prishtinë- Beograd, e ndihmon Beogradin, e rrjedhimisht e rëndon problemin e Kosovës, e më këtë edhe e komplikon kompromisin që e synon Bashkimi Evropian lidhur me këtë problem.

Më 21 shtator 2020, në Vushtrri, qytet 20 km në veri të Prishtinës, po përurohej shtatorja e Ahmet Krasniqit, ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, të vrarë në Tiranë fiks 22 vite më parë. Vrasja, e pandriçuar akoma, supozohet se është bërë nga rivalët politikë të kohës në bashkëpunim me strukturat shtetërore të shtetit shqiptar në atë kohë. Në përurimin e shtatores merrnin pjesë: kryetarja e Parlamentit të Kosovës, kryeministri, ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes, komandanti i ushtrisë, zyrtarë të tjerë dhe ambasadorë të huaj. Në fund të këtij manifestimi, ansambli i qytetit shfaqi një valle, ku valltarët valonin flamuj të Kosovës. Koreografi kishte paraparë që në fund të valles, flamujt e Kosovës të lëshoheshin për toke dhe në skenë të paraqitej një valltar duke ngritur lart flamurin e Shqipërisë.

Kudo në botë, ky do të ishte një skandal i madh. Madje edhe sikur kjo shfaqje të vihej në skenë diku në Afrikë, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte notë proteste. Por, në këtë rast, i vetmi reagim ishte i autorit të këtyre rreshtave. Për krejt udhëheqjen më të lartë shtetërore të Kosovës kjo valle ishte “një manifestim patriotizmi”.

Një vrojtues i jashtëm e ka të pamundur ta kuptojë këtë sjellje nëse nuk futet thellë në gjenezat identitare të Kosovës e të Shqipërisë. Shumë vizitorë të huaj, kanë vënë re se në hapësirat publike në Kosovë ka prani më të madhe të flamurit të Shqipërisë se të atij të Kosovës. Arsyet janë të shumëfishta. Secilën nga këto do t’i analizojmë në vijim.

E para, është ideologjia kombëtare shqiptare e pranishme në Kosovë më herët se sa në territorin e  Shqipërisë së sotme.

E dyta. Çdo komb në memorien e tij kolektive evokon ditët e tij më të mira në histori. E ditët më të mira në historinë e Kosovës ishin ato të kohës së Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova hoqi qafe regjimin serb. Regjimi serb synonte ta shfaroste popullsinë e saj shumicë me metodat më brutale. Ndërprerja e papritur e skamjes dhe gjenocidit u shoqërua me liri, emancipim e bollëk. Shqiptarët e Kosovës ishin ata që e morën pushtetin në Tiranë. Gjithë ky lulëzim u shoqërua me praninë e flamurit kombëtar shqiptar. Lidhja emocionale me këtë simbol në fakt është lidhje emocionale me kohën e artë.

E treta. Pushteti serb ka insistuar se nuk ka kurrëfarë lidhjeje etnike mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Flamuri ishte një mjet kundërshtimi ndaj insistimit serb.

E katërta. Kur për Beogradin, Kosova e pavarur u paraqit si një formulë më e rrezikshme për Serbinë, për shkakun se u përkrah nga Perëndimi, gjithë rrjeti agjenturor i Serbisë në Kosovë u hodh në kundërshtimin e flamurit të Kosovës. Në pamundësi të rivalizimit të flamurit të Kosovës me flamur të Serbisë e rivaliazuan atë përmes flamurit të Shqipërisë. Tri arsyet paraprake krijuan teren të shumë të përshtatshëm për këtë të fundit.

Këto që thashë më lart argumentohen me udhëtimin historik të korpusit etnik shqiptar në kohët moderne.

Deri në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, territoret e banuara me shqiptarë në Ballkan ishin pjesë e Perandorisë Osmane. Idetë e Revolucionit Francez në Perandorinë Osmane depërtuan pas Luftës së Krimesë (1853-1856). Këtu anglezët e francezët ndihmuan Perandorinë Osmane në luftën kundër Rusisë, por bashkë me këtë ndihmë futën frymë evropiano-perëndimore. Shqiptarët të ndarë në 4 komunitete fetare (myslimanë suni, bektashi, të krishterë ortodoks dhe katolikë) e kishin më problematike procesin e komb-formimit.

Arsyet po i jap në vijim.

Të ndikuar nga sistemi i mileteve në Perandorinë Osmane, kombformimi grek, serb e bullgar u bë mbi bazën e komunitetit fetar. Beteja për autoqefalinë e kishës dhe pavarësimin e vendit ishin promotorë të njëra-tjetrës. Grekët fituan pavarësinë e vendit më 1829/30 ndërsa autoqefalinë e kishës së tyre më 1850. Serbët e fituan pavarësinë e vendit të tyre më 1878 kurse autoqefalinë e kishës së tyre më 1879. Bullgarët fituan autoqefalinë e kishës së tyre më 1870 ndërsa autonominë e vendit të tyre më 1878 e pavarësinë më 1908. Komunitetet e tjera fetare (jo kristiano-ortodokse) të këtyre korpuseve etnike u shfarosën gjatë revolucioneve përkatëse. Një pjesë u vra, një pjesë u detyrua të rikonvertohet në fenë ortodokse, një pjesë tjetër u detyrua të shpërngulet në brendi të Perandorisë Osmane, ndërsa pjesa që mbeti ishte e përmasave të papërfillshme.

Te pjesa e popullsisë myslimane në Perandorinë Osmane idetë kombëtare ishin refleksion i ideve kombëtare në territoret që po shkëputeshin prej saj. Ideja kombëtare turke nuk mund të përjashtonte etnitë që tashmë ishin islamizuar në shumicë (boshnjakët, shqiptarët, kurdët, arapët, llazët, abhazët etj), por as pjesët minore myslimane (hungareze, rumune, kroate, serbe, bullgare, greke, etj), të cilët ishin të përjashtuar nga bashkëjetesa me të krishterët e këtyre etnive përkatëse. Jeta e përbashkët disa shekullore e feja e përbashkët kishte krijuar një simbiozë dhe ndjenjë përkatësie të cilën ideologët kombëtarë turq i vunë fillimisht emrin osmanizëm, por që me kohën u definua si komb turk.

Në këtë atmosferë, shqiptarët e parë që përhapën frymën e Revolucionit Francez (1789) nuk proklamuan idetë për kombin shqiptar, por për kombin turk. Ideja kombëtare shqiptare u nis nga pjesëtarë të komunitetit ortodoks (Naum Veçilharxhi /1797-1846/, Jeronim De Rada /1814-1903/) e pastaj nga pjesëtarë të komunitetit katolik (Zef Jubani /1818-1880/, Pashko Vasa /1825-1892/). Ai që më vonë do të quhet ideolog i zgjimit kombëtar shqiptar, Sami Frashëri /1850-1904/ punoi paralelisht për idenë kombëtare turke dhe idenë kombëtare shqiptare. Dëshmia më e fortë për këtë është se kur më 1937, Mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu /1895-1961/ kërkoi nga Mustafa Kemal Ataturku /1881-1938/, që eshtrat e vëllezërve Frashëri (Abdylit /1839-1893/, Naimit /1850-1900/ dhe Samiut) të zhvendosen nga Stambolli në Tiranë, qeveria turke i dorëzoi eshtrat e dy vëllezërve më të vjetër, por jo edhe të Sami Frashërit me arsyetimin se Samiu i përket më shumë kulturës turke.

No description available.

Gjithsesi, ndërgjegjja kombëtare shqiptare që proklamohej nga disa individë të arsimuar nga të gjitha komunitetet fetare shqiptare ishte e pamjaftueshme për të depërtuar në masat e gjëra për disa arsye.
Te komuniteti i krishterë ortodoks shqiptar, priftërinjtë ishin kryesisht grekë dhe orvateshin për të injektuar ideologjinë kombëtare greke. Këtu bënin përjashtim disa priftërinj që i takonin lëvizjes kombëtare shqiptare, por ata përndiqeshin, helmoheshin dhe vriteshin nga eprorët e tyre grekë. Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare do të njihej tek më 1937, që d.m.th. 25 vite pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Te komuniteti katolik shqiptar, priftërinjtë ishin të shkolluar ose në Itali ose në Austro-Hungari. Këto fuqi edhe pse të interesuara për krijimin e një ndërgjegje kombëtare shqiptare kishin rivalitet mes vete, dhe atë çfarë bënte njëra e zhbënte tjetra dhe vice-versa.
Te komuniteti mysliman (që përbënte 85% të popullatës shqiptare) në shkolla dhe institucione fetare dominonte ideja kombëtare turke.
Vetëm komuniteti shqiptar protestant ishte tërësisht i kyçur në idenë kombëtare shqiptare, por ky komunitet ishte i vogël, pothuaj i papërfillshëm.
Ndërgjegjësimi kombëtar shqiptar në masë ndodhi tek në vigjilje të Kongresit të Berlinit (1878). Ky ndërgjegjësim preku kryesisht popullsinë e Vilajetit të Kosovës dhe atij të Shkodrës.
Rreth dyqindmijë shqiptarë të Sanxhakut të Nishit u përndoqën nga ushtria serbe më 1877 dhe 1878. Ardhja e një numri kaq të madh të refugjatëve në territorin e Kosovës, ngjalli shqetësim për fatin e mëtutjeshëm të shqiptarëve në këtë territor dhe kjo u përkthye në zgjim të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Si rrjedhojë e kësaj, u organizua Lidhja e Prizrenit /10.06.1878/, organizatë kjo e krerëve fisnorë, fetarë e ushtarakë, kryesisht nga Kosova, Sanxhaku i Novi Pazarit dhe Veriu i Shqipërisë. Kjo organizatë bëri përpjekjen e parë për një shtet shqiptar. Më 1881 ky organizim u shua me dhunë dhe krerët e saj u burgosën nga Porta e Lartë.
Sado që shkolla e parë shqipe u hap më 1887 në Korçë (Shqipëri jugore) nga komuniteti i vogël i protestantëve shqiptarë, numri më i madh i shkollave shqipe u hapën në Kosovë. Sipas statistikave osmane të asaj kohe, Kosova ishte vilajeti osman që kishte përqindjen më të madh të të arsimuarve në gjithë Perandorinë Osmane.

Në pranverë të vitit 1912, deputetët më të rëndësishëm shqiptarë në Parlamentin Osman (Hasan Prishtina/1873-1933/ nga Kosova, Esad Toptani /1864-1920/ nga Shqipëria Qendrore dhe Aziz Vrioni, Mufit Libohova e Ismail Qemal Vlora nga Shqipëria jugore, takohen në Taksim të Stambollit ku i japin premtimin njëri-tjetrit për të organizuar kryengritjen e përgjithshme, secili në krahinën e vet, në kërkim të autonomisë së Shqipërisë. Që të gjithë e tradhtuan Hasan Prishtinën.

Sidoqoftë, në qershor-korrik-gusht 1912, Hasan Prishtina organizoi kryengritjen me rreth 40.000 luftëtarë me të cilin rast mori kontrollin e pothuajse gjithë qyteteve të Vilajetit të Kosovës, përfshi Shkupin, kryeqytetin e atëhershëm të këtij vilajeti.

Qeveria Osmane u detyrua të pranonte kushtet e kryengritësve kosovarë, por sapo kjo ukuptua nga qeveritë ballkanike, këto të fundit lidhën aleancë mes vete dhe me 8 tetor 1912, Mali i Zi, Serbia, Greqia e Bullgaria sulmuan Perandorinë Osmane me rreth 1 milion ushtarë. Territoret shqiptare, pas një rezistence të kuptueshme, u pushtuan nga vendet fqinje. Vetëm 2-3 qytete rreth Vlorës mbetën të papushtuara. Serbia mori hisen e luanit.

Pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913, ku u njoh ekzistenca e kombit shqiptar dhe u përcaktuan kufinjtë e Shqipërisë, ashtu siç janë edhe sot, ushtritë serbe, malazeze e greke u detyraun të tërhiqen nga territoret që iu njohën Shqipërisë.

Kosova, Maqedonia e Sanxhaku i Novi Pazarit, iu nënshtruna terrorit shfarosës, që u ndërpre nga Lufta I Botërore, por vazhdoi sërish pas kësaj lufte deri më 1941 kur Hitleri shkatërroi Jugosllavinë.

Politikanët më të rëndësishëm kosovarë lanë pronat e tyre në Kosovë dhe u morën me aktivitet politik në Shqipëri. Pjesa tjetër mbetën në Kosovë për të mbrojtur popullin dhe pronat e tyre në shtetin serb.

E shpjegova më lart se si u tradhtua Hasan Prishtina me 1912. Në fakt, konflikti mes politikanëve nga Kosova dhe atyre nga Shqipëria Jugore apo Qendrore vazhdoi edhe në Shqipërinë e pavarur.

Ky konflikt më së miri pasqyrohet me fjalët e kryeministrit Ahmet Zogu në fund të dhjetorit 1924 (më vonë president /1925-1928/ e mbret /1928-1939/), kur deklaroi: “Shqipëria nuk mund të bëjë përparim pa marrëdhënie të mira me fqinjtë. Për të pasur marrdhënie të mira me fqinjtë ne duhet t’i heqim qafe elementët turbulentë që i prishin këto marrëdhënie”. Natyrisht, ata që i prishnin marrëdhëniet me Serbinë ishin politikanët nga Kosova e Maqedonia (Elez Isufi/1861-1924/, Bajram Curri/1862-1925/, Zija Dibra/1890-1925/, Hasan Prishtina/1873-1930/, Bedri Pejani/1885-1946/, Dervish Mitrovica/1878-1935/, Rexhep Mitrovica /1888-1967/, etj). Kështu nga këta 7 politikanë prominentë nga Kosova e Maqedonia, brenda një viti, u vranë 3, ndërsa i katërti u vra pas 5 vitesh. Tre të tjerët ia dolën të strehohen në Itali.

Tek pas një dakade, kur Mbreti Zog stabilizoi pushtetin, pasi eliminoi gjithë politikanët kosovarë në Shqipëri, filloi të ndërtojë kontakte me liderin politik të shqiptarëve në Jugosllavi, Ferat Draga /1880-1944/. Ky ishte një raport mes shtetit amë me minoritetin etnik në vendin fqinj në masën që nuk rrezikonte raportet me Beogradin.

Kur në pranverë të vitit 1941, Hitleri shkatërroi Jugosllavinë, pjesa më e madhe e Kosovës, një pjesë e Maqedonisë dhe një pjesë e Malit të Zi iu bashkuan Shqipërisë. Pas agresionit të ushtrisë italiane më 7 prill 1939, Shqipëria kishte bashkuar kurorën mbretërore me Italinë.

Për Kosovën, kjo ishte një rilindje e vërtetë. Arsimimi në gjuhën amëtare, administrata në gjuhën amëtare, mundësia për biznes e shumë e shumë benefite tjera kishin një simbol: flamurin kombëtar shqiptar.

Pas kapitullimit të Italisë, ishin udhëheqësit politikë kosovarë ata që riorganizuan shtetin shqiptar. Figura më markante e kësaj kohe, Xhafer Deva (1904-1978) nga Mitrovica e Kosovës, u bë ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ndërsa postin e kryeministrit të Shqipërisë e rezervoi për bashkëvendasin e tij më të vjetër, Rexhep Mitrovica /1888-1967/. R.Mitrovica më 1912 kishte nënshkruar pavarësinë e Shqipërisë dhe kishte qenë ministri i parë i arsimit i Shqipërisë më 1920.

Para se ta merrte përsipër detyrën e riorganizimit të shtetit shqiptar, Xhafer Deva më 1943 kishte pasur një bisedë me përfaqësuesin gjerman për Ballkan, Herbert Neubacher /1893-1960/ të cilit i kishte vënë kusht që nëse Gjermania do që ushtria e saj të pritet miqësisht nga shqiptarët, duhet të mundësonte që krahina e Mitrovicës dhe Novi Pazarit të shkëputet nga Serbia dhe t’i bashkohet Shqipërisë, si dhe, që gjermanët të mos përziheshin në punët e brendshme të Shqipërisë.

Kushti i parë u realizua me Lidhjen e Dytë të Prizrenit /16-20.09.1943/. Ndërsa, kushti i dytë po ashtu do t’i krijonte një avantazh shtetit shqiptar krahasuar me vendet tjera ku kishte prani të forcave gjermane. Qeveria shqiptare nuk do të detyrohej t’ia dorëzonte hebrenjtë ushtrisë gjermane, dhe si pasojë shumë hebrenj të ikur nga Sebia, Bullgaria e Greqia si dhe vende të tjera evropiane gjetën strehë në Shqipëri. Më 1945 numri i hebrenjëve në Shqipëri (që përfshinte Kosovën dhe pjesë të Maqedonisë e të Malit të Zi u pesëfishua krahasur me fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

Edhe pse krijimi i “Shqipërisë Etnike” u shoqërua me lulëzim arsimor, emancipim kulturor, sportiv dhe mirëqenie ekonomike pakrahasimisht më të mirë se në periudhat paraprake (gjatë mbretërimit të Mbretit Zog, dhe, gjatë pushtimit Italian), një pjesë e klasës politike parashihte se Gjermania do ta humbiste luftën dhe ishin rreshtuar në krah të anglo-amerikanëve. Ata dëshironin të përfitonin nga fitorja Anglo-Amerikane. Këto forca ishin të koncentruara kryesisht në Shqipërinë e Jugut (republikanët e “Ballit Kombëtar”) dhe atë Qendrore (monarkistët e “Legalitetit”). Komunistët serbë të shqetësuar me humbjen e Kosovës më 08.11.1941 kishin themeluar Partinë Komuniste të Shqipërisë. Tani më 1943, lëvizja guerile partizane, e udhëhequr nga komunistët, ishte e koncentruar në Jug të Shqipërisë. Kuptohet, në Kosovë dhe territoret e tjera të Shqipërisë që deri më 1941 ishin pjesë e Serbisë (Jugosllavisë), lëvizja partizane ishte e papërfillshme.

No description available.

Pikërisht, atëherë kur u realizua ëndërra e ideatorëve të kombit shqiptar, kur pjesa më e madhe e territoreve me shumicë të popullsisë shqiptare u futën brenda një shteti, kur mirëqenia e qytetarëve bënte progresin më të madh në histori, ndodhi lufta civile. Arsyeja bazike ishte moskuptimi mes shqiptarëve të Shqipërisë së Vjetër (territoret e shtetit shqiptar në vitet 1913-1941) dhe Shqipërisë së Re (Kosova dhe territoret tjera të aneksuara më 1941 dhe 1943).

Jeta prej tri dekadash në shtetin e pavarur shqiptar dhe ajo në shtetin serb (jugosllav) e ekspozuar  ndaj shfarosjes, bënë që qytetarët e këtyre dy Shqipërive, të kenë këndvështrime të ndryshme. Këto mospajtime i kishin edhe përfaqësuesit e tyre politikë. Kësaj plasaritjeje në shoqërinë shqiptare më së shumëti i frynin emisarët serbë pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë: Miladin Popović, Dušan Mugoša, Tihomir Stojinić, Svetozar Vukmanović-Tempo, etj.

Shumica e politikanëve shqiptarë nuk e shihnin rrezikun nga komunistët ashtu siç e shihte Xhafer Deva. Madje edhe vetë kryeministri Rexhep Mitrovica e neglizhonte rrezikun nga komunistët. Shembulli më i qartë i këtij neglizhimi ishte intervenimi i tij për nxjerrje nga burgu të komunistit të ri, Bujar Hoxha, për shkak të miqësisë me babanë e tij të ndjerë. Pas daljes nga burgu, po i njëjti komunist vrau, me atentat, në banesën e tij në Tiranë deputetin Ilaz Agushin, që përfaqësonte Prishtinën në Parlamentin e Shqipërisë dhe ishte njëkohësisht nënkryetar i këtij Parlamenti.

Pas një vargu moskuptimesh, që gjenezën e kishin në mentalitetet e ndryshme të Shqipërisë së Vjetër dhe asaj të Re, plasi konflikti mes ministrit të brendshëm Xhafer Deva dhe Mehdi Frashërit /1874-1963/ që mbante postin e kryeregjentit të Shqipërisë.

Konfliktin mes Xhafer Devës dhe Mehdi Frashërit nuk e përballoi dot kryeministri Rexhep Mitrovica. Rexhep Mitrovica dha dorëheqje dhe pas tij edhe Xhafer Deva. Qeveria pasardhëse e Fiqiri Dines (1897-1960) ishte krejtësisht e çorientuar dhe pa kontroll efektiv mbi vendin. Pas këtyre, ngjarjeve, komunistëve shqiptarë iu hap rruga për pushtet.

Gjermanët tashmë e kishin të qartë se po e humbnin luftën dhe po tërhiqeshin nga Greqia, dhe me sa duket duke mos dashur të rrezikonin jetën e ushtarëve të tyre, koketonin me partizanët komunistë ashtu siç e përshkruan agjenti anglez Peter Kemp /1913-1993/ në kujtimet e tija.

Sapo gjermanët tërhiqeshin nga ndonjë qytet shqiptar, forcat partizane futeshin në qytet dhe masakronin gjithë kundërshtarët e tyre potencialë. Me 17 nëntor 1944 partizanët komunistë u futën në Tiranë pasi që atë e kishin braktisur gjermanët një ditë më parë.

Kësisoji, partizanëve komunistë, edhe ashtu të koncentruar në Shqipërinë Jugore, u shkoi përshtati mënyra e tërheqjes së gjermanëve. Duke qenë më makiavelistë dhe të udhëzuar nga emisarët serbë, partizanët komunistëia dolën që të mundnin në Shqipërinë e Jugut forcat e Ballit Kombëtar që ishte organizata kryesore pro anglo-amerikane. Sa më shumë që ngjiteshin drejt veriut forca e tyre shtohej. Arritja e tyre në Kosovë (në Prishtinë më 19 nëntor, në Mitrovicë më 23 Nëntor dhe në Novi Pazar më 28 nëntor 1944) u shoqërua edhe me forcat serbe e bullgare me të cilët ata kishin bashkëpunim. Forcat demokratike e nacionaliste ishin të vetmuara.

Më 8-10 korrik 1945, në Prizren, nën trysninë e armëve të partizanëve komunistë, u mbajt një kuvend delegatësh nga Kosova ku u vendos që Kosova të shkëputet nga Shqipëria dhe t’i bashkohet sërisht Serbisë (Jugosllavisë). Kuptohet që do të ketë patur kundërshtime pasi që një numër i delegatëve nuk dolën të gjallë nga aty.

Pas këtij Kuvendi, në Kosovë vendoset regjimi ushtarak nga ana e Jugosllavisë. Kosova u vu tërësisht nën udhëheqjen e serbëve edhe në nivel krahinor edhe në atëlokal. Ata pak komunistë shqiptarë të Kosovës (jo më shumë se 20 veta) u vunë në pozita periferike.

Dhuna dhe terrori komunist në Kosovë vazhdon deri më 1966, kur presidenti i Jugosllavisë, Josip Broz Tito/1892-1980/ largon nga partia dhe postet shtetërore nënpresidentin Aleksandar Ranković /1909-1983/. Përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar në Kosovë gjatë gjithë kësaj periudhe (1946-1966) konsiderohej akt armiqësor. Megjithëkëtë, të rinjtë dhe intelektualët kosovarë nuk hoqën dorë nga ky flamur përkundër vrasjeve dhe burgosjeve.

Një aspekt të jetës që pushteti serb nuk kishte qenë në gjendje ta kthente në gjendjen para Luftës së Dytë Botërore ishte arsimimi në gjuhën amtare shqipe në Kosovë. Para Luftës së Dytë Botërore, gjuha shqipe kishte qenë e ndaluar rreptësisht në shkolla dhe jetën publike. Pas ripushtimit të Kosovës nga Serbia, mësimdhënësit shqiptarë u keqtrajtuan por shkollat shqipe nuk u mbyllën. Ndërsa në Sanxhakun e Novi Pazarit shkollat shqipe të hapura më 1941, u mbyllën tërësisht, përfshi edhe ajo “Naim Frashëri” në Novi Pazar.

Në anën tjetër, në Shqipërinë komuniste tashmë çdo gjë kosovare trajtohej si nazi-fashiste dhe luftohej egërsisht.

Por, çfarë po ndodhte në anën tjetër të Oqeanit Atlantik? Politikanët që arritën t’i shpëtojnë plumbit, të përndjekur nga pushtimi komunist i Shqipërisë dhe pushtimi serb i Kosovës, ikën nëpër 4 anët e botës demokratike. Shumica e tyre u përqëndruan në Amerikë. Meqë, ata u takonin rrymave të ndryshme politike me një armiqësi ekstreme mes vete sa as anti-komunizmi nuk i bashkonte dot, u desht një punë e mundimshme e amerikanëve dhe britanikëve që të krijojnë një front unik anti-komunist për tësynuar rrëzimin e pushtetit komunist në Shqipëri.

Më 1949  amerikanët e britanikët shprehën hapur përkrahjen e tyre që kryeministër i ardhshem i Shqipërisë pas rrëzimit të regjimit komunist të jetë kryetari i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri /1880-1949/. Fill pas këtij vendimi, Frashëri u gjet i vdekur nga helmimi në një dhomë hoteli në New York. Rasti nuk është ndriçuar asnjëherë, por supozohet se është bërë nga kundër spiunazhi sovjetik apo nga ndonjë prej rivalëve të tij shqiptarë.

Para se të merrte bekimin amerikan e britanik, Mit’hat Frashëri u detyrua që të hiqte dorë publikisht nga programi i tij partiak që Kosova dhe territoret tjera me shumicë shqiptare të jenë pjesë e Shqipërisë. E qartë, amerikanët e britanikët nuk dëshironin telashe me Jugosllavinë e Titos, e cila tashmë ishte distancuar nga sovjetikët.

Edhe pas vdekjes së Mit’hat Frashërit, amerikanët e britanikët nuk hoqën dorë nga rrëzimi i pushtetit komunist në Shqipëri. Bashkëpunëtori më i ngushtë i amerikanëve në këtë drejtim ishte Xhafer Deva. Në periudhën 1949-1953, amerikanët hodhën në Shqipëri disa misione të diversantëve (shumica e tyre bashkëpunëtorë të Xhafer Devës). Të gjitha këto misione dështuan. Arsyeja ishte se regjimi komunist i Shqipërisë çdoherë kishte informacione të sakta për operacionet. Dyshimet për këtë rrjedhje të informacioneve sekrete ishin mbi Kim Philby-n, agjentin britanik i zbuluar se ishte shitur tek sovjetikët, por edhe kur ai u menjanua, rrjedhja e informacioneve vazhdoi. Dyshimet e Xhafer Devës, ishin mbi kolegët e tij politikanë nga “Shqipëria e vjetër”, të cilët duke u bërë xheloz në autoritetin e Devës tek amerikanët, bënin që misionet e tij të dështonin. Kur më 1953, amerikanët hoqën dorë nga rrëzimi i pushtetit komunist në Shqipëri, Deva vazhdoi aktivitetin e tij në mërgim, por tashmë hoqi dorë nga bashkëpunimi me politikanë nga “Shqipëria e vjetër”. U koncentrua në bashkëpunimin me politikanët e mërguar nga Kosova e Maqedonia.

Kur një grup aktivistësh nisën themelimin e Lidhjes së Tretë të Prizrenit dhe i ofruan Xhafer Devës postin e kryetarit, ai e pranoi vetëm me kushtin që në këtë organizatë të mos ketë aktivistë nga “Shqipëria e vjetër”. Kësisoji Xhafer Deva u bë babai i idesë për Pavarësinë e Kosovës. Kuvendi themelues i Lidhjes së Tretë të Prizrenit u mbajt nëNew York më 27.11.1966 dhe Deva u zgjodh kryetar i saj. Ai e udhëhoqi atë deri në vdekjen e tij më 1978.  Gjatë gjithë kësaj kohe në Shqipëri e Jugosllavi, nxënësve dhe studentëve u thuhej se Xhafer Deva ishte armiku më i madh i Jugosllavisë dhe Shqipërisë komuniste.

Në po këtë vit, kur në New York u themelua Lidhja e Tretë e Prizrenit, në Jugosllavi ndodhi një ndryshim dramatik. Tito e zhveshi nga të gjitha pozitat partiake e shtetërore nën-presidentin e Jugosllavisë, Aleksandar Ranković. Ranković ishte simbol i dhunës ndaj shqiptarëve.

Pas largimit të tij, Kosova fillon të frymojë në emër të barazisë mes “kombeve dhe kombësive” të Jugosllavisë. Në udhëheqësinë e Kosovës emërohen për herë të parë komunistët shqiptarë (deri në atë kohë ishin vetëm serbë).

Më 1968, Kosova bëhet me kushtetutën e saj dhe së bashku me krahinën e Vojvodinës bëhen pjesë konstitutive e Federatës Jugosllave. Kjo më pas përforcohet me kushtetutën e Kosovës, të Serbisë e të Jugosllavisë më 1974, kur Jugosllavia de facto konfederalizohet.

Më 1972, në Tiranë mbahet kongresi drejtshkrimor i gjuhës shqipe ku marrin pjesë edhe përfaqësues nga Kosova. Gjuha shqipe ishte standardizuar më 1916 me të folmën e Elbasanit, qytet ky, në kërthizë të Shqipërisë, ku ndeshen dy dialektet e gjuhës shqipe. Ky standard gjuhësor ishte respektuar nga të gjitha qeveritë shqiptare në peridhën kohore /1916-1945/, por me ardhjen e komunistëve në pushtet që në shumicën e tyre absolute ishin nga Shqipëria jugore si dhe 90% vetë liderët kryesorë, filloi dis-respekti ndaj standardit gjuhësor  të gjuhës shqipe. Në shkollat shqipe në Kosovë e Maqedoni vazhdoi të mësohet standardi gjuhësor i vitit 1916, i cili ndonëse nuk përkonte shumë me nën-dialektet e Kosovës, prap se prap respektohej që nga hapja e shkollave shqipe më 1941.

Tani më 1972, diktatori komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha /1908-1985/, imponoi për standard të gjuhës shqipe dialektin e ekstremit jugor të vendit. Gjuhtarët më eminentë shqiptarë, qoftëbrenda vendit, qoftë ata në emigracion e kundërshtuan këtë, por kjo nuk e ndaloi këtë nismë. Përfaqësuesit nga Kosova në këtë kongres u udhëzuan nga lidershipi politik i Kosovës që të pajtohen me kolegët e tyre në Tiranë.

I pyetur nga autori i këtij punimi, lideri politik i Kosovës i asaj kohe, Mahmut Bakalli/1936-2006/ u përgjegj se i kishte udhëzuar përfaqësuesit kosovarë që të pranonin të njëjtin standard të gjuhës shqipe, nga motivet patriotike, sepse ishte ndjerë i poshtëruar kur “serbët insistonin që shqiptarët këndej dhe andej kufirit ishin dy popuj të ndryshëm”.

Imponimi i standardit të gjuhës shqipe të vitit 1972 në Kosovë i vuri shqiptarët e Kosovës në pozitë inferiore. Ky ishte paradoksi. Shqipëria ishte e zhytur në mjerim ekonomik, mjerim intelektual, mjerim kulturor, mjerim shpirtëror (më 1967 kishte ndaluar me ligj ushtrimin e feve dhe kishte shkatërruar kishat dhe xhamitë). Në anën tjetër, Kosova po hapej ndaj botes bashkë me gjithë ish-Jugosllavinë. Qytetarët e Kosovës me pasaportat e tyre jugosllave lëviznin lirisht dhe pa viza nëpër 4 anët e botës (vendet e Perëndimit dhe të Lindjes, si dhe ato të botës së tretë). Kosova fitoi universitetin, akademinë e shkencave e të arteve, një përparim të paparë ekonomik dhe mirëqenie, megjithëse e fundit në ish-Jugosllavi në çdo aspekt të jetës, por shumë përpara Shqipërisë së shokut Enver.

No description available.

Pikërisht në këtë kohë, kur pothuaj në çdo fushë të jetës, po shfaqej superioriteti i Kosovës ndaj Shqipërisë, Kosova po bëhej kulturalisht inferiore përmes imponimit të standardit të gjuhës shqipe. Për fatin e keq, derisa standardi gjuhësor i vitit 1916  vlente vetëm për administratën, policinë, ushtrinë e gjykatat, standardi i vitit 1972 u imponua edhe në prozë, poezi, teatër e tekste muzikore. Kështu, me gabimin politik trashanik të Bakallit, kultura kosovare u vu në pozitëinferiore.

Në funksion të inferiorizimit kulturor të Kosovës, nëkëtë kohë, edhe një e keqe tjetër u importua nga Tirana: tekstet shkollore të historisë e të letërsisë. U bart në Kosovë me një filter të dobëtnjë historiografi e falsifikuar dhe e ideoligjizuar tej mase në funksion të politikës izolacioniste, anti-perëndimore e antifetare të shokut Enver. Meqë më 1948, pas Rezolutës së Inforbyrosë së Partive Komuniste, Shqipëria e Jugosllavia kishin ndarë rrugët ideologjikisht, fotografia dhe të bëmat e shokut Enver në librat e historisë në Kosovë, zëvendësoheshin me ato të shokut Tito, por pjesa tjetër e historiografisë mbetej tërësisht e pandryshuar si ajo e Tiranës.

E njëjta gjë ndodhte edhe me tekstet e letërsisë.Hiqeshin poezitë për shokun Enver dhe shtoheshin poezitë e poetëve kosovarë për shokun Tito, por pjesa tjetër mbetej pothuaj e njëjtë me tekstet shkollore të Tiranës. Injoroheshin poetët dhe shkrimtarët më të shquar shqiptarë, sidomos ata veriorë, përshfi këtu edhe bardin e letërsisë shqipe, Gjergj Fishta /1871-1940/, të cilin Akademia Italiane e Shkencave dhe Arteve e kishte nominuar për çmimin Nobel për letërsi. Në Kosovë, Fishta dhe shkrimtarë të tjerë ishin të ndaluar vetëm pse ishin të ndaluar në Shqipëri.

Një dekadë ma vonë, lideri politik i Kosovës i viteve të ‘70-a Mahmut Bakalli do ta pësonte për gabimin e tij të vitit 1972  kur pranoi që Prishtina t’i nënshtrohej kulturalisht Tiranës. Zhvillimi i hovshëm i Kosovës, përkundër këtij fakti (inferioritetit gjuhësor) kishte bërë xheloz diktatorin komunist të Shqipërisë, Enver Hoxhën. Tashmë, në Kosovë, shoku Enver kishte krijuar çerdhe militantësh të manipuluar me propagandën e tij dhe po priste momentin për t’i sakrifikuar ata më qëllim të rrënimit të autonomisë së Kosovës, që për të ishte një pasqyrë ku shihej shëmtia e regjimit të tij. Dhe momenti erdhi. Tito vdiq më 4 Maj 1980, dhe nacionalistët serbë po forconin pozitën e tyre në federatën jugosllave. Dy nga politikanët kosovarë që asokohe shërbenin nëFederatë, Azem Vllasi /1948-/ dhe Dr.Muhamet Mustafa /1950-/, në memoaret e tyre, përshkruajnë forcimin politik dhe karakterin nacionalist të gjeneralit serb, Nikola Ljubičić. Forcimi i tij politik kishte ndodhur madje akoma pa vdekur Tito, duke ia arritur që Titon nëpleqërinë e tij të thellë (85 vjeç) ta ndante nga bashkëshortja e tij, Jovanka Broz/1924-2013/, e cila ishte 32 vite më e re se Tito.

Nuk është publikuar ndonjë material që dokumenton bashkëpunimin direkt apo të tërthortë mes Enver Hoxhës e Nikolla Ljubičićit, apo vartësve të tyre. Me hapjen e arkivave të kohës, ndoshta edhe mund të gjendet ndonjë dokument. Një gjëështë e qartë. E kjo është se kishte koketim mes tyre.Veprimet që ndërmerrnin në terren i korespondonin interesave të njëri tjetrit. Qëllimi final ishte zhbërja e autonomisë së Kosovës e arritur pas vitit 1966.

Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, me slloganin joshës “Kosova Republikë” tronditën autonominë e Kosovës. Të vrarët e të plagosurit në demonstratë i shërbyen Beogradit për të kërkuar dorëheqjen e Mahmut Bakallit dhe udhëheqësve të tjerë të Kosovës. Kësisoji, u mënjanuan politikanët më të zotë kosovarë, tëcilët ishin sinonim i zhvillimit të autonomisë së Kosovës. Në anën tjetër, pjesa më energjike e popullsisë kosovare, rinia intelektuale, u fut nëpër burgje me dënime drakonike. Fotografitë e Stalinit e të Enver Hoxhës, që u gjendeshin nëpër strehat e grupeve marksiste-leniniste kosovare të cytura nga Tirana zyrtare, tmerronin opinionin liberal e demokratik, qoftëbrenda Jugosllavisë, qoftë në Perëndim. Këtë situatë më së miri e ka përshkruar në librin e tij “Kosova mes dy zjarresh”, i burgosuri politik, e më pas, i arratisuri në Shqipëri, Turqi e Suedi, Sabri Maxhuni-Novosella /1943-/.

Pra, derisa Beogradi rrënonte autonominë e Kosovës në mënyrë direkte, Tirana zyrtare e ndihmonte atë duke i ofruar justifikime, dhe duke e paketuar me stalinizëm synimin e natyrshëm të Kosovës përforcim subjektiviteti.

Pas mënjanimit të Mahmut Bakallit nga skena politike, pushtetin politik në Kosovë e mori Azem Vllasi, i cili shpresonte se forcat nacionaliste serbe, tashmë të konsoliduara me liderin e artikuluar karizmatik, Slobodan Milošević do të mund t’i frenonte përmes aleancës me politikanët sllovenë, kroatë e boshnjakë.

Azem Vllasi zhvilloi një politikë kundërshtuese ndaj Milošević-it, por e meta e kësaj politike ishte se ishte defanzive në pritje të përkrahjes slloveno-kroato-boshnjake.

Në frymën e çmontimit të autonomisë së Kosovës ishte edhe ideja për ndalimin e flamurit kombëtar shqiptar që në Kosovë ishte lejuar 3 vite pas rënies së Ranković-it, atëherë kur ishin lejuar edhe flamujt për pakicat tjera etnike.

Kur ishte lejuar përdorimi i flamujve për pakicat hungareze, italiane, turke etj, (më 1969) u ishte vënë kusht që në flamur të vënin yllin komunist, e kësisoji flamujt që ata i përdornin ishin të ndryshëm nga flamujt e shteteve të tyre amë që nuk e kishin këtë yll. Në fakt, Hungaria e kishte patur yllin në flamur prej vitit 1949 deri 1956,por më 1957 e kishte hequr. Flamuri i Shqipërisë ishte me yllin komunist dhe kur shqiptarëve në Jugosllavi iu lejua përdorimi i flamurit ata e adoptuan këtë pa ndryshime. Kjo për shkak se ishin të pezmatuar nga insistimi serb se shqiptarët në Kosovë ishin një etni e ndryshme nga shqiptarët e Shqipërisë.

Më 1986, lidershipi politik i Serbisë, insistoi që mëqë minoritetet tjera etnike në Jugosllavi i kishin flamujt e tyre të ndryshëm nga vendi amë, edhe shqiptarët në Jugosllavi duhej ta kishin të ndryshëm nga Shqipëria. Atëherë, Azem Vllasi doli me idenë që shqiptarët në Jugosllavi do të përdornin flamurin që yllin nuk do ta kishte mes dy kokave të shqiponjes së zezë dykrenare sikurse Shqipëria, por anash. Kjo ide u pranua pa diskutim nga organet krahinore. Pati një revoltë të heshtur nga rinia e indoktrinuar me propagandën e Tiranës, por ishte një gjë e mirëseardhur për nacionalistët anti-komunistë kosovarë. Meqë ylli në flamur tashmë ishte në cep, ata zakonisht e shpalosnin në atë mënyrë që ylli të mos dukej fare.

Pavarësisht këtij manovrimi të zhdërvjelltë të Vllasit, përkrahja e pritur nga sllovenët, kroatët e boshnjakët nuk i erdhi dhe kësisoji Azem Vllasi përfundoi në burg më 1989. Kjo ndodhimenjëherëpasi që Milošević ua premtoi këtë turmës prej 1 milion serbëve të tubuar në Beograd.

Pas burgosjes së Vllasit, garniturae tij politike u çmontua tërësisht njësoj si ajo e Bakallit 8 vite më parë. Autonomia tashmë u zhvesh, dhe shfuqizimi i saj formal nuk ishte ndonjë problem. Parlamenti autonom i Kosovës, i mësuar me lidershipin karizmatik të Vllasit, pas burgosjes së tij u dorëzua në mënyrë qyqare. Nga 180 deputetë, vetëm 9 morën guximin të kundërshtojnë heqjen e autonomisë.

Përbërja e radhës e Parlamentit të Kosovës, duke e parë konkretisht suprimin një nga një të institucioneve krahinore si policia, mbrojtja territoriale, plaçkitja e pasurisë së Kosovës etj, ishte më përfaqësues i interesit të Kosovës, por tashmë ishte shumë vonë, pasi Serbia e kishte arritur qëllimin, që autonomia e Kosovës të zhbëhej para se në Evropën lindore e në Ballkan të fryenin erërat demokratike.

200 vjetori  i Revolucionit Francez dhe rrëzimi i murit të Berlinit, Shqipërinë e gjetën të izoluar me diktaturë komuniste, në skamje e mjerim, kurse Kosovën me autonomi të humbur dhe regjim serb komunist. Në Evropën Lindore dhe Jugosllavi veç kishin filluar ndryshime drejt pluralizmit partiak, por ideja ishte që nëse pluralizmi partiak aplikohet në Jugosllavi, Kosova të bënte përjashtim ngaqë këtu “i rrezikoheshin marrëdhëniet ndëretnike dhe situata mund të dilte nga kontrolli”.

Në sallën e Parlamentit të Kosovës, po mbahej Konferenca e Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës me slloganet dhe klishetë e zakonshme që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Një diskutant mori rrezikun që të futej në burg duke bërë blasfeminë tronditëse: “Kosova nuk bënë të mbetet rezervat ku do të kryhen eksperimente si mbi kafshët. Duhet të kemi lirinë e të shprehurit, pluralizmin politik me demokraci shumëpartiake, lirimin e të burgosurve politikë, ….”. Në sallën ku ndodheshin rreth 300 të rinjë e mysafirë nga strukturat politike më të larta të Kosovës (rreth 80% ishin shqiptarë), papritur shpërtheu duartroitje frenetike të shumicës së të rinjëve shqiptarë. Kaq ishte. Vazhdoi reagimi dëshpërues i të rinjëve serbë të tronditur më shumë nga duartrokitjet se sa nga diskutimi “i një nacionalisti që nuk duhej të ishte në atë sallë”. Gazetat i kushtuan vend këtij diskutimi më shumë se gjithë pjesës tjetër të konferencës. “Zëri i Amerikës” në veçanti, pasi ishte i vetmi medium që dëgjohej fshehurazi edhe në Shqipëri. As Radio Tirana nuk mundi ta injoronte këtë, por deshi ta përhumbëte duke e paraqitur si konfrontim verbal mes të rinjëve shqiptarë e serbë në Prishtinë.

Në Kosovë u hap rruga për formimin e organizatave jo-komuniste, që prej Këshillit për të drejtat dhe liritë e njeriut në krye me Dr.Zekiria Canën e deri te Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Dr. Ibrahim Rugovën. Përkrahja e hapur amerikane për Ibrahim Rugovën dhe politikën e tij, e “vloi ujin” në Tiranë. Ndryshimet demokratike u imponuan edhe atje. Kosovarët filluan ta vizitojnë Shqipërinë, duke shkuar në Greqi e prej andej në Shqipëri. Pas pavarësimit të Maqedonisë më 1992, shkohej përmes Maqedonisë. Vendkalimet Kosovë – Shqipëri  kaloheshin vetem me viza dalëse, të cilat regjimi serb, në parim, nuk i lëshonte që prej vitit 1948.

No description available.

Periudha 1991-1999 ishte një periudhë ku Shqipëria po e merrte vetën vështirë, ndërsa Kosova po zhytej në robëri të thellë me aparthejd e segregacion etnik të pashembull në Evropë. Kosova po priste ndihmën e Shqipërisë, por Shqipëria kishte problemet e veta që i konsideronte më të rënda se sa ato të Kosovës. Shqipëria e njihte Kosovën vetëm përmes një numri të kufizuar të vizitorëve kosovarë. Një gazetare shumë e njohur televizive nga Tirana, ishte befasuar se si në Ulqin (qytet në Mal të Zi i banuar 90% me shqiptarë etnikë) të gjithë “jugosllavët” flisnin shqip.  Në anën tjetër kosovarët tronditeshin se si në Tiranë kishte direspekt për flamurin kombëtar të cilin  ata e konsideronin të shenjtë.

Njohja më e thellë do të ndodhte tek kur gati një milion refugjatë kosovarë gjatë luftës së vitit 1999 do të strehoheshin në Shqipëri. Natyrisht, kjo njohje mundësoi që reciprokisht të kuptojnë se ndajnë gjuhën dhe origjinën e njëjtë, por që kanë shprehi e botëkuptime të ndryshme për jetën dhe shoqërinë. Mund të kuptoheshin mirë mes vete vetëm në fatkeqësi të mëdha siç ishte lufta e vitit 1999.

Lufta e Kosovës e vitit 1999, kishte një tendencë të elementeve të luftës civile. Në këtë aspekt, pushteti në Tiranë luajti një rrol negativ. Nëse krahas luftës për çlirim nga Serbia nuk pati një luftë civile, meritat për këtë i takojnë SHBA-ve dhe aleatëve të saj, por edhe filozofisë politike të Presidentit Rugova.

Që prej themelimit të LDK-së, lideri i saj, Rugova u shqua për dy gjëra: 1. Pranoi për bashkëpunëtorë të tij shqiptarët kosovarë nga i gjithë spektri ideologjik, përfshirë liberalët, demokratët, nacionalistët, enveristët, titistët, e madje edhe bashkëpunëtorët e deri djeshëm të Miloshević-it, dhe 2. Ishte jokonfliktual. Rugova, jo vetëm që shmangu konfliktet brenda kosovare, por edhe konfliktin me Serbinë.

Rugova pati fillimisht një bashkëpunim të mirë me Dr. Sali Berishën /1945-/, Presidentin demokrat të Shqipërisë, por në fund të vitit 1996 i prishi raportet. Arsyeja ishte insistimi i Presidentit të Shqipërisë që kosovarët të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë. Rugova e kishte vënë gjithë potencialin e vet që të dëshmonte se pushteti serb në Kosovë ishte jolegjitim dhe jo legal, kurse Berisha donte që përmes pjesëmarrjes në zgjedhje, kosovarët ta legjitimonin pushtetin serb.  Komunikimi mes tyre kishte marrë fund që prej atëherë e deri kur vdiq Rugova më 2006.

Komunikimi i Rugovës me udhëheqësit socialistë të Shqipërisë (ish- komunistët), të cilët erdhën në pushtet më 1997, ishte poashtu i rënduar.Rugova ishte një shpirt liberal demokrat dhe anti-komunist.Pushteti socialist në Tiranë i shkëputi pjesën enveriste të LDK-së.Më 1998 u formua, LBD (Lëvizja e Bashkuar Demokratike) në krye me Dr. Rexhep Qosjen /1936-/, si një parti rivale e LDK-së, me koncept dëgjueshmërinë ndaj Tiranës, përderisa Rugova kishte koncept dëgjueshmërinë ndaj Ëashingtonit.

Por, kur më 1998, lufta në Kosovë ishte e pashmangëshme, pacifisti Rugova, kishte drojë se amerikanët do ta linin Kosovën në baltë dhe nuk mori guxim t’i printe luftës, ashtu siç kishin bërë presidenti slloven Kučan /1941-/, ai kroat Tudjman /1922-1999/ dhe ai boshnjak Izetbegović /1925-2003/.

Sidoqoftë, kur e kuptuan pashmangshmërinë e saj, disa nga simpatizantët e Rugovës nuk e pritën komandën e tij, por e filluan luftën me Serbinë. Në luftë u kyqën edhe rivalët e Rugovës, të cilët kishin mbështetjen e Tiranës zyrtare. Ndërskamcat dhe vrasjet e simpatizantëve të Presidentit Rugova u bënë karakteristikë e kësaj lufte, të cilës i dha fund NATO me bombardimin 78 ditor ndaj caqeve serbe. Vrasja më e rëndë ishte ajo e Ahmet Krasniqit, Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës më 21.09.1998 në Tiranë. Këto vrasje të bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Rugovës vazhduan edhe pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Ishte presidenti amerikan George W. Bush, ai që zgjodhi pikërisht Tiranën për të deklaruar se “Çfarë është mjaft, është mjaft, në fund Kosova do të jetë e pavarur”. Ky nuk ishte një mesazh vetëm për Serbinë. Ky ishte një mesazh edhe për Shqipërinë në radhë të parë. Domethënëse ishte edhe dita kur u dha kjo deklaratë: 10 Qershor 2007. Po  në këtë datë ishte mbajtur Lidhja e Prizrenit më 1878, dhe po me këtë datë më 1999 kishte marrë fund sundimi serb mbi Kosovën perms Rezolutës 1244 të KS të OKB.

Ardhja e Hashim Thaçit në pushtet në Kosovë, më 2007, u karakterizua me një konflikt me Dr. Sali Berishën e rikthyer në pushtet në Shqipëri. Edhe kur në Shqipëri u rikthyen në pushtet socialistët (2013) në krye me Edi Ramën /1964-/, pati acarim në marrëdhëniet me të gjithë liderët kosovarë që në ndërkohë ishin në pushtet në Kosovë: Isa Mustafa /1951-/, Ramush Haradinaj /1968-/, Albin Kurti /1975-/ dhe Vjosa Osmani /1982-/.

Acarimi më i madh i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ishte me kryeministrin Ramush Haradinaj, që kishte përfunduar me fjalë banale në prani të Presidentit Macron dhe Kancelares Merkel. Derisa biseda mes të katërtëve ishte zhvilluar në anglisht, fjalët banale mes Haradinajt e Ramës ishin këmbyer në shqip. Jo vetëm ky rast, por edhe të gjitha acarimet e lartcekura kanë ndodhur lidhur me politikën ndaj Serbisë.

Interesant është edhe fakti që kryeministri kosovar Avdullah Hoti /1976-/, më 04.09.2020 në Washington, do të nënshkruante deklaratë zotimi para presidentit Trump për pranimin e marrëveshjes së Schengenit Ballkanik. Pak kohë para se të shkonte në zyrën ovale kishte botuar një artikull ku kishte renditur 14 arsye kundër kësaj marrëveshjeje mes kryeministrit Rama dhe Presidentit të Serbisë, Vučić, duke aluduar se kryeministri Rama po vepronnte kundër interesave të Kosovës.

Derisa në mes të klasave politike, marrëdhëniet mes Kosovës e Shqipërisë janë të balancuara, herë me qasje vëllazërore, e më shumë herë problematike, në fushën kulturore ato janë më shumë një drejtimëshe.Kosova vazhdon ta diskriminojë vetvetën në këtë raport.

Problemi i standardit të gjuhës shqipe mbetet më thelbësori. Ka iniciativë, më të gjatë se dy dekada, që Kosova ose ta negocojë një standard të gjuhës shqipe që do të ishte më i pranueshëm për kosovarët ose të krijojë një standard të vetin. Por, kjo ka ngelur vetëm si iniciativë dhe asgjë më tepër. Ka disa autorë që provojnë të shkruajnë beletristikë në dialektin verior dhe përkthyes që përkthejnë nga gjuhë të huaja në këtë dialekt, por numri i tyre është i vogël. Në tekstet muzikore dhe teatër ka një përpjekje për kthim tek e folmja lokale. Kohëve të fundit ka një tendencë që tekstet e muzikës zbavitëse që po krijohet në Shqipëri të jenë në dialektin e Kosovës. Kjo për shkak se ky zhanër i muzikës ka përparuar më shumë në Kosovë se sa në Shqipëri, ku ishte e ndaluar gjatë kohës së diktaturës komuniste.

Supermaciamë e madhe kulturore e Shqipërisë ndaj Kosovës shfaqet në fushën e mediave. Televizionet e Shqipërisë futen në tregun medial të Kosovës pa pasur nevojë për licensim dhe pa asnjë taksë, derisa televizionet e Kosovës, për të operuar vendin e tyre (në Kosovë) u kërkohet licensë dhe pagesë taksash. Kjo politikë absurde e agjensisë licensuese të mediave në Kosovë (“Komisioni i Pavarur për Medie”), i ka rrënjet tek inferioriteti kulturor i Kosovës ndaj Shqipërisë, i instaluar në vitet e 70-ta.

Pavarësisht këtij qëndrimi inferior, ka një mospajtueshmëri të fortëkur është fjala për historinë më të re. Ka shumë personalitete historike që konsiderohehen heronj zyrtarë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Por, ka edhe disa personalitete që në Kosovë konsiderohen zyrtarisht heronj si Rexhep Mitrovica (ish-kryeministër i Shqipërisë), Xhafer Deva (ish-ministër i brendshëm i Shqipërisë), Iljaz Agushi (ish-zëvendës kryeministër e ish-nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë), etj, që Shqipëria zyrtare i konsiderohen tradhtarë.

Në anën tjetër, disa nga personalitetet serbe që kosovarët i konsiderojnë armiqt më të mëdhenj të Kosovës si Aleksandar Ranković (ish nën- President i Jugosllavisë), Ivan Milutinović (gjeneral serb), Miladin Popović (themelues i Partisë Komuniste të Shqipërisë), etj, gjenden në regjistrin zyrtar të heronjve të Shqipërisë.

Sidoqoftë, ndërgjegjia kombëtare e Kosovës, në masën më të madhe, u zgjua pas pranimittë ekipit kombëtar të Kosovës në futboll në FIFA e UEFA. Sukseset e ekipit kombëtar: kalimi nga Liga D në Ligën C, të arriturit fare afër kualifikimit për kampionatin evropian 2021, etj, bënë që stadiumet e Kosovës të duken me ngjyrat kombëtare të Kosovës: verdh e kaltër.

No description available.

Para këtyre sukseseve, shumica e kosovarëve luanin për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Kur ekipi kombëtar i Shqipërisë u ndesh në Beograd me atë të Serbisë më14.10.2014, nga 11 futbollistë në fushë 8 ishin nga Kosova. Sigurisht që tifozët nga Kosova ishin me Shqipërinë. Por, kur ekipi kombëtar i Kosovës filloi sukseset, dhe kur në mungesë të stadiumeve, ekipi kombëtar i Kosovës zhvillonte ndeshjet në Shqipëri dhe interesimi i tifozëve të Shqipërisë ishte i pakët për Kosovën, atëherë tifozëria kosovare iu kthye ngjyrave verdh e kaltër.

Një rrëfim personal është ilustrues për përfundimin e këtij punimi. Një mik i imi nga Tirana që punon një kohë të gjatë për UNMIK-un në Kosovë, m’u rrëfye në konfidencë të thellë: “Edhe pse tëdyprindërit e mi u takojnë familjeve patriotike, më vjen turp të ta pranoj se më shumë më shijon biseda me serbët se sa me kosovarët”. Iu përgjigja se është e natyrshme kjo, pasi që ai ka lindur në shtetin e tij, babi i tij poashtu, dhe gjyshi i tij poashtu. Serbët poashtu janë lindur e janë rritur në shtetin e tyre, baballarët e tyre e gjyshërit e tyre poashtu, ndërsa kosovarët janë lindur në robëri njësoj skurse edhe baballarët dhe gjyshërit e tyre.  E natyrshme pra, që kuptohesh më lehtë me serbët se sa me kosovarët. Përgjigjia e tij ishte: “E kam vërejtur se, me kosovarët më të rinj se 25 vjeç, kuptohem më lehtë”.

Përfundim

Faktori kryesor që përgjatë historisë moderne e ka dalluar politikisht Kosovën nga Shqipëria është Serbia me qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Ky dallim ka lënë gjurmë të thella dhe e ka bërë diferencën mes identitetit kombëtar kosovar dhe identitetit kombëtar shqiptar. Se këto identitete do të jenë më afër apo më larg njëra tjetrës, do të varet edhe më tutje nga qëndrimi serb (miqësor apo armiqësor) ndaj Kosovës. Por, në të dyja rastet, këto do jenë dy identitete të veçanta kombëtare. Sigurisht, që mentaliteti i brezave që tani janë deri 25vjeç, kur të jenë 55 vjeçarë do ta dominojë mentalitetin e shoqërisë kosovare si tërësi. Do të kuptohen më lehtë me Shqipërinë, por edhe me Serbinë. E ardhmja e pritshme e përbashkët e Ballkanit në Bashkimin Evropian, do t’i afrojë kosovarët me vëllëzerit e tyre nga Shqipëria dhe do t’i miqësojë ata me serbët e deridjeshëm armiqësorë, por e kaluara e tyre e veçantë do t’u sherbejë si vulë identitare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë ka nisur përgatitjet për…